1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sali Berisha: Prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme janë Shqipëria europiane dhe reformat, reformat, reformat...

Intervistë me Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha, i cili flet për ecurinë e zgjedhjeve, numërimin e votave dhe ankesat e opozitës si dhe prioritetet kryesore të qeverisë së ardhshme.

default

Sali Berisha: Populli votoi koalicionin tim e jo atë të kundërshtarit

DW: Zoti Berisha, Komisioni Europian propozoi më 15 korrik, që strukturat përkatëse të BE-së, të nisin procedurat për heqjen e vizave të udhëtimit drejt vendeve të hapsirës së Shengenit për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Shqipëria nuk u përfshi në këtë grup. Si e komentoni ketë vendim të Brukselit?


Berisha: Përshëndes vendimin e KE-së. Ai përbën një zhvillim shumë pozitiv jo vetëm për qytetarët e atyre vendeve por për të gjithë rajonin i cili është i bashkuar në perspektivën e tij europiane. Sa për Shqipërinë është fakt i pamohueshëm që në disa drejtime kemi vonesa si në pasaportat biometrike dhe në plotësimin e ndonjë kushti tjetër. Këto kërkesa nuk janë penalizuese, as diskriminuese. Përkundrazi i kërkohet arritja e disa standardeve për Shqipërinë. Tani po përpiqemi të pajisim qytetarët e Shqipërisë me pasaporta biometrike. Nëse më pyet: A prisja që Shqpëria të përfshihej në listën e parë krahas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë? Do të përgjigjem jo - nuk e prisja. Kjo sepse jemi ende me proces zgjedhor të papërfunduar dhe me ende nuk ka përfunduar pajisja me pasaporta biometrike. Prandaj e konsideroj një vendim pozitiv atë të KE-së, të Komisionerit Olli Rehn dhe të Zv.Presidentit të këtij Komisioni Jacques Barrot. Pra, nuk mund të them që Shqipëria është diskriminuar qëllimisht. Jo. Të tjerat vendet prej vitesh kanë një sistem identifikimi shumë më të mirë se Shqipëria, e cila po e zhvillon tani. Shoh një qëndrim objektiv të KE-së dhe më mbetet të punojë për të plotësuar të gjitha kërkesat për lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë është një zhvillim i jashtëzakonshëm me ndikim real, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë, për këto pjesë të Ballkanit, ku vizat liberalizohen dhe është e domosdoshme të bëhet mbi bazën e standardeve të sigurisë më të lartë.


DW: Le të kthehemi në çështjen e ditës në Shqipëri: përfundimin e procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjen e rezultatit zyrtar përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Pse po vonon ky proces?


Berisha: Në historikun e zgjedhjeve, këto janë zgjedhje që ankesat janë shqyrtuar në kohë rekord, po kështu edhe nxjerrja e rezultatit paraparak. Këto janë zgjedhje, që pavarësisht nga zhurma që bëhet, numri i ankesave është 20 herë më i vogël se në zgjedhjet e mëparshme. Nga 400 ankesa që ka pasur në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës, ka vetëm 20-25 ankesa. Këto flasin shumë. Kam dëgjuar që ka patur vërejtje për procesin e numërimit, por ky është numërimi më transparent që është bërë ndonjëherë, numërimi me kamera. Çdo çështje e ngritur në qendrat e numërimit të votave mund të verifikohet sepse është e filmuar. Po kështu subjektivizmin mund ta masim shumë kollaj përmes procesverbaleve.


DW: Në raportet paraprake të OSBE/ODIHR-it për procesin zgjedhor dhe të numërimit të votave klima e theksuar e mosbesimit mes palëve shihet si një mangësi që dëmtoi procesin zgjedhor sidomos atë të numërimit. Ku i shihni mundësitë që kjo klimë të ndryshojë për mirë?


Berisha: Ligji dhe zbatimi i ligjit. Rruga më shkëlqyer e një procesi është zbatimi i ligjit. Kundërshtari im politik nuk e pranon humbjen. Por ja që populli nuk ia dha atij fitoren, votoi koalicionin tim, që doli me 4- 5 deputetë më shumë.

Berisha.jpg

Ligji është më i rëndësishmi


DW: Zoti Berisha, ndërkohë që priten rezultatet përfundimtare, ndërkohë që Kolegji Zgjedhor do të pranojë ose hedhë poshtë kërkesat e PS-së dhe të PD-së për të ndryshuar rezultatet e deritanishme të shpallura nga KQZ-ja, ju po projektoni qeverinë e re Berisha - Meta. Cilat janë prioritetet e saj?


Berisha: Shqipëria europiane. Një tërësi reformash të gjithanshme, që e afrojnë Shqipërinë me vendet e BE-së. Ky është projekti më ambicioz që kemi paraqitur ndonjëherë, por tërësisht i realizueshëm. Rruga e realizimit janë reformat, reformat dhe përsëri reformat. Shqipëria ka nevojë për reformat, si zogu për ajrin për të fluturuar. Ato nisin që tek zgjerimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve shqiptarë, konsolidimit të institucioneve, pavarësisë së sistemit gjyqësor, rinovimit të plotë të infrastrukturës, zgjerimit të lirisë së tregut, zhvilimit të qëndrueshëm rural, shoqërisë dixhitale etj.

Deutschland Albanien Ministerpräsident Sali Berisha bei Angela Merkel in Berlin

Kancelarja Merkel dhe Berisha: Marrëdhëniet me Gjermaninë janë të shkëlqyera


DW: Kthehemi tek projekti madhor i qeverisë së re Berisha - Meta, Shqipëria europiane. Gjermania deri më sot ka qenë një nga mbështetëset më të forta të integrimit europian të Shqipërisë. Si do t'a përshkruanit praninë gjermane në progresin e deritanishëm të projektit europian të Shqipërisë?


Berisha: Marrëdhëniet me Gjermaninë janë të shkëlqyera. Ndihma që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë është më e madhja për frymë të popullsisë, është një ndihmë prej 860 milionë eurosh. Por kjo ndihmë është konvertuar në qindra projekte me efikasitet të plotë, që përfshijnë të gjitha fushat me rëndësi për jetën e përditshme të shqiptarëve: ujrat e zeza, furnizimin me ujë, energji, bujqësinë, ndërtimin e rrugëve, kulturën, arsimin, policinë, ushtrinë. Nuk ka asnjë fushë të jetës ku Gjermania të mos ketë adresuar ndihmën e saj. Nëse ka një vend ku ndihma gjermane është histori e vërtetë suksesi kjo është Shqipëria. Në këto 4 vjet marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë do të njohin zhvillime të mëtejshme.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 18.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Is2q
  • Data 18.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Is2q