1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Sa demokratike është Evropa - I ashtuquajturi „deficit demokratik“ i Parlamentit Evropian

Shumë qytetarë në Bashkimin Evropian ndiejnë mungesë, sa u përket „rregullave demokratike“, ashtu si i njohin ato nga vendet e tyre.

Një grua ecën me biçikletë përpara ndërtesës së Parlamentit Evropian në Strasburg

Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Strasburg

"Ne vetëm pjesërisht mësojmë kur Parlamenti Evropian merr vendime, por për këtë nuk informohet mjaftueshëm në lajme!"

„Qytetarët nuk e kanë ndikimin e duhur në Parlamentin Evropian. Ndihet një lloj distance mes parlamentit dhe qytetarëve. Parlamentarët duhet të jenë më të hapur ndaj qytetarëve te tyre, dhe te mos mendojnë vetem për rritjen e rrogave të veta!“

„Unë as që e di më se ku ndodhet parlamenti, në Bruksel, apo në Strasburg?“

Janë këto përgjigjet e disa kalimtarëve të pyetur para Bundestagut në Berlin, të cilët pranojnë hapur, se Parlamenti Evropian është për ta shumë i largët. Kësisoj ata shprehin të njëjtën „ndjenjë“, që konstatohet edhe në anketa të shumta. Në fakt kjo „largësi që ndihet“ bie ndesh me ndikimin që ka Parlamenti Evropian, si dhe institucione të tjera evropiane në jetën e qytetarëve në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Pse është Evropa kaq pak e prekshme për qytetarët? Si arsye themelore vlerësohet i ashtuquajturi „deficit demokratik“ i Bashkimit Evropian. Parlamenti Evropian ka vetëm të drejta të kufizuara. Për shembull ai nuk e zgjedh kryetarin e Komisionit. Për këtë post të rëndësishëm vendosin shtetet anëtare të BE-së. Përveç kësaj parlamentit i mungon edhe një e drejtë tjetër klasike: mundësia e propozimit të ligjeve.

Sabine von Oppeln, studiuese e shkencave politike në Universitetin e Lirë të Berlinit, thotë: „Të drejtën e iniciativës e ka në plan të parë Komisioni Evropian dhe jo Parlamenti Evropian. Kjo është pra një pikë e dobët e parlamentit. Por nga ana tjetër duhet të themi, se parlamenti ka mundësi t'i kërkojë Komisionit që të nisë procedura legjislative.“

Në perceptimin e qytetarëve Parlamenti Evropian mbetet disi i padukshëm, sepse mungojnë debatet interesante. Proceset e votimit për formimin e vullnetit politik në pjesën më të madhe zhvillohen nëpër komisionet parlamentare. Gjithashtu mungon vija e qartë ndarëse mes „partisë në pushtet“ dhe „opozitës“, siç është e zakonshme për parlamentet kombëtare. Në përgjithësi dominon një procedurë pragmatike.

Një pikë tjetër kritike është se në proceset zgjedhore vota e një qytetari të një shteti te vogël, si p. sh. të Maltës, ka shumë më tepër peshë se sa ajo e një qytetari nga Franca apo Gjermania. Kjo varet nga fakti se për çdo shtet ka një kufizim për numrin e deputetëve.

Kësaj i shtohen edhe disa rregulla tjera të ndërlikuara, në bazë të të cilave funksionon Parlamenti Evropian. Edhe kjo e vështirëson më shumë pasqyrimin e punës. Sabine von Oppeln shpjegon: „Kjo është vështirësia e Bashkimit Evropian, që duhet parë nga njëra fushë politike tek tjetra, për të parë se cili proces vendimmarrjeje duhet aplikuar dhe në bazë të asaj, se cili proces aplikohet, është parlamenti që ka pak a shumë të drejtën e bashkëvendosjes."

Për shembull sa i përket politikës për mbrojtjen e konsumatorëve dhe të mjedisit, parlamenti ka peshë të njëjtë me Këshillin e Ministrave dhe me Komisionin. Në çështjet e buxhetit parlamenti vetëm pjesërisht mund të bashkëvendosë. Ndërsa në sferën politikës së jashtme dhe të sigurisë, ai është thuajse pa influencë.

Marrëveshja e Lisbonës parashikon që të forcohen të drejtat e bashkëvendosjes së parlamentit. Përveç kësaj është planifikuar që në të ardhmen deputetët e parlamentit të zgjedhin presidentin e Komisionit. Kjo do ta rrisë interesimin e qytetarëve për zgjedhjet. Në këtë rast çdo zgjedhës me votën e tij për Parlamentin Evropian, do të bashkëvendoste edhe për zgjedhjen e presidentit të Komisionit.

Autor: Nina Diezemann / Ibrahim Akipi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I4WJ
  • Data 06.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I4WJ