1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Samiti gjerman për investime në Greqi

28 Korrik 2011

Ekonomia gjermane ka paraqitur një varg propozimesh dhe dëshirash për rimëkëmbjen ekonomike të Greqisë. Në bisedimet me shoqatat ekonomike dhe ministritë e tjera janë trajtuar "shumë propozime konkrete".

https://p.dw.com/p/125Ch
Philipp Rösler, Bernhard Heitzer dhe Stefan Schnorr.
Konsultime për investimet gjermane në Greqi.Fotografi: picture alliance/dpa

Vetëm pak ditë pas samitit evropian për Greqinë, ministri gjerman i Ekonomisë Philipp Rösler bëri thirrje për zhvillimin në Berlin të një konference për investimet gjermane në Greqi. Tema kryesore ishte: forcimi i aftësisë konkurruese të ekonomisë greke. Por ende nuk mund të bëhet fjalë për investime konkrete gjermane në këtë vend të BE-së. Shumë më tepër bëhet fjalë për formulimin e kërkesave të investorëve gjermanë dhe për krijimin e kushteve në këtë vend, ku eventualisht mund të investohet më vonë, tha ministri.

"Është bërë fjalë për shpresat që atje të krijohet një kulturë ekonomike që kemi këtu në Gjermani dhe që edhe Greqia të krijojë kushte të tilla", theksoi ai.

Ofertat gjermane

Rösler dhe Hildegard Müller.
Rösler dhe Hildegard Müller.Fotografi: dapd

Rösler bëri të ditur se është biseduar për mundësinë e ndihmave për krijimin e sipërmarrjeve të përbashkëta, krijimin e një banke shtetërore për mbështetjen e investimeve ose për plotësimin e dokumentave për ndihma nga programet e BE-së. Dhoma për Tregti të Jashtme është e gatshme që në Greqi të dërgojë një pjesë të personelit për të forcuar ekonominë e eksporteve. Zejtarët janë të gatshëm të dërgojnë atje personel për aftësimin e grekëve për punë në sektorë të ndryshëm. Rösler do të donte që në ministrinë e tij të rekrutojë bashkëpuntorë me përvoja nga privatizimi i sipërmarrjeve shtetërore në ish Republikën Demokratike Gjermane. Ky qëllim u kritikua menjëherë në Berlin nga e Majta, sepse ajo mendon se Gjermania ka për qëllim të përfitojë nga kriza në Greqi.

I pyetur nëse Greqia është e interesuar për kaq shumë oferta gjermane, ministri Rösler, tha se një ditë më parë ka biseduar me homologun e tij grek Michalis Chrisochoidos dhe se pas kësaj konference sërish do të bisedojë me të.

Philipp Roesler.
Rösler është i bindur se grekët duan investime.Fotografi: dapd

"Ne do të bëjmë ofertat tona, por përshtypja ime pas kësaj bisede dhe bisedave që kam pasur me kolegët e mi në disa javën e fundit është se ofertat tona do të pranoheshin me shumë dëshirë në Greqi", u shpreh ministri.

Ku mund të investohet dhe cilat janë kërkesat greke?

Si fusha të mundshme për investime ministri përmendi telekomunikimin, insfrastrukturën, shëndetësinë dhe disa lëmi të tjera. Financimi do të duhej të bëhej nga bankat private, Banka Evropiane e Investimeve dhe banka gjermane KfW, e cila edhe tani mbështet projekte të ndryshme në Greqi, në vlerë prej më shumë se 10 milionë euro. Tani po mendohet edhe për projekte të reja. Në mes të gushtit Rösleri do të shkojë në Greqi fillimisht me një delegacion më të vogël e më vonë edhe me një delegacion më të gjerë ekonomik. Problemet e Greqisë mund të krahasohen me ato të vendeve lindore në transformim, tha ai. Prandaj Rösleri ka ftuar për bisedime edhe ambasadorin polak në Berlin, i cili e ka njohur me përvojat e Polonisë në reformat ekonomike.

Autor: Bernd Gräßler/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani