1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Saleh i gatshëm të largohet nga pushteti - SHBA mbështesin propozimin e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik

24 Prill 2011

Presidenti i Jemenit Saleh do të heq dorë nga pushteti. Për këtë atij i garantohet imunitet nga ndjekja penale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përshendetën hapin e ndërmarrë nga Salehu.

https://p.dw.com/p/1138r
Në foto, Ali Abdullah Saleh
Në foto, Ali Abdullah SalehFotografi: AP

Palët pranojnë në parim propozimin e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik

Pamje nga protestat në Jemen
Pamje nga protestat në JemenFotografi: picture alliance / dpa

Pas disa javë trazirash, presidenti i Jemenit Ali Abdullah Saleh pranoi në parim që të heqë dorë nga pushteti. Siç njoftoi kanali televiziv amerikan CNN edhe opozita e pranoi në parim propozimin e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik. Sipas tij Salehut dhe të gjithë atyre që i shërbyen regjimit të tij iu garantohet liria nga ndjekja penale. Megjithatë Saleh nuk e ka nënshkruar ende marrëveshjen e cila parasheh dorëheqjen e tij në një afat brenda 30 ditësh, thuhet në qarqet e larta të ministrisë së Jashtme të Jemenit.

Pushteti fillimisht duhet t'i kalojë zëvendëspresidentit Abed Rabbo Mansur Hadi. Siç njofton kanali televiziv arab i lajmeve Al Xhazira zgjedhja e një presidenti të ri duhet të pasojë pastaj brenda 60 ditësh. Plani parasheh po ashtu krijimin e një qeveria të unitetit kombëtar.

Zëdhënësi i ambasadës së Jemenit në Uashington i deklaroi CNN-it se opozita duhet të pranojë marrëveshjen përfundimtare para se Salehu ta ketë nënshkruar atë. Kundërshtarët e regjimit e kanë përsëritur shumë herë qëndrimin e tyre se e përjashtojnë mundësinë e imunitetit nga ndjekja penale për Salehun dhe familjen e tij.

Opozita kërkon dorëheqjen e menjëhershme të presidentit Saleh

Një grua proteston kundër Salehut
Një grua në Sanaa proteston kundër SalehutFotografi: dapd

Protestat kundër presidentit po zgjasin më tepër se dy muaj. Mbi 100 njerëz janë vrarë deri tani nga forca e sigurisë dhe ithtarët e Salehut, disa mijëra të tjerë janë plagosur.

Opozita kërkon dorëheqjen e menjëhershme të presidentit i cili sundon në Jemen tash e 32 vjet. Ajo kritikon një pikë të paraparë në planin e Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik sipas të cilës parlamenti i vendit duhet të miratojë dorëheqjen e presidentit Saleh. Parlamenti në Sanaa domonihet nga miqët e partisë së Salehut. Zëdhënësi i Lëvizjes së Rinisë opozitare, Chaled al Ansi e hodhi poshtë propozimin e Këshillit: "Ne refuzojmë çdo inciativë e cila nuk parasheh dorëheqjen e menjëhershme të Salehut, djemve dhe të afërmve të tij", tha al Ansi.

Saleh kishte deklaruar së fundi se dëshiron të qëndrojë në pushtet deri në zgjedhjet e ardhëshme të rregullta të parapara për vitin 2013. Me kalimin e kohës ai shprehu gatishmërinë edhe për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme deri në fund të këtij viti.

SHBA angazhohen për një ndryshim paqësor të pushtetit në Jemen

Shtëpia e Bardhë në Uashington
Shtëpia e Bardhë në UashingtonFotografi: picture-alliance/Ron Sachs - via CNP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshendeten paralajmërimin për dorëheqje të Salehut. Uashingtoni e mbështet një ndryshim paqësor të pushtetit i cili i përgjigjet përpjekjeve të popullit, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës çmojnë lart gatishmërinë e palëve për tejkalimin paqësor të krizës politike, sqaroi Shtëpia e Bardhë. "Ne inkurajojmë të gjitha palët që të përmbushin shpejt kushtet e marrëveshjes në mënyrë që populli i Jemenit shumë shpejt të mund të përjetojë sigurinë, unitetin dhe mirëqenien për të cilat është përpjekur me aq trimëri dhe i meriton aq shumë."

Autor: Esat Ahmeti (dapd, dpa)

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi