1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sa i dëmshëm është qumështi?

Një gotë qumësht në ditë forcon kockat. Qumështi u jep energji burrave të lodhur - këto i njeh gjithkush. Por rezultatet e një studimi afatgjatë në Suedi hedhin dyshime mbi mitin e qumështit.

Një vajzë qesh me buzët lyer me qumësht në kamera, një gotë në dorë, një kanë pranë vetes. Një motiv i pëlqyer për reklamat. Po ashtu si qumështi i bardhë, që si me dorë magjike përzihet me cerealet e ushqyeshme për një mëngjes të shëndetshëm. Pamje të tilla janë të përditshme, ndërsa ne si konsumatorë mësojmë se ku ka qumësht brenda ka shëndet.

Studim i madh, përmbajtje e vogël

Edhe sikur ky mesazh të jetë i ekzagjeruar, një studim afatgjatë suedez dyshon në "bardhësinë" e shëndetshme të qumështit, si lëndë e parë, jo si përbërës në produkte të tjera. Për rreth 20 vite, studiuesit e universitetit të Upsalas kanë vëzhguar 61.000 gra dhe për 11 vjet 45.000 burra për të kuptuar lidhjen mes konsumit të qumështit dhe vdekshmërisë e thyerjeve me kockat. Rezultati: Tek personat që konsumonin tre e më shumë gota qumështi në ditë vdekshmëria ishte më e lartë se mesatarja. Edhe numri i personave që kishin më shpesh thyerje të kockave ishte më e lartë teg gratë që konsumonin më shumë qumësht, dhe jo tek burrat.

Eckard Heuser nga Shoqata Gjermane e Industrisë së Qumështit në Berlin i kritikon studiuesit suedezë në mënyrën e procedimit. "Studimet vëzhguesve si ky përdoren për të provuar në mënyrë të përgjithshme dyshimet." Nga ky studim janë nxjerrë përfundimet e gabuara, mendon Heuser.

Madje vetë Karl Michaölson, njëri nga bashkëautorët e studimit paralajmëron nga nxjerrja e përfundimeve të gabuara. "Ne nuk mund të themi se këto lidhje që janë gjetur, kanë të bëjnë vetëm me konsumin e qumështit. Qumështi është pjesë e një mozaiku."

Të dyshuarit e parë

Një element problematik në këtë mozaik duket se studiuesit e kanë zbuluar. Ata dyshojnë se Galaktoza e tipit D - një lloj sheqeri, i cili gjendet vetëm tek qumështi i lopës. Minjtë dhe minjtë fushave, të cilët u ushqyen me këtë lëndë, treguan plakje më të shpejtë dhe ngordhje të hershme. Sasia e dhënë përbënte dy gota qumështi në ditë.

Deutschland Verbraucher Preise Milch Käse

Ndërsa për produktet e qumështit studiuesit thonë se ato nuk përbëjnë rrezik: "Krahasuar me qumështin normal të lopës, produktet e fermentuara kanë një sasi galaktoze të tipit D shumë më të ulët", thotë Michaölson. Ndërsa përfaqësuesi i industrisë së qumështit dyshon në eksperimentet me kafshët. "Sigurisht që një kafshë do të ngordhë më herët, po qe se injektohet me kaq shumë sheqer". Sipas kësaj po qe se akuzat kundër galaktozës së tipit D janë të qëndrueshme, atëherë gratë nuk duhet të japin gji." Sepse vlerat e galaktozës në qumështin e nënës janë më të larta se ato në qumështin e lopës.

Pyetje të hapura

Vetë studiuesit thonë se ende ka nevojë që të kryhen studime të tjera mbi këto dyshime. Studimi bazohet mbi të dhënat e pjesëmarrësve, dhe nuk merr parasysh ndikimin e alkoolit dhe duhanit, zakonet e ushqimeve. Michaölson nuk jep rekomandime për konsumin e qumështit: "Ne duhet t'i analizojmë me kujdes të dhënat e studimit. Studimi bën një gjë të qartë, që kemi nevojë për studime të tjera më të zgjeruara."

Megjithatë për industrinë e qumështit, rezultatet janë fatale, thotë Heuser: "Ne do të kemi nevojë për vite për të hequr përshtypjen e keqe të këtij studimi." Megjithatë ai sheh diça pozitive në këtë studim: Shoqëria interesohet për ushqimin. Është pozitive që të flitet edhe për qumështin.