1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sa e sigurtë është Gjermania nga terrori? "Një rrezik i fundëm mbetet gjithnjë"

Atentati në Boston ngre pyetje edhe për sigurinë në aktivitetet e ngjashme në Gjermani. DW bisedoi me Markus Frisch, drejtues i Köln Marathon GmbH.

Markus Frisch, Köln Marathon

Markus Frisch, Köln Marathon

Deutsche Welle: Z. Frisch, sa i përgatitur është qyteti i Köln-it për një skenar katastrofe, në maratonën e qytetit?

Markus Frisch: Ne kemi një "shtab për drejtimin e qarkullimit", që është një lloj shtabi krize. Ai e ka qendrën në qytet dhe në çdo moment ka nën kontroll aktivitetin. Në këtë shtab marrin pjesë të gjitha institucionet relevante: policia, zjarrfikësi, shërbimi mjekësor, një përfaqësues i firmave publike të transportit, ne si organizatorë dhe Zyra e Transportit, me kamera përkatëse vrojtimi në zonën e qytetit.

Nëse marrim si shembull Bostonin, në një skenar të tillë në fund është policia që merr përgjegjësinë për vazhdimin e misionit. Kjo do të thotë që ne si organizatorë pergatisim gjithçka, infrastruktura pra ekziston dhe në një rast të tillë, mund të shfrytëzohet. Ne duhet vetëm të kujdesemi që në çdo kohë të jemi në gjendje të reagojmë ndaj një situate të tillë.

A është atentati në Boston një shkas për të zgjeruar konceptin tuaj të sigurisë?

Markus Frisch: Ne si organizatorë do ta rishikojmë patjetër. Megjithatë mendoj se Ministria federale e Brendshme do të kërkojë përmirësime të masave, në veçanti për aktivitete të përmasave të tilla. Për mendimin tim do të kemi ndryshime.

Si është bashkëpunimi me spitalet? A janë ata të pajisur mirë?

Markus Frisch: Me një maratonë të tillë ne vëmë në lëvizje 30.000 vetë, thuajse një qytezë të vogël. Shërbimi themelor në Köln është i ndërtuar për 1 milion qytetarë. Megjithatë gjatë aktivitetit duhet të angazhojmë më shumë shërbime mjekësore. Kjo do të thotë që në pikat nevralgjike përgjatë itinerarit të maratonës, ngrihen pika për ndihmë në rast aksidentesh dhe në zonën e mbërritjes kemi ndërtuar edhe një spital të vogël. Atje ka vende për kujdes intensiv, pra mund t'i trajtojmë njerëzit në pikën e mbërritjes njësoj si në spital. Kemi rreth 150 forca të kujdesit mjekësor, ndër ta natyrisht edhe mjekë dhe mjekë urgjence. Nëse ndodh diçka, ata janë të gjithë gati për të ndërhyrë.

Çfarë kostoje organizative ka një koncept i tillë sigurie?

Markus Frisch: Ne koordinojmë 150 forca të kujdesit mjekësor, veç kësaj në mision është edhe zjarrfikësi, që merr pjesë edhe në shtabin e krizës dhe në qendrën e drejtimit. Kostoja është e madhe por e nevojshme për të marrë miratimin për aktivitetin. Një koncept i tillë sigurie kërkon rreth 100 faqe të shtypura, shumë plane dhe shtojca, dhe natyrisht përfshin të gjitha fushat. Kjo fillon nga ndihmësit vullnetarë në itinerarin e maratonës, 1.500 gjithsej, dhe vazhdon me forcat e kujdesit mjekësor, zjarrfikësit dhe policët e angazhuar.

Kush e financon të gjithën këtë?

Markus Frisch: Në thelb aktiviteti financohet nga sponsorët dhe pagesat e pjesëmarrësve. Qyteti i Kölnit na mbështet me policinë dhe zjarrfikësin dhe na këshillon në fazën e planifikimit.

A janë shtuar kërkesat për sigurinë në aktivitetet e mëdha?

Markus Frisch: Po. Momenti i parë vendimtar ishin natyrisht atentatet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe më pas aksidenti i rëndë në Love Parade në Duisburg. Për shkak të këtyre ngjarjeve rregullat për sigurinë në aktivitete të mëdha janë shtuar në masë të madhe. Në parim ngjarje të tilla bëhen edhe gjithnjë shkas për përmirësime, por një rrezik i fundëm mbetet gjithmonë, ai nuk mund të përjashtohet plotësisht.

Markus Frisch është drejtues i "Köln Marathon Veranstaltungs- und Werbe GmbH", sipërmarrjes që organizon çdo vit maratonën e Köln-it, e treta më e madhe në Gjermani.