1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Samiti i G20-s: Merkel pret bisedime të vështira

Para samitit të G20 në Hamburg, në Bundetag u zhvillua një debat i posaçem. Kancelarja Angela Merkel i dha rëndësi bashkëpunimit me vendet kryesore industriale për sfidat globale.

Ndryshimet klimatike, terrorizmi, proteksionizmi dhe migrimi - këto janë disa nga sfidat kryesore të samitit të G20-s, që do të mbahet në fund të javës së ardhshme në Hamburg. „Bota është e trazuar", tha kancelarja Angela Merkel me vendosmëri në fjalimin e saj para Bundestagut. „Asnjë vend në botë nuk mund të përballet me sfidat e kohës së sotme, i vetëm".

Merkel kërkoi që të jepet një „sinjal vendosmërie" nga Hamburgu, veçanërisht  në çështjen e mbrojtjes së klimës. Pas vendimit të qeverisë amerikane për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit, udhëheqësja e CDU-së tha, se „tani ne jemi edhe më të vendosur që të arrijmë sukses në këtë drejtim". Ajo pret në të njejtën kohë „bisedime jo të thjeshta". "Mosmarrëveshja shihet qartë", tha ajo.

Proteksionizmi „ nuk është zgjidhje"

Në përballje me politikat e izolimit nga ana e SHBA-së, duhet forcuar në veçanti tregtia ndërkufitare. Edhe pse shumë njerëz nuk shohin avantazh nga globalizimi apo ndjehen të lënë pas dore, Merkel është e bindur „se proteksionizmi nuk është zgjidhje". Merkel theksoi se në Hamburg në program do të jetë digjitalizimi dhe poashtu rritja e bashkëpunimit me vendet që gjenden në reformim në kontinentin e Afrikës.

Standarde ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit

„Rëndësi të madhe" në samitin e Hamburgut do të ketë migrimi si sfidë globale, tha Merkel. Shkaqet e migrimit duhet të luftohen në vendet e origjinës, duke formuar struktura të qëndrueshme për zhvillim dhe krijimin e mundësive për punësim. Në luftën kundër terrorizmit duhet sa më shpejt të miratohen standardet ndërkombëtare, që të mund të ngrijnë burimet e parave të terroristëve dhe të intesifikohet bashkëpunimi midis autoriteteve të sigurisë.

Samiti G20 do të mbahet në Hamburg më 7 dhe 8 korrik. Ka paralajmërime për protesta nga Organizatat jo qeveritare, për këtë arsye Merkel u bëri thirrje aktivistëve që të demonstrojnë në mënyrë paqësore. 

 

 

ab/(dpa, rtr)