1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sa të mbrojtur janë gazetarët në Shqipëri?

Një vendim i komisionit hetimor parlamentar për të hetuar mbi tabulatet telefonike të disa gazetarëve në lidhje më demonstratën antiqeveritare të 21 janarit shkaktoi reagime të forta brenda dhe jashtë Shqipërisë.

default

Tirana

Komisioni hetimor parlamentar që po heton rolin e institucioneve publike dhe kushtetuese gjatë demonstratës së 21 janarit u gjend përballë kritikave të forta kur nxorri vendimin për kontrollin e tabulateve telefonike dhe të 4 gazetarëe që njihen si kritikë nga qeverisë. Komisioni u tërhoq nga ky vendim në një qëndrim reflektues, por rasti po shoqërohet me dsikutime që kanë të bëjnë me mbrojtjen e burimeve të gazetarëve kur ata janë duke kryer detyrën. A mund të kontrollohet aktiviteti i tij kur ai mbulon një ngjarje, qoftë kjo dhe me zhvillime të dhunshme dhe me të vdekur siç ishte demonstrata antiqeveritare e 21 janarit.

Roland Qafoku

Drejtori i Informacionit në Televizionin “Ora News”, Roland Qafoku

Avokati Bashkim Çami, me një eksperiencë gati 30 vjeçare si jurist ka ndjekur disa çështje gjyqësore ku protagonistë kanë qënë gazetarët. Ai e shikon problemin e mbrojtjes së burimeve të informacionit nga ana e gazetarit dhe vënien e tij në përgjim nga organet e prokurorisë në dy aspekte që i konsideron thelbësore. Sipas av. Çami një gazetar është i mbrojtur nga ligji dhe kushtetuta si cilido shtetas i republikës që nuk mund të vihet nën përgjim të bisedave telefonike pa patur një vendim të organeve kompetente që parashikon çdo situatë të mundshme. "Konkretisht nëse do të ketë një procesim të caktuar penal do t`i jepet mundësia organit të akuzës që të nxjerrë një vendim gjykate për tu përgjuar. Në të kundërt përgjimet ndaj tij janë të kundërligjshme dhe janë antikushtetuese”.

Av. Bashkim Çami, thotë se sa i takon natyrës së profesionit që ushtron një gazetar, që punon vazhdimisht me informacionin, ai ruan dhe burimet se nga e merr këtë lëndë informative, të cilën e publikon në interes të publikut. Por mbrojtja e burimeve si dhe në tërësi ushtrimi në mënyrë të lirë dhe të pavarur të detyrës kërkon dhe hartimin dhe miratimin e një ligji të veçantë për gazetarët, thotë avokati për DW-në. “Në të gjithë botën ka ligj të veçantë me të cilin rregullohet aktiviteti i gazetarisë dhe gazetarëve, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore. Dhë një nga të drejtat do të jetë dhe mbrojtja e tyre nga këto lloj veprimesh që mund të jenë arbitrare në veprimtaeinë e përditshme të tyre”.

Avokati Bashkim Çami

Avokati Bashkim Çami

Drejtori i Informacionit në Televizionin “Ora News”, Roland Qafoku, për një kohë të gjatë ka punuar si reporter dhe investigues për kronikën e zezë. Ai thotë për DW-në se niveli i profesionalizmit të një gazetari lidhet direkt me nivelin e besueshmërisë së burimeve të infromacionit që ai përdor për të shkruar lajmin, ose materialin problemor. Ai vlerëson si pozitiv faktin që komisioni hetimor parlamentar u tërhoq nga verifkimi i tabulateve të telefonëve të katër gazetarëve.

“Ka patur raste kur me vendim gjykate është kërkuar burimi i informacionit dhe vetëm atëhere sipas ligjit gazetari i tregon ato. Gazetari nuk është privuar nga hetimet, që nuk kanë të bëjnë me gazetarinë. Por mendoni se kërkimi i tabulateve të këtyre gazetarëve nuk kishte lidhje me gazetarinë? Kjo është një pyetje shumë naive. Unë mendoj se aspekti juridik është po aq kaotik për gazetarët sa është gazetaria vetë në këto momente. Komuniteti i medias është kaotik në mënyrën e organizmit dhe të mbrojtjes së të drejtave të veta. Ne na mungojnë aleancat. Gazetarët kanë prirje të bëjnë aleanca me politikanët dhe përfaqësues të institucioneve të shtetit, se sa të bëjnë aleancë me njeri – tjetrin”.

Roland Qafoku, shprehet se krahas një ligji për median duhet që të bëhet fuqizimi i organizatave ose sindikatave me përfaqësues të medias. “Konfigurimi i tyre në favor të funksionalitetit dhe jo formalitetit do të thotë më shumë liri të fjalës, më shumë profesionalizëm dhe mbrojtje të të drejtave që kanë gazetarët në një shoqëri demokratike”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 07.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10CNL
  • Data 07.02.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10CNL