1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Samaras në strofullën e luanit bavarez

Kristiansocialët bavarezë (CSU) kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur daljen e Greqisë nga eurozona. Por tani askush nuk flet për këtë. Në Mynih u zhvillua një takim pajtimi mes kryeministrit bavarez dhe atij grek.

Horst Seehofer dhe Antonis Samaras

Horst Seehofer dhe Antonis Samaras

As reshjet e dendura të dëborës nuk arritën të pengonin takimin mes kryeministrit të Bavarisë, Horst Seehofer dhe homologut të tij grek, Antonis Samaras. Në fund të fundit bëhej fjalë për zhdukjen e irritimeve mes dy vendeve. Politikanë të lartë të Unionit Kristiansocial (CSU) bavarez, jo shumë kohë më parë, me tone gjithnjë e më të forta, vinin në pikëpyetje ndihmat për Greqinë dhe kërkonin daljen e saj nga eurozona.

"Në të njëjtën gjatësi vale"

Por të Dielën në mbrëmje në rezidencën luksoze Prinz-Carl-Palais në rrugën Franz-Josef-Strauß, nuk ndjehej asgjë nga ky konflikt. Siç u bë e ditur nga qarqet e delegacionit grek, Horst Seehofer u tregua shumë mirëkuptues dhe bashkëpunues. Para gazetarëve Seehofer shprehu pas takimit "respektin më të madh" për përpjekjet e Greqisë për reforma si dhe për vendosmërinë e qeverisë greke për të vazhduar rrugën e reformave.

I pyetur për sulmet kundër Greqisë nga radhët e veta, Seehofer vërejti se "tani nuk janë të rëndësishme fjalët por veprat" dhe në këtë drejtim "të dy palët janë në të njëjtën gjatësi vale". Kjo do të thotë para së gjithash se Greqia duhet të rikthehet në shtegun e rritjes ekonomike dhe të fitojë aftësi konkurruese. Për këtë Bavaria dëshëron të kontribuojë. Brenda gjashtë muajsh Seehofer do të shkojë në Greqi i shoqëruar nga ministrat bavarezë, përfaqësues të dhomës së tregtisë dhe ekonomisë por edhe me përfaqësues të rajoneve dhe komunave, për të përcaktuar atje projekte konkrete bashkëpunimi.

Samaras le gjurmën e tij në Mynih duke nënshkruar librin e vizitorëve

Samaras le gjurmën e tij në Mynih duke nënshkruar librin e vizitorëve

Në këmbim kryeministri grek premtoi të vijë sërish në Mynih në festën e birrës vitin e ardhshëm. Samaras shprehu falenderime për ofertën e bashkëpunimit të Greqisë me Bavarinë, i cili siç u shpreh kryeministri grek "është një nga rajonet më të zhvilluara të Evropës". Në mënyrë indirekte Samaras kritikoi deklaratat e mëparshme nga radhët e CSU-së për daljen e mundshme të Greqisë nga eurozona dhe kthimin e vendit tek monedha e dikurshme, dhramia.

Samaras shprehu pikëpamjen se 50 për qind e ekonomisë është psikologji. Në mënyrë që grekët të kenë sërish shpresë duhet t'u hiqet frika që vendi mund të rikthehet tek dhramia. Gjithashtu duhet përcjellë siguria se vendi është i vendosur të jetë një anëtar i barabartë me të tjerët në eurozonë. Atëherë edhe investuesit e huaj dhe vendas do të kenë guxim të investojnë në Greqi.

Arsyet për ndryshimin në qëndrimin bavarez

Para takimit me kryeministrin grek, Seehofer kishte zhvilluar një telefonatë me kancelaren Merkel. Siç bëri të ditur ai takimi me Samaras u zhvillua "në koordinim të plotë përmbajtësor me kancelaren". Pikërisht në këtë deklaratë gjendet çelësi për përfundimin e papritur të retorikës antigreke të CSU-së.

Nga vendimi i Merkelit për të mbështetur në mënyrë ofensive Greqinë dhe qendrimin e saj në eurozonë u ndikua edhe CSU. Perspektiva e një zënke me partinë simotër CDU deri në zgjedhjet në Bavari dhe Federatë, të cilat zhvillohen të dyja në shtator 2013, nuk ishte shumë tërheqëse për kristiansocialët. Në fund të fundit CSU synon të marrë në Bavari përsëri shumicën absolute dhe në rang federate të marrë aq shumë vota së bashku me CDU-në, sa të jetë i pamundur krijimi i një qeverie pa këto dy parti.

Deri tani nuk është parë me vëmendje fakti që CSU nuk ka vepruar në unitet në çështjen e Greqisë. Europarlamentarët nga kjo parti dhe shumë deputetë në parlamentin federal nuk e shihnin aspak me sy të mirë kritikën ndaj grekëve. Veç kësaj në Gjermani nuk mund të fitohet asnjë fushatë elektorale me pozicione kritike ndaj BE-së apo euros.