1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Samiti G7: Idil alpin dhe politikë botërore

Shkëlqim alpesh, wellness dhe kuzhinë e shijshme. Me shumë madhështi dhe luks pritet samiti i G7. Të fshehur në luginën e largët të Elmaut takohen të mëdhenjtë e politikës botërore. Por kjo nuk u pëlqen të gjithëve.

Gjatë samitit G7 e tërë bota i ka sytë nga Bavaria. E thënë më saktë nga Elmau, një luginë e vogël në Werdenfelser Land në Bavari. "Pallati Elmau" është hoteli, ku mbahet konferenca e shtatë vendeve kryesore perëndimore të industrializuara dhe delegacioneve të tyre (G7). I ndodhur në këmbët e vargut malor Wetterstein "Pallati Elmau" është një nga hotelët kryesorë me pesë yje në Gjermani.

Shtatë kilometër e gjatë është kjo rrugë private, që gjarpëron nëpër pyje dhe livadhe në lulëzim në luginën e gjërë të Elmaut. Përveç blegërimës së largët të dhive dhe tingëllimit të këmborëve të tyre, nuk dëgjohet asgjë tjetër. Zogj grabitqarë fluturojnë në qiell. Nën këpucë ndjehet zhurma e guralecëve të shtigjeve malore, që kalojnë bri plevicave dhe kasolleve malore.

Një përshendetje e shkurtër me kokë dhe një "Grüß Gott", me kaq dhe kalimtari përballë zhduket përsëri. Vetëm trokitja e shkopinjve të tij, që prekin tokën, lë pas jehonën e vet.

Gazetarëve u tregohet kështjella Elmau

Gazetarëve u tregohet kështjella "Elmau"

Në këtë pejsazh alpin do të bëjnë fotografinë tradicionale kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti amerikan Barack Obama dhe homologët e tyre. Çfarë fotografie e bukur do të ishte: G 7 përpara një kasolle tradicionale në bjeshkë, në sfond një panoramë malore, që të lë pa frymë. Por nuk do të jetë kështu. Bukurinë alpine e prishin ndërtimet prej xhami të kasolles së përzgjedhur alpine "Elmauer Alm". Dhe më e keqja: Ndërtimi është i paligjshëm. Krerët e shtetit të fotografohen para një ndërtimi të paligjshëm? Nuk bën.

Gazetarët presin në rradhë

Fajin e ka Dietmar Müller-Elmau, pronari i "Schloss Elmau", të cilit i takon "Elmauer Alm". Çatinë e ka ngritur pa lejen e administratës së landit në Garmisch-Partenkirchen. Për vite të tëra kjo nuk i ka rënë në sy askujt. Po ndërhyhet vetëm tani me rastin e fotografimit: Çatia duhet zmontuar.

Müller-Elmau tregon para kamerave shtatë apartamentet identike me vështrim mbi pejsazhin mahnitës. Gazetarët presin me muaj në rradhë për intervistë. Ai i shëtit ato me krenari nëpër sallat e hotelit, që është vend takimi për intelektualë, mendimtarë të lirë, biznesmenë dhe politikanë, që duan të njohin "frymën e Elmaut". Këtu ka edhe program kulturor për mysafirët e hotelit: me muzikantë të famshëm të muzikës klasike dhe xhaz, lexime, yoga. Edhe restorantet kanë yje dhe shije të mirë.

Pronari Dietmar Müller-Elmau bën reklamë për kështjellën Elmau

Pronari Dietmar Müller-Elmau bën reklamë për kështjellën Elmau

Në Elmau gjithçka bëhet e mundur

Pronari i kështjellës duket se nuk e merr shumë seriozisht punën e lejeve të ndërtimit. Ato dhe mbrojtja e natyrës mund të harrohen një herë nga samiti. Kështu pas samitit duhet të kthehet përsëri në gjendjen e tij origjinale sheshi i betonuar ekstra për aterrimin e helikopterëve. Edhe për këtë betonim nuk është folur me zyrën e qarkut në Garmisch-Partenkirchen.

Müller-Elmau është në gjendje ta vërë në qendër "kështjellën" e tij. Edhe kontejnerët e ndërtimit, që janë pirg fare pranë kështjellës dhe që janë vënë në funksionim si qendra e shtypit, janë paketuar në stilin alpin. Samiti duket se është hapësira e përkryer për t'i bërë reklamë pronarit.

G7 është një ngjarje shumë e madhe për rajonin

"Nëse kjo pamje e hotelit luksoz përhapet në botë, atëherë vijnë mysafirë të hoteleve me pesë yje", mendon politikani lokal i të Gjelbërve, Jërg Jovy. Problemi është se jashtë Elmaut hotelet nuk mund të ofrojnë një standard kaq të lartë.

Turizmi i rajonit karakterizohet nga ekskursionizmi ditor, apo nga shfrytëzimi i imazhit të mbretit bavarez Ludwig, mendon Jovy. Keshtjellat e famshme Linderhof dhe Schachen janë fare pranë. Werdenfelser Land nuk është një rajon turistik i suksesshëm, pavarësisht potencialit të tij të madh, mendon Jovy.

Lulëzim i një rajoni të harruar turistik?

Me pejsazhin e paprekur alpin qarku Garmisch-Partenkirchen dëshiron të fitojë pikë në botë. Kryetarja e bashkisë Sigrid Meierhofer është e sigurtë. Nga dritarja e zyrës ajo vështron malin Wank në Garmisch. Për të dhe komunitetin e saj samiti i G7 është një bekim, jo vetëm për shkak të rinovimit të bashkisë. Ajo mbyll dritaren, që të mos pengohet nga zhurma e kantierit të ndërtimit dhe makinat dhe buzëqesh e kënaqur.

Ka javë të tëra, që shumica e shtretëve të vendit me më pak se 26.000 banorë janë zënë nga pjesëmarrësit e samitit, apo u janë dhënë me qira gazetarëve dhe policëve. Për shkak të situatës së jashtëzakonshme gjatë ditëve të samitit, ajo ka një këshillë për qytetarët e saj: "Të mos bëjnë panik, por të jetojnë si zakonisht - me qetësi dhe mikpritje". Shpresa e Meierhofer është që "të behemi edhe më interesantë si destinacion turistik."

Forcat e sigurisë në Elmau dhe rreth tij

Forcat e sigurisë në Elmau dhe rreth tij

Por Jërg Jovy i të Gjelbërve e sheh këtë çështje krejtësisht ndryshe. "Rrethi i Garmisch-Partenkirchen është një vend i keq për mbajtjen e samitit. E gjithë infrastruktura nuk është ndërtuar për diçka të tillë. Vendi është plot e përplot e nuk zë dot më", por ajo që e shqetëson atë më së tepërmi, është një fotografi në faqen e internetit të ministrisë së Brendshme bavareze. "Fotografia tregon luginën e Elmaut plot me makina policie. Nuk jam i sigurtë, nëse është ky imazhi, që duam të përcjellim në botë ..Që nuk mund të lëvizësh dot me nga forcat e shumta të sigurisë."