1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samiti i Brukselit - Dëbimi i romëve nga Franca përcakton tonin e samitit të BE-së

Në Bruksel përfundoi të enjten samiti i BE-së. Grindja e ashpër mes presidentit të Komisionit Evropian, Barroso dhe presidentit francez, Sarkozy për dëbimin e romëve nga Franca hodhi hije mbi punimet e samitit.

Takim i ngrohtë mes Merkelit dhe presidentit Sarkozy në samit

Takim i ngrohtë mes Merkelit dhe presidentit Sarkozy në samit

Samiti i shefave të qeverive dhe shteteve nga 27 vende të Bashkimit Evropian ishte planifikuar të ishte një samit rutin njëditor. Por politika e dëbimit që po ndjek aktualisht Franca ndaj romëve, u bë shkak i një zënke të ashpër mes Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Maunel Barroso dhe presidentit francez, Nicolas Sarkozy. Ky i fundit u tregua shumë i lënduar nga përzgjedhja e fjalëve të komisioneres evropiane për drejtësinë Viviane Reding, e cila për të komentuar politikën franceze të dëbimit bëri njëlidhje të tërthortë me politikën e nazistëve. Sarkozy tha se Reding ka fyer vendin e tij. Edhe kancelarja Merkel e kritikoi tonin e përdorur nga komisionerja Reding.

Presidenti i KE-së Jose Manuel Barroso

Presidenti i KE-së Jose Manuel Barroso

Barroso: Respekti dhe dinjiteti njerëzor janë vlera të shenjtë për Bashkimin Evropian

Pikërisht për këtë çështje Barroso dhe Sarkozy shkëmbyen replika të ashpra në drekën e shtruar për nder të samitit. Sarkozy i qëndroi opinionit të tij se Franca do të vazhdojë të prishë ngrehinat ilegale të romëve. Ndërsa Barroso e dënoi atë si diskrimimin që nuk mund të pranohet. "Çdo lloj forme diskriminimi ndaj pakicave etnike në Evropë është e papranueshme. Respekti dhe dinjiteti njerëzor janë vlera të shenjta për Bashkimin Evropian."

Megjithatë pas përfundimit të samitit, të dyja palët u përpoqën të mos i hidhnin benzinë zjarrit. Presidenti francez tha se po qe se Komisioni përcakton se vendi i tij nuk e zbaton me korrektësi të drejtën evropiane, atëhere sigurisht gabime të tilla do të korrigjohen.

Kancelarja Angela Merkel

Kancelarja Angela Merkel

Kina - partner i rëndësishëm për BE-në

Por samiti i BE-së në Bruksel debatoi edhe mbi tema të tjera. Marrëdhëniet strategjike me superfuqitë e reja ekonomike si Kina, Brazili, India etj., ishin temë diskutimesh. Gjermania synon një rol drejtues sidomos në marrëdhëniet strategjike BE-Kinë, pasi është edhe vendi që ka vëllimin më të madh tregtar me Kinën. Kancelarja gjermane Angela Merkel i përcaktoi kështu marrëdhëniet me Kinën: "Ne besojmë se tek Kina kemi një partner të rëndësishëm. Por ne besojmë gjithashtu se veçanërisht në çështjen e të drejtave të njeriut kemi nevojë për përparime."

Koreja e Jugut afrohet më shumë me BE-në përmes marrëveshjes së tregtisë së lirë

Sukses i samitit u konsiderua lëshimi i dritës së gjelbër për marrëveshjen e tregtisë së lirë me Korenë e Jugut, e bllokuar kjo më parë nga Italia për shkak të pasojave të kësaj marrëveshjeje në industrinë italiane të automobilëve. Koncerni Fiat tashmë do të ketë gjashtë muaj kohë më shumë për t'u përgatitur përballë konkurrencës koreanojugore. Steven Vanackere, ministër i Jashtëm i Belgjikës u shpreh me eufori pas arritjes së marrëveshjes: "Kjo është marrëveshja e parë e një gjenerate të tërë marrëdhëniesh tregtare, që lidh Evropën me Azinë në një aleancë gjithnjë e më të ngushtë ekonomike."

Pamje nga përmbytjet në Pakistan

Pamje nga përmbytjet në Pakistan

Ndihmë afatagjatë për Pakistanin

Shefat e shteteve dhe qeverive nga 27 vendet e BE-së diskutuan edhe mbi katastrofën e përmbytjes në Pakistan. Ky vend mund të shpresojë pas këtij samiti me ndihmën afatgjatë të BE-së. Në Bruksel u fol për lehtësime tregtare me Pakistanin, konkretisht për një depërtim më të lehtë të mallrave pakistanezë në tregun evropian. BE është gati për një kohë të kufizuar të ulë tarifat doganore për mallrat më të rëndësishëm pakistanezë. Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy tha se "ne duam të japim maksimumin, më shumë ndihmë dhe më shumë tregti." Ndërsa presidenti i Komisionit Evropian, Barroso e cilësoi këtë lehtësim si një "lajm shumë të mirë për Pakistanin."

Në samitin e Brukselit nuk u arrit ndonjë sukses në debatin për stabilizimin e euros në BE. Kancelarja gjermane Merkel megjithatë disa herë kërkoi sanksione më të forta në rast të shkeljes së kritereve evropiane për buxhetin nga vendet anëtare. Ajo bëri të qartë që ombrellat mbrojtëse financiare "të hapura" në pranverën e këtij viti për stabilizuar euron nuk do të rrinë të hapura më shumë se tre vjet. Ky ishte një mesazh i qartë i kancelares Merkel për kolegët evropianë.

Autor:AG/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 17.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PE6r
  • Data 17.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PE6r