1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sa janë mediat greke pjesë e problemit?

A informojnë mediat greke në mënyrë të balancuar për bisedimet ndërmjet Greqisë dhe huadhënësve? Jo dhe aq, thonë ekspertët grekë të mediave për Deutsche Wellen.

A është informimi në Greqi objektiv? Kjo është një pyetje e gabuar, thotë Jorgos Pleios. Secili gazetar ka këndvështrimin e vet subjektiv, por ai duhet të përpiqet të ruajë paanshmërinë. Por paanshmëria nuk është e garantuar në Greqi, mendon eksperti i mediave në universitetin e Athinës. Përveç disa përjashtimeve të vogla mediat greke janë të njëanshme.

Shpesh informimi drejtohet kundër Syrizës

Kritikon shtypin grek: Eksperti i mediave Jorgos Pleios

Kritikon shtypin grek: Eksperti i mediave Jorgos Pleios

Kështu për shembull shumica dërmuese e tyre para zgjedhjeve parlamentare në janar mbështesnin qeverinë e mëparshme dhe luftonin me forcë partinë aktuale në pushtet Syriza. Arsyeja për këtë sjellje janë interesa të forta ekonomike, shpjegon profesor Pleios. Normalisht stacionet private greke janë në borxhe dhe për këtë arsye të varura nga kreditë bankare. Meqënëse bankat janë në pronësi të shtetit, për kreditimin vendos në fund të fundit qeveria aktuale. Vendimi i saj mund të influencohet përmes raportimit pozitiv ose negativ. Në qoftë se tani kanale të mëdha private vazhdojnë të flasin kundër qeverisë së re, atëherë kjo ka të bëjë me deklaratën e Syrizës për të zbatuar fillimisht ligjet ekzistuese. Kështu për shembull reklamat televizive duhet të tatohen. Kredi jepen vetëm atëherë, në qoftë se kompanitë mediatike e meritojnë me të vërtetë kredinë.

Po t'i besosh numrit të qershorit të revistës mujore investigative "unfollow" nga Athina, së shpejti mund të ç'tensionohet marrëdhënia e qeverisë Syriza me stacionet private. Nikos Pappas, alter egoja e Alexis Cipras dhe ministri përgjegjës për mediat, është në bisedime me sipërmarrjet për ta organizuar ndryshe pejsazhin mediatik. Me fjalë të tjera për ta bërë më të përzemërt për Syrizën.

Revista investigative unfollow

Revista investigative greke unfollow



Raportim i bazuar tek interesi

Se si bëhet raportimi i bazuar tek interesi, e përshkruan gazetari i njohur grek, autor i shumë librave politikë, Tassos Pappas. Deri tani rreth 80% e shtypit raportojnë negativisht për qeverinë e re. Një mjet efektiv është citimi i artikujve të mediave të huaja, që shkruajnë me nënvlerësim për Syrizën - për qeverinë e "papërvojë" greke, për "sjelljen e çuditshme" të ministrit të Financave, Janis Varoufakis. Të njëjtat media, që për muaj të tërë i kanë bërë gati presion qeverisë aktuale për të gjetur një kompromis me huadhënësit, e ndryshuan qëndrimin, kur u ravijëzua zgjidhja. Tani papritur thuhet, "çfarë marrëveshjeje duhet të jetë kjo, që përkeqëson gjendjen e njerëzve dhe mbyt ekonominë?"

Shkruan për një nga gazetat më të renomuara, Jorgos Pappas

Shkruan për një nga gazetat më të renomuara, Jorgos Pappas

Tassos Pappas, është redaktor i "Efymerida ton Syntakton" (shqip: "Gazetë për redaktorë"), që është në pronësi të punonjësve të saj. E pozicionuar më shumë në krahun e majtë dy vitet që prej themelimit të saj, ajo është kthyer në njërën nga gazetat më prestigjioze dhe me tirazhin më të lartë. Së bashku me gazetën liberalkonservatore "Kathimerini" dhe gazetën ekonomike "Naftemporiki" ajo bën pjesë te mediat, që përdor publicisti konservator Jorgos Kyrtsos, kur do të informohet për bisedimet e Greqisë me kreditorët.

Sipërmarrësit si pronarë mediash

Jorgos Kyrtsos, që ka punuar 35 vjet si gazetar kryeredaktor dhe botues, mendon se shumica e mediave greke janë të fiksuara në zhvillimet brenda Greqisë. Qëndrimi ksenofob i tyre duket në tituj të tillë si: "Merkel do të na shkatërrojë", "Schäuble përçmuesi i njerëzve", "Lagarde, që thoshte se do të na ndihmonte, është çmendur".
Në këtë mënyrë ato nuk kontribuojnë për të dhënë informacion dhe për t'u përqëndruar te diskutimi për borxhin, por bëhen "pjesë e problemit". Shkaqet e thella për një informacion të tillë qëndrojnë te marrëdhëniet e pronës. Pronarët e mediave janë sipërmarrës ndërtimi, pronarë anijesh, operatorë rafinerish, që "i interpretojnë zhvillimet politike sipas gjendjes së interesave". Një problem tjetër është cilësia e stafit gazetaresk. Shumica, thotë Kyrtsos, që ka studjuar në disa universitete të huaja, nuk kanë diplomën e shkollës së lartë, kanë aftësi të kufizuara analitike dhe shumë shpejt marrin arratinë te stereotipet dhe në populizmi.

Përsëri në transmetim- Televizioni publik grek

Përsëri në transmetim- Televizioni publik grek


Do të ishte shumë e dobishme, sikur të kishte një televizion publik funksionues me një raportim pluralist dhe objektiv. Kjo do të shtonte presionin tek privatët, për të rritur cilësinë e ofertës së tyre.

Edhe pse Jorgos Kyrtsos është ndërkohë deputet evropian i Nea Demokracias konservatore, ai e dënon vendimin e para dy vjetëve për të mbyllur transmetuesin publik ERT. Kyrstos e vlerëson pozitivisht faktin, që qeveria aktuale ka emëruar këtë muaj në ERT-në e rihapur një intendant dhe një drejtor programi, që nuk janë simpatizantë partiakë dhe që e njohin profesionin e vet. Por ne duhet të presim dhe të shohim se si shkojnë gjërat.