1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Samiti i Austrisë duhet t’i japë ofertë konkrete rajonit"

Shqipëria - Pritmëritë nga samiti i Vjenës: ofertë konkrete rajonit dhe mesazh të fortë për demokracinë lokale.

Westbalkan-Konferenz Gruppenbild Angela Merkel

Samiti i Berlinit 2014

Samiti i Vjenës dhe njëvjetori i fillimit të iniciativës së kancelares së Gjermanisë për vendet e rajonit është top temë në mjediset politike dhe mediatike në Shqipëri, si reflektim dhe i pritmërive të opinionit publik. Samiti duket dhe si një rast për bilancet e arritjeve dhe mosarritjeve nga procesi i integrimit rajonal si prelud për ambicien, që kanë shtetet aspirante për shtyrjen përpara të endrrës për integrim europian.

Duke folur për Deutsche Welle-n Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë Ditmir Bushati, shfaq opinionin se Konferenca e Berlinit ka vënë në lëvizje një proces, i cili synon të gjenerojë përfitime të prekshme për qytetarët e vendeve të rajonit nga procesi i integrimit europian. Duke bërë një bilanc njëvjetor, shefi i diplomacisë shqiptare kujton se në arritjen e këtij synimi janë zhvilluar një sërë takimesh të kryeministrave, ministrave të punëve të jashtme, të atyre të Energjisë, Transportit dhe Ekonomisë, si dhe janë ndërmarrë hapa domedhënës në të paktën tri prej fushave të adresuara si prioritare nga Konferenca e vitit të kaluar në Berlin: kontaktet mes qytetarëve, bashkëpunimi rinor, dhe afrimi mes vendeve, me synim forcimin e klimës së bashkëpunimit dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura politike të natyrës dypalëshe.

Përqendrimi i investimeve në projekte kyçe

“Pas më shumë se gjashtë dekadash kemi shkëmbimin e parë të vizitave në nivel kryeministrash mes Shqipërisë dhe Serbisë, po ashtu vetëm brenda 2015-ës kemi një seri vizitash të udhëheqësve më të lartë shtetërore të vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë vizituar Shqipërinë. Jam i sigurtë që ky është një proces, i cili do tëzgjasë përtej kohëzgjatjes së vet Procesit të Berlinit. Sa i përket, forcimit të ndërlidhjes dhe përmirësimit të infrastrukturës në vendet tona: në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian, gjatë këtyre takimeve që nga gushti i vitit të kaluar, kemi rënë dakord mbi modalitetet për tashtrirë në rajonin tonë Rrjetin e Transportit Trans-Europian (TEN-T), duke caktuar hartën e një rrjeti bazë rajonal i cili do të lidhë kryeqytetet e rajonit, qendrat ekonomike dhe portet kryesore. E njëjta metodologji është ndjekur për të planifikuar hapat për ndërlidhjen energjeike, duke u bazuar në rrjetin Trans-Europian të Energjisë (TEN-E) dhe në arritjet e Komunitetit ë Energjisë”.

Albanien Ditmir Bushati Außenminister in Berlin

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati

Për ministrin Bushati kjo punë përgatitore, së bashku me nxitjen politike që jep Konferenca e Vjenës, do të lejojë që të përqendrohen investimet në projekte kyçe, të cilët ndërlidhin ekonomikisht Ballkanin Perëndimor dhe e transformojnë atë në një rajon të mirëfilltë ekonomik. Ai përmend projektet me rëndësi për Shqipërinë, të cilat u përfshinë në rrjetin bazë të transportit siç janë janë korridori Adriatiko-Jonian, korridori Nish-Prishtinë-Durrës dhe specifikisht segmenti Durrës-Hani i Hotit; korridori VIII dhe specifikisht Korridori Perëndim-Lindje, i cili ka marrë dhe dakortësinë e BE-së; Porti i Durrësit dhe Aeroporti “Nënë Tereza”. Për sa i takon infrastrukturës energjetike, linja e interkonjeksionit 400 kV që lidh Shqipërinë me Maqedoninë është përfshirë në listën e projekteve prioritare që do të përfitojnë në kuadër të IPA 2015.

Përvoja e suksesshme e zyrës rinore Franko-Gjermane

“Një ndër objektivat e tjera të Konferencës së Berlinit ka qenë edhe forcimi i bashkëpunimit rinor mes vendeve të rajonit. Në Vjenë, dy kryeministrat Rama dhe Vuçiç do të nënshkruajnë një deklaratëtë përbashkët, me të cilën u pajtuan të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për ngritjen e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor. Synimi është që nëpërmjet kësaj zyre dhe degëve të saj në të gjitha kryeqytetet e rajonit, si dhe nëpërmjet asistencës së BE, t'u krijohen mundësi të rinjve tanë për lëvizje, studime, trainime profesional e punësim. Në këtë drejtim ka shërbyer përvoja e suksesshme e zyrës rinore Franko-Gjermane. Por ne e shohim të rëndësishme kontekstualizimin e kësaj përvoje të vyer të pajtimit dhe vendosjes së dialogut mes të rinjve evropianë, në kontekstin e të rinjve të Ballkanit” thotë për Deutsche Welle-n ministri Ditmir Bushati.

Sipas tij të rinjtë e rajonit, dialogu civil, pajtimi dhe bashkëpunimi afatgjaë duhet të vijnë nëpërmjet shkëbimeve kulturore, aktivizmit të përbashkët qytetar, mobilitetit të studimeve dhe atij professional, mundësive të punësimit në sektorë prioritarë të ekonomive tona, krijimit të aftësive teknike e profesionale etj. Po ashtu, është e rëndësishme që të rinjtë të krijojnë kapacitete për të plikuar për fondet e BE-së në kërkim, inovacion dhe arsim të lartë.

