1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sa kushtojnë ndihmat?

Nga frika prej borxheve të shumta financiare, Irlanda vendosi të futet nën ombrellën e ndihmave të Bashkimit Evropian. Ky ishte një vendim i domosdoshëm, por që nuk i zgjidhë problemet kryesore.

default

Kryeministri irlandez Brian Cowen

E prapë ajo kërkoi ndihmë! Pas zvarritjeve të shumta, qeveria irlandeze u detyrua të kërkojë ndihma në vlerë prej miliarda eurosh prej Bashkimit Evropian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Irlanda u detyrua të pranojë se nuk është në gjendje të përballojë vetë krizën financiare. Kjo jo vetëm që është e dhimbshme për ndjenjat patriotike të irlandezëve, por i zemëron irlandezët e pakënaqur edhe me punën e qeverisë së tyre. Gjendja financiare mund t'i kushtojë kryeministrit të padashur konservator Brian Cowen me humbjen e postit të tij.

Askush nuk e di nëse Irlanda mundet t'i kthejë borxhet

Për BE-në është kjo një premierë e hidhur. Vendi që dikur zhvillohej me një shpejtësi të madhe dhe i cili ka përfituar nga integrimi në BE më shumë se çdo vend tjetër, tani ka rënë përtokë. Sistemi bankar është në gjendje të rëndë, ndërkohë që kaherë është spekuluar me imobilie tepër të shtrenjta. Dëmet nga spekulimet tani duhet t'i paguajë taksapaguesi evropian, për herë të parë përmes ombrellës për shpëtimin e vendeve të rrezikuara. E nëse këto para do të kthehen, nuk është e sigurt, sepse askush nuk e di nëse Irlanda do të jetë në gjendje t'i kthejë borxhet.

Fillimisht bëhet fjalë për 19 miliardë euro. Por ekspertët vlerësojnë se bankat irlandeze kanë nevojë për 50 deri 70 miliardë euro. Irlanda paguan me këto ndihma një çmim të lartë politik dhe moral. Paketa të reja kursimesh, heqje dorë nga sovraniteti financiar dhe ngritje e tatimeve për sipërmarrjet. Ndërkohë që Irlanda me tatimet e ulëta ka sjellë në këtë vend një numër të madh sipërmarrjesh të huaja.

Deutsche Welle ZPR Bernd Riegert

Bernd Riegert komenton

BE ndihmon Irlandën por edhe vetveten

Veç ndihmave nuk ka ndonjë alternativë, në qoftë se nuk duam të luajmë me euron. Në Bruksel është shtuar shpresa se me këto kredi emergjente do të shtohet presioni ndaj Portugalisë dhe Spanjës. Tregjet e ndjeshme financiare do të duhej të qetësohen pas këtij hapi. BE, FMN dhe Banka Evropiane thonë: "Shikoni! Ne me të vërtetë po e përdorim paketën prej 750 miliardë eurosh, për shpëtimin e vendeve të rrezikuara. Letrat tuaja me vlerë janë të sigurta."

Me ndihmat për Irlandën vendet anëtare të BE-së ndihmojnë vetveten. Edhe Banka Evropiane ka interes nga këto ndihma, sepse kohët e fundit ka blerë shumë letra me vlerë të Irlandës.

Thelbi i problemit megjithatë nuk është zgjidhur. Me këtë aksion do të fitohet kohë, por borxhet do të rriten. Deri tani nuk është gjetur një zgjidhje e mirë për tejkalimin e krizave financiare të vendeve para falimentimit. Në samitin e ardhshëm të BE-së në dhjetor duhet të paraqiten propozimet për zgjidhje. Këtu nuk ndihmon fare në qoftë se evitohen lajmet e këqija. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka të drejtë kur kërkon që për këtë të jepen garanci private.

Autor: Bernd Riegert

Redaktoi: Cani/Arapi

DW.COM

  • Data 23.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QFU1
  • Data 23.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QFU1