1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sa fiton një deputet gjerman?

Deputetët e Bundestagut gjerman nuk marrin rrogë për punën që kryejnë, por dieta. Veç kësaj ata gëzojnë të drejtën për të marrë një dëmshpërblim për shpenzimet dhe përfitojnë pension moshe.

Deputetët e Bundestagut fitojnë sa një gjykatës. Ne foto: salla plenare e Bundestagut gjerman

Deputetët e Bundestagut fitojnë sa një gjykatës

Pagesa e një deputeti orientohet në pagën e një gjykatësi

Cila është pagesa e arsyeshme për një deputet? Mosmarrëveshjet për këtë pyetje janë aq të vjetra sa edhe ekzistenca e parlamenteve. Parlamenti gjerman, Bundestagu, ka rënë dakord që të marrë si masë pagën e një gjykatësi që punon pranë një gjykate të shkallës së dytë. Rroga e një gjykatësi të tillë, pra edhe e deputetëve është aktualisht 7.668 euro në muaj. Kryetari i parlamentit merr dyfishin, zëvendëskryetari 50% më tepër.

Për shpenzimet e ndryshme deputetët marrin një shumë mujore fikse prej 3.868 eurosh. Ndër këto shpenzime bëjnë pjesë shpenzimet për zyrën në zonën e tyre elektorale, si dhe për një banesë në Berlin. Veç kësaj deputetët kanë të drejtë të udhëtojnë pa para me trenat e Hekurudhës Gjermane, atyre u rimbursohen shpenzimet për fluturimet brenda vendit, si dhe kanë të drejtë të përdorim pa para makinat e Bundestagut.

Mungesa në parlament shkurton dietën

Në rast se deputetët nuk marrin pjesë në punimet e një dite të parlamentit shuma mujore fikse prej 3.868 eurosh shkurtohet me 50 euro në ditë në rast se ata kanë njoftuar se do të mungojnë, dhe 100 në rast se nuk kanë njoftuar. Po ashtu një zbritje prej 50 eurosh bëhet edhe në rast se deputetët mungojnë në seanca ku duhet të votohet me emër.

Kush nuk është më deputet, sepse nuk rizgjidhet apo sepse partia e vet nuk e përfshin më në listë, vazhdon t'i marrë për një farë kohe dietat e plota deri sa të ketë gjetur sërish punë. Rregulli është për çdo vit në Bundestag një muaj dieta. Gjithsesi koha maksimale që paguhen dieta të tilla është 18 muaj.

Përveç kësaj deputetët marrin edhe shpërblim për moshën, sikurse quhet pensioni. Për të përfituar këtë deputetët duhet të kenë mbushur moshën e pensionit. Por në rast se dikush është larguar nga parlamenti para se të mbushë moshën e pensionit, atëhere ai e përfiton këtë pension aq vjet përpara sa vjet ka qenë deputet. Pra sa më shumë vjet deputet, aq më herët e përfiton pensionin.

Pensioni i moshës orientohet në vitet si deputet

Edhe sasia e shpërblimit për moshën varet prej viteve që dikush ka qenë deputet. Për çdo vit llogariten 2,5% e dietave, pra pas dhjetë vjetësh 25%. Edhe në këtë drejtim ka një kufizim. Niveli më i lartë i shpërblimit për moshën është 67,5% e dietave si deputet, kjo do të thotë një veprimtari 27-vjeçare si deputet. Kjo do të thotë qe edhe ministri aktual i punëve të brendshme, Wolfgang Schäuble, që ka 37 vjet deputet dhe u rizgjodh sërish për katër vjetë të tjera, nuk do të marrë më tepër pension.

Autor: Peter Stützle/ Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM

  • Data 23.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KDZw
  • Data 23.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KDZw