1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samiti i BE-së diskuton për sanksione dhe poste

Sanksionet e reja ekonomike ndaj Rusisë nuk do të drejtohen kundër të gjitha degëve të industrisë ruse. Mosmarrëveshje pati në samitin e BE-së për të ngarkuarën e re për politikën e jashtme.

Kancelarja Angela Merkel nuk e ka me ngut marrjen e një vendimi për çështjet e pazgjidhura të personelit në Bashkimin Evropian. Në fillim të diskutimeve në Bruksel ajo tha se nuk beson se mund të arrihet shpejt në një qëndrim të përbashkët. "Le të shohim," tha kancelarja me një buzëqeshje. Për Merkelin është shumë më e rëndësishme politika e jashtme dhe gjendja në Ukrainë. "Kjo është arsyeja pse ne po flasim për sanksione të reja, sepse besojmë se kontributi rus për paqen në Ukrainë ende nuk është i mjaftueshëm," tha kancelarja. Që prej takimit të fundit të BE-së në fund të qershorit nuk janë liruar më pengje dhe grupi i planifikuar i kontaktit gjithashtu nuk po punon, kritikoi Merkel.

Sanksione të reja kundër Rusisë

Sanksionet e reja ndaj Rusisë nuk do të jenë sipas informacioneve nga qarqet diplomatike, sanksione të ashpra ekonomike kundër të gjitha degëve të industrisë ruse, pra të ashtuquajturat sanksione të nivelit 3. Më tepër do të jetë një zgjerim i listës së udhëheqësve nga Ukraina lindore apo Rusia, të cilëve nuk do t'u lejohet të hyjnë në BE dhe të cilëve do t'u ngrihen llogaritë bankare. Gjithashtu Banka Evropiane e Investimeve do të pezullojë të gjitha kreditë dhe projektet me Rusinë. Komisioni i BE-së gjithashtu do ta reduktojë bashkëpunimin me autoritetet ruse në minimumin më e nevojshme. Vetëm organizatat jo-qeveritare të shoqërisë civile, do të vazhdojnë të mbështeten.

Kancelarja Merkel telefonoi para fillimit të samitit të posaçëm të BE-së përsëri me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe e siguroi atë për mbështetjen e BE-së. Vendet baltike ato evropiane-lindore që janë në BE kërkojnë një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, që e fajësojnë për ashpërsimin e luftimeve mes separatistëve prorusë dhe forcave qeveritare ukranase. Shtetet e tjera anëtare të BE-së kanë frikë se ashpërsimi i sanksioneve mund të sjellë shumë humbje për ekonominë e vendeve të tyre dhe për këtë arsye janë të rezervuara sa u përket sanksioneve. Kryeministri britanik David Cameron bëri thirrje për sinjale të qarta dhe të forta që duhet të dërgohen nga samiti i Brukselit drejt Rusisë.

Mosmarrëveshje për të ngarkuarën e re për politikën e jashtme

Federica Mogherini

Federica Mogherini

Politika ndaj Ukrainës dhe Rusisë luan rol edhe në diskutimet dhe vendimin për të ngarkuarën e re për politikën e jashtme të BE-së. Disa shtete evropianolindore janë kundër kandidaturës së italianes Federica Mogherini, që e konsiderojnë si shumë miqësore ndaj Rusisë. Shumë politikanë konservatorë mendojnë se socialistja 41-vjeçare, që është që nga muaji prill ministre e Jashtme e Italisë, ka pak përvojë në politikën e jashtme.

Vendet lindore anëtare të BE-së favorizojnë për këtë post bullgaren Kristalina Georgieva, e cila është komisare e BE-së për ndihmat humanitare dhe ndihmën për refugjatët. 61-vjeçarja ka qenë më parë zëvendëspresidente e Bankës Botërore.

Postet e tjera vakate

Veç postit të ngarkuarit të BE-së për politikën e jashtme duhet zënë edhe posti i kryetarit të përhershëm të KE-së. Për këtë post përmendet shpesh emri i kryeministres socialiste të Danimarkës Helle Thorning-Schmidt, e cila ka edhe mbështetjen e kancelares Angela Merkel.

Kurse Franca ka vënë si kusht për të dhënë votën e saj, që ish-ministri francez i Financave Pierre Moscovici të bëhet shef i Eurogrupit. Kryetarëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së u duhet pra kohë deri sa të bien dakord për këto poste të reja si dhe për komisarët e ardhshëm të BE-së. "Ne duhet të gjejmë barazpeshën mes partive politike, veriut dhe jugut, vendeve të mëdha dhe të vogla, burrave dhe grave." - tha kryeminisitri finlandez Alexander Stubb, duke shtuar se më e rëndësishmja është megjithatë kompetenca e kandidatëve.