1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samiti i BE-së - kush do t’i marrë postet e reja drejtuese në BE?

Mbrojtja e klimës dhe marrëveshja reformuese e BE-së dominuan takimin e nivelit të lartë të BE-së, i cili filloi të enjten (29.10.)

Kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt, kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Werner Faymann. Samiti i BE-së në Bruksel më 29.10.2009

Kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt, kancelarja gjermane Angela Merkel, kancelari austriak Werner Faymann. Samiti i BE-së në Bruksel më 29.10.2009

Ky është takimi i fundit i nivelit të lartë të BE-së para Konferencës Botërore për Klimën në Kopenhagë. Evropianët janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësinë dhe rolin e tyre pararojë. Ata nuk duan të ulin vetëm CO-2-in në vendet e tyre, por të ndihmojnë edhe vendet në zhvillim që ta bëjnë këtë. Kryeministri i Suedisë dhe presidenti i radhës i BE-së, Frederik Reinfeldt u bëri thirrje të enjten (29.10) kryetarëve të shteteve dhe të qeverive, që të mos e braktisin objektivin pak para se ta kenë arritur atë.

Duke pasur parasysh mbrojtjen e klimës në vendet e varfra jashtë Bashkimit Evropian, Reinfeldt-i tha: “Po të përqëndrohemi në një objektiv financiar, për të investuar në masa të tilla për mbrojtjen e klimës, por duke e lidhur edhe me kushte, që emisionet vërtet të ulen, atëherë kjo do ta theksojë pretendimin evropian për rol udhëheqës.”

Kush do të paguajë më shumë në BE për ndihmën?


Nëse parimi kryesor do të jetë sasia e gazrave të dëmshme që nxirren, atëherë disave prej ish-vendeve të Bllokut Lindor, me industrinë e tyre të vjetëruar dhe me shumë termocentrale me qymyr do t'u kërkohej veçanërisht që të tundnin paratë. Por këto vende kërkojnë që parimi bazë, ku të matet kontributi, të jetë mirëqenia e një vendi.

Në fakt, pjesëmarrësit e takimit të nivelit të lartë patën shpresuar se do ta quanin të kryer që këtu temën e Marrëveshjes së Lisbonës. Por ende mungojnë vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Çekisë dhe nënshkrimi i presidentit Vaclav Klaus. Megjithatë ndërkohë gjithçka flet për faktin që Marrëveshja e Lisbonës do të hyjë në fuqi në janar.

Ministri i Jashtëm britanik David Miliband dhe kryeministri britanik Gordon Brown në konferencë shtypi gjatë samitit në Bruksel 29.10 2009

Ministri i Jashtëm britanik David Miliband dhe kryeministri britanik Gordon Brown në konferencë shtypi gjatë samitit në Bruksel 29.10 2009

Kush do t'i marrë postet e reja drejtuese në BE?

Po të jetë kështu, BE-ja ka mundësinë të plotësojë dy poste të rëndësishme: atë të një presidenti të përhershëm të Këshillit të BE-së dhe atë të një përfaqësuesi të politikës së jashtme, me kompetenca shumë më të gjera. Edhe nëse vendimet për personelin nuk janë zyrtarisht në rend të ditës, diskutimet po zhvillohen me gjallëri.

Ministri britanik i Punëve të Jashtme, David Miliband foli për një çështje parimore dhe dha menjëherë edhe një rekomandim për çështjen se kush duhet të bëhet president i Këshillit e çfarë roli duhet të luajë ai: “Unë jam i bindur, ky është një rast i mirë për Evropën që të flasë me një zë të fuqishëm në skenën botërore dhe jam shumë qartë i mendimit, që zoti Blair do të përputhej me këtë profil kërkesash.”

Ish-kryeministri britanik, Toni Bler është padyshim personi me peshë më të madhe në politikën botërore, i cili diskutohet për ta marrë këtë post. Por shumë mendojnë se do të nevojitet një kandidat, i cili para së gjithash të jetë në gjendje të ndërmjetësojë brenda BE-së. Gara është krejtësisht e hapur dhe të dyja postet me siguri do të plotësohen në një takim të posaçëm të nivelit të lartë, në mes të nëntorit.

Autor: Christoph Haselbach / Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 30.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KJ8Y
  • Data 30.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KJ8Y