1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sa e vështirë është shpërbërja e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës?

Kosova do shtrim të pushtetit në veri, por karta më e fortë e kryeministrit serb Ivica Daçiç për kompromis në dialogun me Kosovën janë strukturat paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës, thonë ekspertët.

Prishtina zyrtare është e përkushtuar që ta shtrijë rendin dhe ligjin edhe në veri të Kosovës dhe për këtë çështje nuk ka kompromis. “Qeveria është e obliguar që ta respektojë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa, dialogun me Serbinë e sheh në funksion të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe shtetit të Serbisë”. Ky është qëndrimi i kryeministrit, Hashim Thaçi dhe qeverisë së tij në raport me dialogun me Serbinë dhe çështjen e veriut të Kosovës, të banuar më shumicë serbe.

Është në duar të ekspertëve nga Prishtina dhe Beogradi që të gjejnë rrugë sesi do të funksionojnë institucionet lokale në veri të Kosovës. “Qeveria kërkon zgjerimin dhe ushtrimin e gjithë autoritetit shtetëror në çdo cep të territorit të Republikës, të ketë rend dhe ligj, zhvillim ekonomik, investime socio-ekonomike dhe që të kemi zgjedhje të lira edhe në veri. Po ashtu të ketë shpërbërje të plotë e strukturave të sigurisë dhe integrimin e komunitetit serb në institucione dhe jetën shoqërore të Kosovës”, thotë kryeministri, Thaçi.

Kosovo Serbien Grenze Schild

Kufiri Kosovë Serbi

Bashkësi e komunave serbe në veri të Kosovës

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq, ndërkaq, thotë se “për Serbinë është e papranueshme që në Kosovë së pari të shkrihen institucionet paralele, e më pas të pritet formimi i të rejave”. Ai thotë se kjo duhet të jetë pjesë e procesit. Në rezolutën e Serbisë për Kosovën që u miratua nga parlamenti i Serbisë, dy muaj më parë, u kërkua që të formohet bashkësia e komunave serbe në Kosovë. Kjo u kërkua edhe në takimin e 19 dhe 20 shkurtit në Bruksel. Kjo bashkësi e komunave, sipas palës serbe, duhet të ketë kuvendin e vet si dhe një trup ekzekutivi.

Bashkimi Evropian është shumë i interesuar për zgjidhjen e situatës në veri. Këshilli për politikën e jashtme të Parlamentit Evropian, ditë më parë miratoi një rezolutë ku kërkohet "heqja e strukturave paralele në veri dhe largimi i plotë i strukturave të sigurisë së Serbisë nga pjesa veriore e Kosovës". Ndërsa, Serbisë i kërkohet "që të bëjë transparente të gjitha të dhënat për financimin e strukturave të tjera, të shëndetësisë, arsimit, telekomunikacionit dhe shërbimeve tjera", që praktikisht i parasheh pakoja e Marti Ahtisarit.

Dialogu me Serbinë për çështjen e veriut po shkon në një rrugë ku duket se do të duhen kompromise nga të dyja palët, vlerësojnë analistët politik dhe njohësit e çështjeve të sigurisë. “Rreziku është që policia dhe gjyqësia të kenë nje zinxhir ndryshe komandues nga pjesa tjetër e Kosovës. Pra, qendra komanduese e policisë në Prishtinë do të ketë një prezencë apo ndikim minimal në veri dhe serbët në këtë pjesë do ta menaxhojnë edhe gjyqësinë edhe policinë në mënyrë shumë autonome”, thotë Shpend Kursani, nga Instituti për Hartimin e Politikave Zhvillimore, KIPRED. Serbia ka shumë struktura paralele në veri të Kosovës, që përfshijnë pothuaj të gjithë sektorët e jetës së qytetarëve. Por, më problematiket janë strukturat paralele të sigurisë.

Strukturat paralele të sigurisë nuk do të shuhen lehtë

Një njohës i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, nuk beson se do të shuhen lehtë strukturat paralele. Sipas tij këto struktura kanë aktivitet disa vjeçar në veri të Kosovës.“Nuk mund të garantohet se do të ketë implementim të marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy kryeministrave sa i përket faktit të këtyre strukturave, sepse mendojë se do të ketë rezistencë nga to sepse në mesin e këtyre strukturave ka persona me një mentalitet të së kaluarës dhe një pjesë e tyre e dinë mirë që për shkak të moshës apo arsye tjera nuk do të mund t'u bashkoheshim institucioneve të Kosovës”, thotë Florian Qehaja.

KFOR-i në Mitrovicë

KFOR-i në Mitrovicë

Edhe një njohës tjetër i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, thotë se Serbia mund ta pranojë në letër tërheqjen e strukturave të saj të sigurisë nga veriu i Kosovës, por që të ndodhë kjo në praktikë, ai është skeptik. Karta më e fortë e pushtetit të Serbisë në Kosovë janë pikërisht strukturat paralele te sigurise.“Karta më e fortë në terren e kryeministrit serb dhe ministrit të punëve të brendshme Ivica Daçiç, janë këto struktura që gjenden në veri të Kosovës dhe shërbejnë për të shantazhuar edhe komunitetin ndërkombëtar por edhe atë të Kosovës”, thotë Agim Musliu.

Takimi i fundit më i vështiri

Takimi i 19 dhe 20 shkurtit në Bruksel ndërmjet dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, u cilësua si takimi më i vështirë që realisht mund të prodhonte rezultate. Por marrëveshje konkrete akoma nuk ka. Intensifikimi i dialogut pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila vazhdon të mos njihet nga Serbia u manifestua me tensione në veri të Kosovës. Për disa ditë radhazi pati shpërthime, madje edhe me të plagosur.

Ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se strukturat paralele serbe të sigurisë do të bëjnë rezistencë. ”Realisht në pjesën veriore të Kosovës prej fillimit është ditur që ka struktura të interesit të caktuar qoftë ish-kryetarë të komunave, por edhe grupe të krimit ku nëse shkohet në këtë dialog drejt normalizimit vendosjes së rendit dhe ligjit, ata i humbasin interesat e tyre dhe është e pritshme që të bëjnë rezistencë qoftë demonstrate të dhunshme kohë pas kohe edhe frikësime”, thotë Bajram Rexhepi.

Në Kosovë, posaçërisht në veri të vendit, krahas shumë strukturave paralele serbe, funksionon edhe sistemi gjyqësor i Serbisë, por, jo edhe gjyqësori i Kosovës. Misioni i Bashkimit Evropian për Polici dhe Gjyqësi, EULEX, ka bërë një shtrirje të lehtë të sistemit gjyqësor, mirëpo, jo ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës. Në veri të Kosovës, funksionojnë edhe strukturat e tjera paralele serbe, siç janë ato në arsim, shëndetësi, telekomunikacion shërbime publike dhe në shumë sektorë të tjerë jetësorë. Nexhmedin Spahiu, analist nga qyteti i Mitrovicës, thotë se kur Kosova e ka pranuar planin e Marti Ahtisarit, ka pranuar edhe autonomi për disa struktura serbe.