1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Sa e korruptuar është FIFA? Votimi për Botërorin 2018 nën hijen e akuzave për korrupsion

Më 2 dhjetor në Zyrich vendoset, se cili do të jetë vendi organizator i Kampionatit Botëror 2018. Votimi sivjet zhvillohet nën hijen e akuzave për korrupsion ndaj anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.

default

Akuzat vënë në pikëpyetje vendimet e FIFA-s

Rreth shtatë javë para vendimit për caktimin e vendit se ku do të zhvillohen kampionatet botërore të futbollit për vitet 2018 dhe 2022, Shoqata Botërore Futbollit, FIFA, u vu në shënjestër të akuzave për korrupsion. Sipas një informacioni të gazetës britanike, Sunday Times, dy funksionarë, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s u treguan të gatshëm t'i shesin votat e tyre.

Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?

Kombobild FIFA Adamu Temarii

Dy funksionarër e pezulluar të FIFA-s, Adamu, Temarii.

"Ju e keni të qartë" që këto çështje duhen mbajtur në diskrecion", tha Amos Adamu në takimin e dytë në Kajro. Reporterët e gazetës britanike "Sunday Times" ishin paraqitur si biznesmenë amerikanë, të cilët ishin të gashëm të paguanin para, për të mbështetur SHBA-në që të fitojë të drejtën e organizimit të Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2022. Qysh në takimin e parë në Londër Adamu u shpreh për ndërtimin e katër shesheve me bar artificial në Nigeri. Shuma prej rreth 580.000 eurosh duhej t' i dërgohej firmës së një kushëriri në Evropë. "A do të kontribuojë kjo në ndonjë farë mënyre, që ju të vendosni për SHBA-në?", pyetën reporterët. "Vetëkuptohet, që kjo do të influencojë. Sepse, nëse ju investoni për këtë projekt, kjo do të thotë, që ju doni votën", u përgjigj Adamu.

Gjashtë funksionarë të FIFA-s suspendohen

FIFA Präsident Sepp Blatter in Südafrika

Presidenti i FIFA-s Joseph Blatter

Nigeriani 57 vjeçar bënte pjesë qysh nga viti 2006 në Komitetin Ekzekutiv të Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit, FIFA. Ky forum, që përbëhet nga shefi i FIFA-s, Joseph Blatter, tetë nënpresidentë dhe 15 anëtarë të tjerë, vendos ndër të tjera lidhur me vendin organizator të Kampionatit Botëror të Futbollit e kësisoj edhe për shuma të mëdha parash. Kampionati Botëror i Futbollit 2006 në Gjermani, sipas të dhënave të FIFA-s, pati vlerën 256 milionë euro. Kuptohet që vendet, që konkurrojnë për këtë kampionat i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të influencuar votat në favorin e tyre. Hapi drejt korrupsionit nuk është shumë larg. Krahas nigerianit Adamu edhe anëtari tjetër i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s Reynald Temarii është treguar i gatshëm të pranojë oferta financiare prej reporterëve britanikë, që punonin nën emër tjetër. Funksionari nga Tahiti duhet të ketë kërkuar për votën e tij 1,7 Millionë euro për akademinë e futbollit në Zelandën e Re. Kur u zbulua ky skandal FIFA pezulloi krahas katër anëtarëve të tjerë të Komitetit Ekzekutiv edhe Adamu-në për tre vjet dhe Temarri-në për një vit.

Shefi i FIFA-s e konsideron të mbyllur çështjen e korrupsionit

Pas pezullimit të funksionarëve shefi i FIFA-s Joseph Blatter e konsideron të mbyllur skandalin e korrupsionit: "Kur shohim se janë suspenduar gjashtë persona, ndërkohë që në mbarë botën ka 300 milionë futbollistë, kjo nuk do të thotë, që i gjithë futbolli është i korruptuar", thotë zvicerani 74 vjeçar. "Të gjitha dyshimet tashmë janë shuar."

Forumi vendimmarrës i FIFA-s edhe më parë nën dyshime për korrupsion

Ismail Bhamjee

Gjatë Botërorit 2006 u suspendua anëtari i Komitetit Ekzekutiv Ismail Bhamjee për shitje të shtrenjta të biletave

Por Thomas Kistner, gazetar sporti i gazetës "Süddeutsche Zeitung", i cili ka shkruar një libër mbi aferat e FIFA-s, ka një mendim tjetër: "Ky është absurditet. Ka mjaft dëshmi, madje të forta, për korrupsionin në kryesinë e FIFA-s." Qysh me zgjedhjen e Blatter-it si shef i FIFA-s në vitin 1998 pati akuza për korrupsion. Zvicerani përpara zgjedhjes u pati dërguar 20 letra me nga 50.000 dollarë funksionarëve afrikanë, thuhej. Blatter i hodhi poshtë këto akuza, duke argumentuar se këto kanë qenë pagesa, që ishin negociuar kohë më parë për "klubet në gjendje të vështirë".

Komiteti Ekzekutiv voton sivjet me dy anëtarë më pak

Më 2 dhjetor në Zyrih, kur të vendoset për Kampionatin Botëror 2018, do të votojnë në vend të 24 anëtarëve të komitetit vetëm 22. Pas tetë vjetësh Kampionati Botëror i Futbollit mendohet se do të zhvillohet në një vend evropian. Vendet, që kanë kandiduar, janë Belgjika së bashku me Hollandën, Anglia, Rusia si dhe Spanja me Portugalinë. Për vitin 2022 konkurojnë kandidatët jashtë kontinentit evropian, SHBA, Katari, Koreja e Jugut, Japonia dhe Australia.

Autor: Stefan Nestler / Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica