1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Sa të sigurta janë stadiumet e Shqipërisë?

Skandali i ndërprerjes së energjisë elektrike në afër 1 orë e 20 minuta në ndeshjen e së mërkurës së kaluar në Tiranë mes Realit të Madridit dhe Gramozit të Ersekës ringjall debatin mbi sigurinë në stadiumet shqiptare.

Hyrja kryesore e stadiumit kombëtar Qemal Stafa në Tiranë

Hyrja kryesore e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" në Tiranë

Për ekspertët nuk plotësohen stadardet që kërkon UEFA dhe FIFA për zhvillimin e ndeshjeve. Ato nuk kanë të bëjnë jo vetëm me probleme organizative por dhe me mangësi në infrastrukturën bazë. Të tilla janë mungesa e portave të emergjencës për shikuesit, mungesa e kamerave të sigurisë në të gjitha ambjentet e stadiumit, ambjentet e veçanta për median, për njerëzit me aftësi të kuafizuara etj. Përmirësimi i kushteve do të afrojë dhe më shumë sportdashës në shkallët e stadiumeve e fushave sportive.

Fatmir Mneri, kryeredaktor i Sport Ekspres

Fatmir Mneri, kryeredaktor i "Sport Ekspres"

Fatmir Mneri kryeredaktori i të përditshmes “Sport Ekspres” është një njohës i mirë i infrastrukturës së stadiumet në Shqipëri. Si radiokronist i ndjeshjeve te futbollit qysh nga viti 1977 ai i ka vizituar rregullisht ato. Duke u përqëndruar tek stadiumet në Tiranë, Shkodër e Vlorë, ku lejohen të luhen ndeshjet ndërkombëtare, ai thotë për DW, se ato kanë mangësi serioze në plotësimin e standardeve. Për Fatmir Mnerin, UEFA dhe FIFA për hir të politikës për zgjerimin e gjeografisë së të luajturit futboll kanë bërë lëshime të vazhdueshme për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në Shqipëri. Kjo tolerancë e tyre nuk është shfrytëzuar për t'i përmirësuar e plotësuar standardet hap pas hapi, por gjërat janë lënë ende sot pa zgjidhje. Mneri u referohet p.sh., kushteve aktuale që ofron stadiumi kryesor i Shqipërisë, ku para pak ditëve ndodhi skandali i ndëprerjes së energjisë elektrike gjatë ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Gramozit të Ersekës.

“Në stadiumin “Qemal Stafa” në të gjithë tribunën përballë mungojnë portat e emergjencës, që në raste zjarri, defektesh elektrike etj., të ketë largim të menjëhershëm të spektatorit. Ne kemi realizuar vetëm kushtin e ndenjëseve të këtij stadiumi, pasi në ndeshje ndërkombëtare duhet të ketë vende për t'u ulur për të gjithë. Por mungojnë kamerat e vëzhgimit, vendet e veçanta për median, zona miks, vende të posaçme për paraplegjikët, vende të veçanta për personat VIP etj. Janë një sërë faktorësh që duhen detyrimisht kryer për të pasur një ndeshje ndërkombëtare të standardit që kërkon UEFA dhe sidomos Kupa e Kampionëve”.

Mneri kujton dhe raste kur nga tifozët janë hedhur sende të forta në fushë, për shkak të të cilave janë vendosur gjoba nga komisionet ndërkombëtare të disiplinës. Ndaj duhen instaluar kamerat vëzhguese në të gjithë ambjentet e stadiumit, thotë ai. “Kushtet duhen përmirësuar jo vetëm për kalendarin ndërkombëtar, por dhe atë kombëtar, për aktivitetet e superligës, të kategorisë së parë, kupat dhe trofetë e ndryshme. Plotësimi i standarteve afron dhe më shumë njerëz në shkallët e stadiumeve e fushave sportive”, thotë Mneri për DW.

Flutlicht Tirana

Gëzimi si një ndjekës i hershëm i ndeshjeve të futbollit, thotë se i ka rralluar vajtjet në stadium: “S'të bëhet të shkosh në stadium. Ku ka siguri në stadium. Ti e sheh, ekipi mysafir ikën nga stadiumi me autobuzin e ekipit vendas…. Për të qënë i sigurtë që të dalë jashtë. E ku është siguria aty!”.

Ndërkohë që Asllani, një fans tjetër i futbollit, e shikon prezencën e tij në shkallët e stadiumit në një këndvështrim tjetër: “Mungojnë shumë gjëra, derisa sa arrihet aty ku ikin dritat, apo nuk ka ujë. Mungojnë kushtet elementare. Për një vend që kërkon të hyjë në Europë me ato kushte që janë në stadiume është një çikë e vështirë…”

Shpetim Markolaj

Shpetim Markolaj

Shpëtim Markolaj, trajner atletike, kryen aktualisht seanca stërvitore në mjediset e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë. Ai i ka nisur ato qysh kur ka qënë vetë atlet nga viti 1957. Markolaj thotë për DW se një shkak tjetër i mungesës së sigurisë për zhvillimin normal të aktiviteteve në stadium është prezenca e aktivitetit të biznesit përreth mjediseve të tij.

“Bizneset e kanë prishur stadiumin. Duke filluar që nga qendra e tribunës që është kafe. Ajo nuk është për kafe. Vidhet drita, hapen çezmat, futen tubat. Pra secili merr drita e ujë për qejf të vet, secili vë pompën dhe gjeneratorin për qejf të vet. Gjithë bizneset e kanë prishur këtë.”

Bizneset që kanë aktivitet në mjediset rreth stadiumit duhet që të zbatojnë rregullat dhe kontratat, në të kundërt avaria e rëndë që ndodhi gjatë ndeshjes së fundit me Realin e Madridit do të përsëritet qoftë dhe në forma të tjera, thotë ai.

“Ajo që ndodhi të mërkurën e kaluar në stadiumin kryesor të Shqipërisë nuk ka lidhje vetëm me zgjidhjen e problemit të furnizimit pandërprerë me energji elektrike. Por plotësimin e të gjitha standardeve bazë në stadiumet e Shqipërisë”, përsërit për DW-në Fatmir Mneri, kryeredaktor i të përditshmes “Sport Ekspres” në Tiranë.

Autor: Arben Muka
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 24.01.2010
  • Fjalët kyç muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LfhU
  • Data 24.01.2010
  • Fjalët kyç muka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LfhU