1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Samiti BE-Azi - një forum atraktiv, por pa rezultate të shumta konkrete

Në përfundim të samitit BE-Azi (5.10.) në Bruksel të 46 vendet u zotuan për ndërmarrjen e përpjekjeve të reja për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, për pakësimin e borxheve dhe rregullimin e tregut të financave.

Pamje nga samiti BE-Azi (5.10.) në Bruksel

Samiti BE-Azi në Bruksel

Në foto, Jean-Claude Junker

Jean-Claude Junker: "Monedha kineze duhet të rivlerësohet."

Zënkat për vlerën e ulët të monedhës kineze renminbi që njihet ndryshe edhe si juan ishin tema kryesore në ditën e dytë dhe të fundit të samitit në Bruksel. Bashkimi Evropian kërkoi nga Kina që urgjentisht të rivlerësojë monedhën e saj. Juani mbetet i nënvlerësuar dhe kontribuon në pabarazitë globale, tha shefi i i grupit të shteteve të euros, kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker. "Ne mendojmë që një vlerësim i qartë dhe i gjerë i renminbit do të krijonte një rritje ekonomike më të balancuar nga e cila do tëpërfitonin Kina dhe ekonomia botërore", tha ai.

Në foto, Jean-Claude Trichet

Jean-Claude Trichet: "Nuk u realizuan pritjet."

Kina kishte sqaruar në muajin qershor se monedhës së saj do t'i jap vlerën e vërtetë. "Por shikuar nga zhvillimi i kursit të vërtetë të këmbimit nuk doli e saktë ajo çfarë ne kishim shpresuar", tërhoqi vërejtjen shefi i Bankës Qendrore Evropiane, Jean-Claude Trichet.

Juani i dobët artificialisht mbron importet kineze ndërsa rëndon eksportet evropiane në Kinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënojnë Kinën me sanksione ekonomike në qoftë se nuk e vlerëson si duhet monedhën e saj. Bashkimi Evropian tani për tani vetëm paralajmëron palën kineze ndërkohë që në deklaratën përfundimtare të samitit kjo çështje nuk përmendet fare. "Pekini nuk ishte dakord për këtë", sqaron sekretari i shtetit në ministrinë e Jashtme gjermane Werner Hoyer.

Merkel: Kina duhet të trajtohet më mirë

Në foto, kancelarja gjermane Angela Merkel

Kancelarja gjermane Angela Merkel vlerëson rolin e Kinës.

Megjithatë evropianët nuk premtuan vetëm kapërcimin e krizës së tyre të borxheve. Ata janë poashtu të gatshëm që Kinës dhe vendeve të tjera me zhvillim të shpejtë ekonomik t'iu japin më shumë pushtet në organizatat globale financiare siç është Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

"Zhvillimin tonë të favorshëm ekonomik ne ia kemi borxh rritjes ekonomike aziatike. Ne kemi frenuar krizën ekonomike thelbësisht edhe në mes të Evropës dhe Azisë", tha Merkel.

Kina gjatë kohës së krizës ishte një motor zhvillimi dhe në rendin ekonomik "duhet të trajtohet më mirë", kërkoi Merkel. Për këtë vendet evropiane duan të heqin dorë nga dy ulëse në FMN. Si kompensim Merkel shpreson që "Kina do të marrë përsipër më shumë përgjegjësi".

Pamje simbolike, kriza financiare

Pamje simbolike, kriza financiare

Kancelarja këmbënguli në samit edhe për ndërmarrjen e hapave të tjerë për rregullimin e tregut global financiar. Ajo tërhoqi posaçërisht vërejtjen për mungesën e mekanizmit të sigurisë për bankat e mëdha. "Çka ndodh me bankat të cilat janë të mëdha nëse ato falimentojnë? Për këtë këtu në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës duhet të përpunohen ende rregullat", tha Merkel.

Mbrojtja e klimës në qorrsokak

Pamje nga samiti BE-Azi

Pa shumë marrëveshje konkrete.

Përfaqësuesit e 46 vendeve pjesëmarrëse në samit, në mesin e tyre 36 presidentë dhe kryeministra, nuk kanë arritur të bëjnë asnjë hap përpara sa i përket mbrojtjes së klimës. Edhe pse në deklaratën përfundimtare të samitit theksohet nevoja për "shkurtime të thella" dhe përsëritet synimi për kufizimin e ngrohjes së tokës me dy gradë, mbetet plotësisht e paqartë se si do të arrihet kjo dhe kush duhet ta bëjë atë.

Një apel i guximshëm nga samiti i është drejtuar Brimanisë si vende anëtare. Në deklaratën e miratuar edhe nga pala kineze nga junta ushtarake kërkohet që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e 7 nëntorit duhet të shfrytëzohen që të bëhet një hap drejt " një sistemi qeveritar civil, legjitim dhe konstitucional", thuhet në deklaratë.

Në foto, Herman Van Rompuy

Herman Van Rompuy i angazhuar rreth Birmanisë.

"Në praninë e ministrit të Jashtëm të Brimanisë u zhvilluan diskutime për ngjarjet e fundit dhe të ardhmen e Birmanisë. Kishte deklarata kritike por edhe propozime të mira. Dhe e gjithë kjo ndodhi në një atmosferë të hapur dhe serioze. Kjo është megjithatë mjaft e veçantë", tha presidenti i Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy i cili kryesoi debatin për Birmaninë.

Lirimi me kohë i të burgosurëve politikë si nobelistja Aung San Suu Kyi do t'i bënte zgjedhjet më transparente dhe të përgjithshme.

Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti/dpa

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM

  • Data 06.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PW5a
  • Data 06.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PW5a