1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sa e qëndrueshme është rritja ekonomike në Gjermani?

Ekonomia gjermane po ecën me ritme të shpejta. Një fluks lajmesh pozitive bëjnë që në ekonomi të mbizotërojë atmosfera e festës. Por ka edhe ekspertë që paralajmërojnë ndaj euforisë së tepruar.

Optimizëm në ekonominë gjermane.

Optimizëm në ekonominë gjermane.

Ekonomia gjermane ofron aktualisht një lumë lajmesh të mira dhe shifrash pozitive. Mbizotëron atmosfera e festës. Indeksi i institutit Ifo për atmosferën në sipërmarrje, shënoi në muajin korrik rritjen më të fortë që prej ribashkimit. Banka Qendrore Evropiane bëri të ditur rritje të vëllimit të kredive të dhëna nga bankat në 16 vendet e eurozonës. Banka e madhe private gjermane "Deutsche Bank" e rriti fitimin e saj para tatimit në 1,5 miliardë euro. Koncerni i programeve kompjuterike SAP në tremujorin e dytë njoftoi një rritje fitimi me 15%, në gati gjysmë miliardi euro. Edhe prodhuesi i automjeteve nga Stuttgarti Daimler la pas humbjet e tremujorit të dytë të vitit të kaluar duke arritur një fitim prej 1,3 miliardë eurosh.

Symbolbild Aufschwung Rezession Ende Konjunktur Dach Dachdecker Handwerker neu

Fundi i krizës? - Rritet indeksi i klimës tek bizneset.

Lajmet e mira nga ekonomia forcojnë prirjen për konsum

Atmosfera e festës në ekonominë gjermane ka kaluar tani edhe tek konsumatorët dhe kontribuon për një klimë të mirë konsumi: me gjithë paketën e kursimeve të qeverisë gjermane dhe rritjes së kontributeve për sigurimet shëndetësore, indeksi që mat gatishmërinë për konsum në muajin gusht pritet të rritet, njofton shoqata për studimin e konsumit në Nyremberg. Situata e mirë në tregun e punës e forcon optimizmin e shumë familjeve. Dhe Agjencia Federale e Punës konsideron të mundur rënien e numrit të të papunëve nën tri milionë në vjeshtë.

Zëra paralajmërues ndaj euforisë së tepruar

Por ka edhe zëra paralajmërues, sipas të cilëve në gjashtëmujorin e dytë të vitit situata nuk do të jetë kaq rozë. Sipas insitutit IWH me qendër në Halle, në fund të 2010 pritet një ngadalësim i ritmeve të rritjes ekonomike. Edhe instituti gjerman për Studime Ekonomike në Berlin, pret një "reduktim të dinamikës së rritjes" në gjashtë muajt e ardhshëm.

Shkak për këtë është nga njëra anë dobësimi i koniunkturës në SHBA dhe rënia e ritmeve të rritjes në Kinë, që mund t'i godiste rëndë eksportet gjermane. Nga ana tjetër ftohja e koniunkturës ka të bëjë me programet strikte të kursimeve që kanë ndërmarrë shumë vende në eurozonë. Por Michael Heise, kryekonomist pranë grupit Allianz, mbetet optimist:

Michael Heise, kryeekonomist pranë grupit Allianz.

Michael Heise, kryeekonomist pranë grupit Allianz.

"Programet për konsolidimin e buxheteve që kanë miratuar shtetet evropiane, nuk janë aq të ashpra dhe me pasoja aq të forta sa të rrezikojnë rritjen ekonomike muajt e ardhshëm dhe në gjithë vitin 2010. Kjo lidhet nga njëra anë me zhvlerësimin e euros, që ndikon pozitivisht në koniunkturë: falë kursit të favorshëm të euros eksportet e vendeve të eurozonës mund të rriten deri në 4 për qind, dhe kjo është natyrisht mirë për ekonominë."

Optimizëm i përmbajtur

Të tjerë analistë janë më të përmbajtur në vlerësime: "Mund të marrim frymë lirisht por krizën nuk e kemi lënë pas njëherë e përgjithmonë", thotë presidenti i institutit Ifo në Mynih, Hans Werner Sinn. Ndërsa Michael Grömling nga Instituti i Ekonomisë Gjermane në Köln, përmbledh:

"Atmosfera aktualisht është më e mirë se gjendja. Situata ende karakterizohet nga një mosshfrytëzim i kapaciteve për shkak të krizës. Por të paktën ka lëvizje në kërkesën nga jashtë vendit. Kjo e forcon optimizmin në Gjermani, veçanërisht tek sipërmarrjet në sektorin e industrisë, dhe në total kjo është shumë pozitive."


Autor: Rolf Wenkel / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 04.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ObFV
  • Data 04.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ObFV