1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Samit pa rezultate: Merkel - "Vendimet e rëndësishme të mërkurën"

Në samitin e BE-së në Bruksel u debatua për një paketë zgjidhjesh për stabilitetin e sistemit bankar dhe monetar në Bashkimin Evropian. Siç ishte kuptuar edhe më parë, samiti përfundoi pa rezultate konkrete.

Samiti i BE-së, kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Nicolas Sarkozy

Samiti i BE-së, kancelarja Angela Merkel dhe presidenti Nicolas Sarkozy

Disa komponentë të kësaj paketës së zgjidhjes tashmë janë të dukshme, si për shembull një falje e konsiderueshme e borxheve të Greqisë, por çështje të tjera si modalitetet e një ndihmë për bankat presin akoma për një marrëveshje të përbashkët.


Sidoqoftë gjatë bisedimeve të vështira të së dielës (23.10) në Bruksel kishte hapësirë edhe për ndjenja: sipas qarqeve diplomatike, kancelarja Federale Angela Merkel i dhuroi një Pelush-Teddy për vajzën Gulia presidentit francez Nicolas Sarkozy, i cili u bë baba ditët e fundit. Po ashtu në konferencën e përbashkët për shtyp Merkel dhe Sarkozy u munduan të tregonin harmoni mes tyre. Megjithatë vendime të forta ende nuk janë marrë. Merkel kërkoi mirëkuptim që vendmet e vërteta do të merren të mërkurën (26.10). "Ne do të kujdesemi në mënyrë që vendimet ashtu siç do të jenë, të merren të mërkurën. Kjo duhet të bëhet me shumë kujdes, kjo duhet të bëhet edhe me shumë përpikmëri në detaje dhe njëkohësisht me vendosmërinë më të madhe, sepse Euro është monedha jonë e përbashkët, është mirëqenia jonë, ajo është një pjesë integrale e Evropës dhe prandaj ne jemi shumë të vetëdishëm për përgjegjësinë tonë."

EU-Gipfel in Brüssel

Silvio Berluskoni, kryeministri italian në samitin e BE-së

Greqia do të lirohet nga borxhet

Ndërkaq është e qartë se Greqia do të lirohet nga borxhet më shumë sesa ishte parashikuar deri tani, ndoshta me më shumë se 50 përqind. Për të përballuar këto humbje disa banka do të kenë nevojë për ndihma kapitali. Kjo do të ndodhë me siguri në rast se edhe vende të mëdha si Italia do të ndodhen në vështirësi. Në shpëtimin e parë të bankave pas falimentimit të bankës Lehman në vitin 2008 çdo shtet evropian u kujdes kryesisht për bankat e vendit të tij. BE-ja dëshiron që këtë rradhë të ndodhë ndryshe, pasi garancitë që mund të ofrojnë vende të veçanta nuk janë të mjaftueshme. Bëhet fjalë për një zgjidhje evropiane. Edhe pse nuk është e qartë sesi do të jetë kjo, bankat e mëdha patjetër do të duhet që të rrisin kapitalin e tyre me më shumë se 100 miliardë Euro deri në mesin e vitit të ardhshëm. Merkeli foli për mënyrën se prej nga do të vijnë këto para. "Së pari bankat do të përpiqen vetë të gjejnë kapital. Nëse kjo nuk do të ketë sukses atëhere do të pyetet shteti përkatës, ku ndodhet banka dhe nëse vendi nuk është në gjendje ta bëjë këtë atëhere do të përdoret instrumenti i EFSF (Mekanizmi Evropian i Stabilitetit)përkundrejt kushteve që duhen plotësuar."

Rritet trysnia ndaj Italisë


Ndërkaq është rritur presioni kundrejt kryeminstrit Italian Silvio Beluskoni për të bërë më shumë për reduktimin e borxheve. Italia ka pas Greqisë sasinë më të madhe të borxheve që arrin në 129 përqind të produktit të brendshëm bruto. Kuotat duke filluar nga 90 përqind e sipër kondiserohen si kritike. Merkel, Sarkozy, por edhe presidenti i Këshillit të Evropës Herman Van Rompuy si edhe presidenti i komisionit José Manuel Barroso kanë biseduar me Berluskonin për ta bindur atë të ndryshojë mendim. Ata mendojnë se përpjekjet për konsolidim të ndërmarra nga Berluskoni nuk janë të mjaftueshme për ta hequr Italinë nga shënjestra. Berluskoni pas bisedës me Merkel-in dhe Sarkozy-në tha me ironi se ai në jetën e tij nuk ka "ngelur" asnjëherë në provim.

EU Gipfel Nicolas Sarkozi

Nicolas Sarkozy

Samiti nën hijen e protestave të lëvizjes "Occupy"

Takimi i nivelit të lartë te Brukselit nuk u shoqërua me protesta të shumta nga ana e protestuesve të lëvizjes "Occupy". Vetëm një numër i vogël prej tyre arritën të kapërcenin rrethimin e madh që i ishte bërë ndërtesës së këshillit. Megjithatë kryetarët e shteteve dhe qeverive janë të ndërgjegjshëm për qëndresën dhe kundërshtitë ndaj masave për kursime, sidomos në vendet e dobëta siç janë Greqia, Portugalia dhe Spanja. Sarkozy la të kuptojë se sa të vështirë e ka ai rolin e mësuesit: "Zonja Merkel është përgjegjëse për Gjermaninë, ashtu siç jam unë për Francën. Ne ndodhemi këtu përpara përgjegjësisë që të marrim vendime për vende, ku ne nuk jemi të zgjedhur. Ndaj kudhso duhet ta kuptojë, që kjo bart edhe probleme demokratike. Në këto vende ka shumë vujatje dhe probleme sociale. Mandati ynë nuk është që t'i administrojmë këto vende, por ne po e ndërmarrim këtë përpjekje.“

Autor: Christoph Hasselbach / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM