1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sa do të shpenzojë Gjermania për politikën e sigurisë?

Gjermania do të luajë një rol më të madh në politikën globale të sigurisë. Në buxhetin gjerman ky synim nuk reflektohet ende me të vërtetë. Por në vitet e ardhshme kjo ka për të ndryshuar.

Në fillim të vitit presidenti gjerman Joachim Gauck, ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier dhe ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ishin shpesh në titujt kryesorë. Gjermania duhej të merrte më shumë përgjegjësi në politikën e jashtme në përballimin e krizave, në rast nevoje edhe me forcën e armëve. Që atëherë u bë e qartë, se kjo do të kushtonte. Misionet e reja te Bundeswehrit jashtë vendit dhe informimi përmes shërbimit të fshehtë për jashtë BND kushtojnë para.

Në muajt pas shpalljes së kursit të ri të politikës së jashtme u bë e qartë, se kjo do të kushtonte edhe më shumë. Konflikti Ukrainës, lufta kundër milicëve të "Shtetit Islamik", mangësitë në armatimin e forcave të armatosura gjermane dhe programi i atraktivitetit, me anë të të cilit von der Leyen dëshiron ta bëjë Bundeswehrin më të fortë në konkurrencën në tregun e punës. E ardhmja e politikës së mbrojtjes do ta rëndojë më fort buxhetin e shtetit. Këtë e di ekspertja për buxhetin nga PSD, Karin Evers-Meyer: "Parashikimi im dhe i ekspertëve të tjerë është se buxheti i mbrojtjes do të duhet të rritet. Nëse duam t'i përmbushim detyrimet, që kemi premtuar dhe pa e ditur se çfarë duam në të ardhmen, ai me siguri duhet të rritet.“

Shuma e përgjithshme për Bundeswehrin mbetet e pandryshuar

Këtë javë ishte seanca parlamentare për buxhetin e vitit 2015. Rezultati: Megjithë shtimin e ngarkesave buxheti në vitin e ardhshëm do të mbetet tek 32,3 miliard eurot e propozuara për Bundeswehrin.

Megjithatë falë një rastësie ministrja von der Leyen nuk ka kërkuar para shtesë. Për shkak të vështirësive me furnizimet në projekte të ndryshme të armatimit mbeten të pashfrytëzuara të holla nga planifikimi buxhetor i vitit 2015, shpjegon eksperti i buxhetit, Bartholomeus Kalb, nga CDU: "Ju i dini vonesat, që kemi me Puma, tankun e vogël, kemi vonesa me fregatat, kemi vonesa me helikopterët. Eshtë e natyrshme, se nuk mund të paguajmë faturat për materialin, që nuk e kemi marrë ende. "

Por këto plane për armatim do t'i kushtojnë buxheteve të ardhshme të armatimit.

Edhe BND-së i duhen para

Por buxheti i mbrojtjes nuk është i vetmi buxhet, i cili duhej të ngrihej me politikën e re të jashtme gjermane. Sepse përpara se Bundeswehri të dërgohet jashtë vendit, qeveria do ta dijë, se sa i rrezikshëm mund të jetë misioni. Dhe këtu e ka fjalën shërbimi i fshehtë gjerman (BND), që duhet t'i japë vendimarrësve informacione të rëndësishme për vatrat e huaja të krizës.

Erich Schmidt-Eenboom

Erich Schmidt-Eenboom

Mbështetja financiare për BND-në u rrit 28% në periudhën ndërmjet viteve 2008- 2014. Vitin, që vjen, do të shtohet me 615 milionë të tjerë. Krahasuar me buxhetin e Bundeswehrit me 32,3 miliardë euro, ai duket shumë i vogël. Por sipas mënyrës së shërbimeve sekrete BND nuk i tregon të gjitha burimet e saj financiare.

Financat e BND-së të mbuluara

Eksperti i shërbimeve sekrete, Erich Schmidt-Eenboom, shpjegon, se nga i merr paratë BND: "Në vend të parë renditet tradicionalisht ministria e Mbrojtjes. Së pari me pagën e ushtarëve, që punojnë për BND. Momentalisht mund të jenë së paku 800 vende pune. Nga ana tjetër përmes pajisjeve teknologjike. Nga fondet e Bundeswehrit paguhen edhe shumë impiante zbulimi të BND-së. "Në zbulimin satelitor Bundeswehri mban për shembull peshën kryesore. Shpesh BND thotë se ku duhet të vendosen satelitët“, thotë Schmidt-Eenboom.

Një pjesë të shpenzimeve shërbimi informativ gjerman i mbulon nga forcat ushtarake gjermane. Edhe një argument më tepër që buxheti i mbrojtjes do të rritet. Megjithatë Bundeswehri është edhe një nga përfituesit kryesorë nga informacionet, që jep BND. Ish presidenti i shërbimit informativ, Hans Georg Wieck, e konfirmon në parim se BND merr para edhe nga burime të tjera,por nuk do të thotë asgjë të detajuar , për shkak të ruajtjes së fshehtësisë.

Wieck, ashtu si Schmidt-Eenboom, është i bindur se BND-së në të ardhmen i duhen më shumë para, për ta informuar më gjerësisht qeverinë gjermane mbi krizat. "Sot jo vetëm në Krime dhe Ukrainën Lindore shfaqen rreziqe të reja, por në rradhë të parë në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Shteti Islamik është si të thuash mishërimi i kërcënimit të të gjithë rajonit dhe kjo do të bëjë, që paratë për BND-në të shtohen.“