Sa i takon pritmërive të mnistrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë për Samitin e Vjenës ai shprehet se për të realizuar ndërlidhjen mes vendeve të rajonit duhet pasur parasysh hapësira e limituar buxhetore. Bushati përmend se që nga kriza financiare, buxhetet e vendeve të rajonit janë përqendruar kryesisht në stabilizimin ekonomik të vendit dhe pak është lënë për nisjen e projekteve të reja, në veçanti të atyre rajonale.

“Prandaj, rrjeti bazë rajonal i transportit dhe ndërlidhjet energjeike bëhen të mundshme vetëm nëse ato çojnë në përcaktimin e investimeve prioritare që do të formojnë një paketë për rritjen ekonomike në rajonin tonë – një paketë që do të kërkojë rritjen e mbështetjes financiare për vendet tona. Në këtë kontekst, do të kërkojmë përshpejtimin e projektit të Korridorit Adriatiko-Jonian dhe mbështetje në implementimin e projektit IAP në mënyrë që të shohim rezultate konkrete nga Samiti i Vjenës në atë të Parisit, 2016. Po ashtu, do të kërkojmë që BE të ketë një strategji rajonale për investimet në fushën e energjisë në rajon - ë bashkëpunim me SHBA - duke qenë se kjo tematikë do të jetë dhe një nga shtyllat e kryesisë franceze të Procesit të Berlinit në vitin që vjen”.

Ministri Ditmir Bushati është i bindur se vendet e rajonit do të rikonfirmojnë vullnetin për të adresuar pa vonesë të gjitha masat që kanë të bëjnë me çështje rregullatore, si riorganizmi i procedurave të kalimit kufitar, të cilat siç thotë ai “mund të sjellin përfitime të menjëhershme dhe me kosto të arsyeshme për sa i përket ndërlidhjes për 6 vendet e Ballkanit. Nga adresimi i këtyre masave do të përfitojnë si bizneset e rajonit, ashtu dhe qytetarët e thjeshtë”.

Samiti i Austrisë duhet të japë mesazh të fortë për demokracinë lokale

Për prof. asoc. dr Afrim Krasniqi, lektor i shkencave politike, bilanci njëvjeçar i iniciativës Merkel ka vlerë pozitive pasi ka krijuar një mjedis më bashkëpunues mes vendeve të rajonit. Sipas tij turi i kancelares ishte i pari tur i një kancelari gjerman në historinë e rajonit dhe pati një bilanc pozitiv në aspektin politik. Por sa i takon nivelit të shkëmbimit ekonomik dhe forcimit të demokracisë, sipas prof. asoc.dr Krasniqi, ende nuk ka dhënë rezultat. Vendet janë të gatshme të bashkëpunojnë me projekte të mëdha infrastrukturore kur bëhet fjalë për t'i kërkuar financim BE-së, thotë ai për Deutsche Welle-n.

Albanien Tirana Eröffnung des Museums Virtual Memory

Prof. asoc. dr Afrim Krasniqi

“Por mendoj se nuk janë ende po kaq të gatshme të nxisin projektet rajonale më të vogla. Niveli i shkëmbimeve tregtare mbetet minimal dhe tregu rajonal nuk funksionon. Ky është një tregues i brishtësise së rajonit dhe kontrastit me frymën e Berlinit. Tjetër: disa vende të rajonit u ndeshën me probleme të funksionimit të shtetit të së drejtës. Krizat politike në Maqedoni, Kosovë e Bonjë harxhuan shumë kohë dhe energji. Në Shqipëri e Serbi pati incidente dhe ulje ngritje të panevojshme politike. Samiti i Austrisë duhet t'i japë një ofertë konkrete rajonit, mbështetje konkrete të disa projekteve dhe mesazh të fortë për demokracinë lokale. Qytetarët duhet të shohin se BE dhe Gjermania janë potencial mbështetës ekonomik e politik në rajon jo vetëm në angazhime politike, por edhe në terma teknike ekonomike dhe financiare”.

Duke u ndalur tek problemi aktual i azilkërkuesve në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së, prof. asoc. dr Afrim Krasniqi mendon se për këtë çështje parësore do të ketë shumë hapësira në diskutimet jopublike të Samitit të Vjenës. “Vetë Austria loboi ditët e fundit në rajon për këtë temë. Ironikisht ky problem do jetë ndihmës mendoj për vendet ballkanike, sepse do të ndikojë në mbështetjen e projekteve ekonomike të parashtruara prej tyre. Ata që duan të emigrojnë kanë nevojë për shpresë e mesazh për jetesë në vendet e origjinës ndaj Gjermania dhe BE do të jenë dyfish të interesuar t'ua përcjellin këtë mesazh. Nga ana tjetër, takimi do duhet të jetë shumë më kritik ndaj cilësisë së qeverisjes rajonale. Ka rëndësi fakti nëse Rama, Vuçiç apo Gruevski bashkëpunojnë me njeri-tjetrin, gjë që është arritur dhe është pozitive. Por shumë me rëndësi për qytetarët e vendeve të tyre ka fakti që ata të mirëqeverisin, të bëjnë reforma, të luftojnë korrupsionin dhe të ndikojnë në forcimin e demokracisë brenda vendeve të tyre, gjë që pak ka ndodhur”.