1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sa të gatshme janë forcat afgane për përgjegjësi?

Në vitin 2014 trupat e NATO-s do të largohen nga Afganistani. Më pas marshimin e talibanëve duhet ta ndalin vetë forcat afgane të sigurisë. Por ekspertët janë skeptikë për suksesin e tyre.

Policë gjermanë në Afganistan duke mësuar rekrutët afganë

Policë gjermanë në Afganistan duke mësuar rekrutët afganë

"Unë mbetem optimist". Kështu u shpreh Carsten Jacobson, gjeneral brigade i Bundeswehrit dhe zëdhënës i trupës ndërkombëtare në Afganistan. Rekrutimi dhe trajnimi i trupave afgane të sigurisë po vazhdon me sukses, kapaciteti i paraparë prej 157.000 policësh dhe 195.000 ushtarësh gati është plotësuar, dhe rreth gjysma e popullsisë jeton ndërkohë në zonat, të cilat ndodhen nën përgjegjësinë e forcave afgane të sigurisë. "Forcat afgane të sigurisë kanë treguar ndërkohë që janë që tani në gjendje të zgjidhin një numër të madh detyrash." thotë Jacobson. "Kështu siç paraqitet gjendja, ato do të jenë në gjendje të marrin përsipër përgjegjësinë për të gjithë vendin në vitin 2014."

Talibanët të forcuar

Megjithatë është vështirë të gjesh ndonjë vëzhgues që ndan këtë qëndrim kaq optimist të Jacobsonit. Gjendja në Afganistan konsiderohet gjithnjë e më e pakontrollueshme. "Ndikimi i talibanëve është zgjeruar këto katër apo pesë vitet e fundit", thotë Candace Rondeaux, analiste e institutit "International Crisis Group" në kryeqytetin Kabul. Revista e njohur gjermane "Der Spiegel" e vlerësoi gjendjen në Afganistan në fillim të Prillit: "Misioni ka dështuar, tanië bëhet fjalë vetëm që të nxirren njerëzit dhe aparatet pa humbje nga ky vend".

Kalim përgjegjësie tek afganët

Kalim përgjegjësie tek afganët

Madje vetë personat përgjegjës shprehin dyshime. Lidhur me pyetjen se sa njësi afgane veprojnë në mënyrë të pavarur, zëvendëkomandanti i trupave afgane gjenerali Curtis Scaparroti u përgjigj: "Ndoshta 1%." Shumica e ushtarëve dhe policëve nuk qëndrojnë shumë kohë për të zhvilluar aftësitë e tyre. Gati një çereku deri tek një e treta e forcave të ushtarëve largohet pas një viti nga shërbimi; Ndryshe nga ushtritë e tjera, afganët nuk kanë detyrimin e shërbimit.

Vdekja nga shokët

Kjo bën që të rritet edhe më tej trysnia për rekrutim trupash. Aktualisht trajnohen në Afganistan nga 5.000 deri në 8.000 vetë në muaj, me qëllim që të arrihen shifrat e dhëna për forcat e sigurisë. Shumë pak rekrutë mbajnë shënime gjatë trajnimit, apo lexojnë, dhe në një vend me 70% analfabetizëm kjo i përket së përditshmes.

Rekrutimi i shpejtë sjell probleme. Kjo duket në vrasjet e herëpashershme të ushtarëve të ISAF-it nga kolegët e tyre afganë. Vetëm nga fillimi i janarit vdiqën, sipas të dhënave të ISAF-it rreth 17 vetë nga sulme të tilla. Gjeneralbrigade Carsten Jacobson ,shpjegon se pas hetimit të rasteve, ku ende disa janë nën hetim, nuk mund të thuhet se ka një minim të forcave afgane të sigurisë nga talibanët. "Shumica e rasteve kanë pasur një arsye personale," thotë Jacobson.

Imazhi i policisë afgane

Thomas Ruttig nga Rrjeti i Analistëve për Afganistanin në Kabul, thotë se policia afgane nuk gëzon ndonjë emër shumë të mirë. "Policia kombëtare është e përbërë në masë të madhe nga milicë të kohës së luftës qytetare, të cilët shkojnë të blejnë me kallashnikov dhe janë të korruptuar." Sipas Ruttig, në poste të larta të policisë ndodhen disa nga shkelësit më të rëndë të të drejtave të njeriut që nga koha para talibanëve.

Kalim përgjegjësie tek afganët

Kalim përgjegjësie tek afganët

Por edhe rivalitetet brenda ushtrisë afganë janë një problem më vete. Kështu shumë pak pashtunë, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë afgane, shkojnë të shërbejnë në ushtri, sepse shumica e zonave të tyre janë nën dominimin taliban. "Shumica e ushtarëve të ushtrisë kombëtare i përkasin pakicave dhe nuk flasin gjuhën pashtu", thotë Shukria Dellawar nga "Qendra për Politikën Ndërkombëtare" në Uashington. Prandaj është shumë e vështirë të fitohet besimi në Jugun dhe Lindjen e vendit të trazura nga lufta, thotë ajo. "Ushtarët afganë shihen nga shumë vetë si marioneta të qeverive perëndimore".

Dellawar kritikon fokusimin tek çështjet ushtarake. Ajo shpreson për një zgjidhje politike përmes negociatave të Shteteve të Bashkuara me talibanët. Nëse ato dështojnë është shumë e vështirë të kemi një Afganistan të stabilizuar, mendon ajo.

Autor: Dennis Stute/Lindita Arapi

Redaktoi: Aida Cama