1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Samiti i BE-së mbi strategjinë ndaj Libisë

Krerët e shteteve dhe të qeverive të BE-së kërkojnë largimin Muammar al-Gadafit. E diskutueshme është nëse BE-ja dhe NATO-ja duhet të ndërhyjnë ushtarakisht në mbështetje të kryengritësve.

default

Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së në samitin për Libinë në Bruksel, 11.03.2011

Krerët e shteteve dhe të qeverive të 27 vendeve të Bashkimit Evropian kanë kërkuar në samitin në Bruksel (11.03.2011) dorëheqjen e pushtetmbajtësit në Libi Muammar al-Gadafi, për shkak të dhunës që po përdor kundër popullit të vet. Ndërsa presidenti francez Nicolas Sarkozy ka kërkuar si mjet të fundit kundër Gadafit aksione ushtarake mbi disa objektive të caktuara. Franca dhe Britania e Madhe janë të gatshme për këtë, tha Sarkozy gjatë samitit të jashtëzakonshëm për Libinë në Bruksel. Por tha ai, aksionet ushtarake shtrohen për diskutim vetëm si aksione mbrojtëse për shembull, kur diktatori libian Muammar al-Gadafi përdor armë kimike kundër popullit të vet. E diskutueshme është nëse BE-ja dhe NATO-ja duhet të ndërhyjnë në fund ushtarakisht në mbështetje të kryengritësve. Si shteti i parë i BE-së Franca njohu të enjten (10.03.201) opozitën në Bengazi, si përfaqësuesen e vetme të ligjshme të popullit libian.

Konsultime NATO - BE mbi zonën e ndalim-fluturimit dhe ndërhyrjen ushtarake

Belgien NATO Libyen Generalsekretär Anders Fogh Rasmussen in Brüssel

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, Bruksel 10.03.2011

Të enjten (10.03.2011) ministrat e Jashtëm të BE-së u konsultuan për masat e reja për Libinë. Që ndërhyrja ushatarake nuk është ende një opcion u bë e qartë edhe në takimin e ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, po në Bruksel.

Britania e Madhe kërkon krijimin e zonës së ndalimfluturimit për Libinë. Asaj i bashkangjiten një sërë shtetesh anëtare të Parlamentit Evropian. Por NATO që duhet të ekzekutojë vendimin, heziton. Ministrja daneze e Mbrojtjes, Gitte Lillund Bech mori fjalën në takimin e ministrave të Mbrojtjes së NATO-s të zhvilluar të enjten, duke folur në emër të shumë homologëve të saj:

"Po qe se duhet të flasim për një zonë ndalimfluturimi për Libinë, duhet t'iu përmbahemi tre gjërave: Së pari kjo zonë duhet të jetë një domosdoshmëri. Së dyti kemi nevojë për një bazë ligjore dhe së treti rajoni duhet të na drejtojë një lutje për këtë."

Deri më tani asnjëra nga këto tre kushte nuk është dhënë në mënyrë të qartë. Christian Schmidt, sekretar shteti në Ministrine Gjermane të Mbrojtjes i vlerëson në tërësi si të hershme thirrjet për një zonë ndalimfluturimi. "Kam përshtypjen se nganjëherë i kushtohet shumë pak vëmendje në opinion faktit që fillimisht duhet të analizojme mirë situatën, e cila vetëm e qartë nuk mund të quhet."

NATO parimisht gati për ndërhyrje

Por gjendja në Libi dhe situata diplomatike po ndryshojnë shumë shpejt dhe parimisht edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen u tregua i gatshëm për një ndërhyrje ushtarake. "Nuk mund të përfytyroj që bashkësia ndërkombëtare dhe Kombet e Bashkuara të shikojnë duarkryq, kur kreu i shtetit Gadafi të vazhdojë të sulmojë sistematikisht popullin e tij. Por më duhet të them: Ne nuk e kërkojme intervenimin në Libi."

Westerwelle Porträt

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle

Shpresa tek efektet e sanksioneve

Ministrat e Jashtëm të BE-së në të njëjtën kohë i zgjeruan sanksionet kundër Libisë. Ato prekin tanimë një rreth më të gjerë personash, të cilët bëhen përgjegjës për dhunën - dhe ç'është më e rëndësishme sanksionet drejtohen edhe kundër institucioneve financiare.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle shpreson që këto hapa të japin efektet e veta për ndalimin e sulmeve ushtarake. "Në tërësi ne po ndjekim me shumë kujdes, që tani fillimisht sanksionet politike të japin ndikimin e tyre. Sepse nuk duam të biem në një dërrasë të kalbur, e cila na çon pastaj në një rrezik të pakalkulueshëm, dhe bëhemi kështu palë në një situatë të një lufte civile. Kjo duhet shmangur patjetër."

Nga shefat e shteteve dhe qeverive të BE-së priten vendime të tjera. Samiti i BE-së që fillon të premten, fillimisht i planifikuar për stabilizimin e euros, është zgjeruar qëllimisht edhe me një temë tjetër - Libinë.

Autor: Christoph Hasselbach/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

  • Data 11.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10XBL
  • Data 11.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10XBL