1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sa reale është mundësia e izolimit të Izraelit?

Vendimi i Izraelit për ndërtimin e ngulimeve të reja hebreje i ra fuqishëm në kokë SHBA-së. Por tani ka shenja afrimi, pas një telefonate të gjatë që zëvendëspresidenti Biden pati me kryeministrin Netanjahu.

Lista e kritikëve është e gjatë dhe e shquar. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon dhe e ngarkuara me politikën e jashtme të BE-së Catherine Ashton nuk ishin të vetmit që përdorën fjalë të ashpra kundër projektit për ndërtimin e banesave të reja në Jeruzalemin lindor dhe e dënuan atë si "ilegal". Bile politikanë të lartë perëndimor të cilët në botën arabe deri tani janë parë më shumë si "pro-izraelit" kësaj radhe ushtruan kritikë të qartë. Kancelarja gjermane Angela Merkel foli për një "goditje të rëndë prapësuese". Dhe sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton shprehu aq troç moskënaqësinë e saj sa disa vëzhgues filluan të flasin për një krizë serioze në marrëdhëniet në mes të dy vendeve.

Vet simbolika ishte karakteristike: Zëvendspresidenti amerikan e ndjeu veten me të drejtë të mashtruar për shkak se njoftimi për ndërtimin e ngulimeve të reja hebreje u dha pikërisht në kohën kur ai po qëndronte në një mision paqeje në rajon. Dhe pasi që palestinezët në shenjë proteste kundër planeve izraelite refuzuan negociatat e planifikuara indirekte, Uashingtoni në mënyrë demonstrative e shtyu një vizitë të planifikuar të negociatorit amerikan për Lindjen e Mesme George Mitchell. Por dallohej qartë se ky hap i administratës Obama ishte sinjal proteste në adresë të Izraelit e jo të palestinezëve.

Megjithatë është shumë vështirë që kjo krizë të trondis apo të sjellë ndonjë ndryshim rrënjësor në politikën amerikane ndaj Lindjes së Mesme. Të dyja vendet varen shumë nga njëra-tjetra. Ato ndiejnë një kërcënim të ngjashëm nga terrori dhe islamizmi radikal. Dhe në botëkuptimin kulturor ekzistojnë mentalitete shumë të afërta dhe një solidaritet i theksuar emocional. Hillary Clinton tashmë e ka sqaruar se në asnjë mënyrë nuk dëshiron të vë në pikëpyetje "lidhjen e ngushtë, të palëkundur" mes amerikanëve dhe izraelitëve. Dhe po ashtu solidariteti i kancelares gjermane Angela Merkel me shtetin e Izraelit me siguri që nuk duhet të vihet në dyshim. Ky solidaritet duke u nisur edhe nga arsyet historike tashmë është pjesë e logjikës gjermane të shtetit.

Megjithatë është në interesin e vet Izraelit që të ketë më shumë kujdes që të mos izolohet nga bashkësia ndërkombëtare. Ai ka nevojë për mbështetjen e plotë të partnerëve të tij për të arritur një kompromis historik në mënyrë që të krijohet një mjedis me siguri të qëndrueshme afatgjate. Për këtë sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të rifillojnë bisedimet paqësore. Dhe për këtë nuk duhet që të tjerët të vihen para fakteve të kryera të cilat që tani vështirësojnë perspektivat e mundshme për pajtim. Tërheqja e parakohshme e kufijve dhe vazhdimi i ndërtimeve të ngulimeve të reja hebreje nuk janë shumë kontestuese vetëm me të drejtën ndërkombëtare. Po të mirret parasysh mungesa e perspektivës jetësore dhe lulëzimi i ekstermizmit tek pala palestineze ato premtojnë vetëm një siguri të rreme. Një siguri të qëndrueshme Izraeli mund ta arrijë për qytetarët e saj vetëm nëse përkrah saj krijohet një shtet palestinez i aftë për ekzistencë.

Kjo do të ishte mjaft e vështirë edhe pa politikën e ngulimeve hebreje, sepse për mungesën e perspektivës paqësore nuk mund të fajësohet vetëm qeveria izraelite. Edhe palës palestineze i mungon gatishmëria për kompromis. Grupimet e pranishme në Ramallah dhe Rripin e Gazës janë të armiqësuara me njëra-tjetrën, qëndrimet radikale gëzojnë një popullaritet shumë të lartë. Në fund të fundit të dyja palët duhet të bëjnë lëshime për të cilat popullatat e tyre deri tani nuk janë të gatshme. Bashkësia ndërkombëtare dhe para së gjithash SHBA duhet të ushtrojnë presionin më të madh të mundshëm ndaj të dyja palëve për arritjen e një kompromis. Përndryshe një konflikt i radhës i armatosur në rajon mbetet vetëm çështje kohe.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Bahri Cani

  • Data 18.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MVkc
  • Data 18.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MVkc