1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sa është në gjendje Shqipëria të ruajë informacionet sekrete?

Shqipëria ka arritur standartet e kërkuara nga NATO për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Antarësimi i saj një vit më parë në Aleancën Atlantike, i jep të drejtën për t’u njohur me informacionet e klasifikuara.

default

Shyqyri Dekavellli, Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, pranë Këshillit të Ministrave, thotë për DW se standartet lidhen me plotësimin e legjislacionit, çertifikimin e personelit që përdor informacionin e klasifikuar, me rrjetet e sigurta, me fibra optike të komunikimit on- line.

Hapi i parë drejt këtyre standarteve u hodh nga Shqipëria në vitin 1999 me miratimin e ligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Ai u hartua me ndihmën e ekspertëve amerikanë dhe pati në bazë ligjin amerikan të mbrojtjes së këtij informacioni. Që nga miratimi i tij dhe deri më sot, ky ligj është plotësuar me akte normative në përputhje me direktivat e NATO-s. Mbështetur në këto akte normative Shqipëria ka ratifikuar rreth 15 marrëveshje dypalëshe me vendet anëtare të NATO-s për mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, që shkëmbehet mes tyre. Një marrëveshje të tillë Shqipëria ka nënshkruar edhe me Gjermaninë. “ Pas negociatave në Berlin, kjo marrëveshje u nënshkrua në Shqipëri, u ratifikua nga Parlamenti shqiptar dhe Bundestagu gjerman. Informacioni i klasifikuar që shkëmbehet mes dy vendeve është i siguruar në bazë të kësaj marrëveshjeje, e cila parashikon disa rregulla se si mbrohet informacioni i klasifikuar që vjen nga Gjermania në Shqipëri dhe anasjelltas,” thotë Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, Shyqyri Dekavelli.

Shyqyri Dekavellli, Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë.

Shyqyri Dekavellli, Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë.

Standartet dhe përditësimi i tyre

Në krye të tyre qëndron pajisja me çertifikatat e sigurisë të punonjësve, kryesisht atyre nga ministria e Mbrojtjes, e Jashtme, e Drejtësisë dhe e Brendshme, që përdorin informacionin e klasifikuar në nivel kombëtar dhe atë që shkëmbehet mes Shqipërisë dhe vendeve anëtare të NATO-s. Çertifikimi i tyre realizohet përmes disa procedurave standarte në përputhje me direktivat e Zyrës së Sigurisë së NATO-s, në Bruksel. Këtu në lojë futen shërbimet sekrete vendase dhe Prokuroria. Në bazë të përgjigjes së tyre zyrtare, Autoriteti Kombetar i Sigurisë, lëshon ose nuk lëshon çertifikatën e kërkuar në rrugë zyrtare nga institucioni.

Përveç çertifikimit, Shqipëria ka arritur standartet e kërkuara nga NATO edhe në sigurimin fizik të informacionit të klasifikuar. Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Z. Dekavelli thotë se ambientet, ku ai mbahet, janë siguruar me dyert dhe kasaforta të blinduara, me kamera në hyrje dhe dalje të zyrave.

Standarti tjetër lidhet me sigurimin e rrjetit të komunikimit on -line mes Shqipërisë dhe selisë qëndrore të NATO-s në Bruksel, që po zëvendëson sistemin kriptografik të komunikimit. Ky rrjet nuk ka lidhje me internetin. Ai është ngritur nga ekspertë të NATO-s me fibra optike për të shmangur çdo mundësi të ndërhyrjes dhe funksionimi i tij do të fillojë së shpejti në ministrinë e Mbrojtjes dhe në atë të Jashtme. Por, ajo që sot përbën nje standart të arritur nuk është e tillë nesër pasi standartet ndryshojnë dhe Shqipërisë i duhet të plotësojë vazhdimisht legjislacionin dhe të ndjekë teknologjinë inovative. “ Standartet janë në ndryshim e sipër pasi edhe direktivat e NATO-s ndryshojnë herë pas here dhe kërkohen standarte të reja. Jemi në dijeni të ndryshimeve që i pasqyrojmë duke plotësuar legjislacionin tonë,” sqaron Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë, Shyqyri Dekavelli.

Informacionet “Top sekret” të NATO-s dhe Shqipëria

Legjislacioni shqiptar është i harmonizuar në terminologjinë e tij për informacionin e klasifikuar me atë të NATO-s. “Nëse NATO e quan "cosmic top secret" në këtë lloj informacioni e quajmë ”tepër sekret”, ndërsa në të nivelet e tjera të informacionit si ai sekret, konfidencial dhe të kufizuar kemi të njëjtën terminologji me NATO-n,” thotë Shyqyri Dekavelli.

Për informacionet “tepër sekret“ose në gjuhën e NATO-s “top cosmic secret”, Shqipëria ende nuk i ka përmbushur standartet e kërkuara. “ NATO nuk ka filluar ende ta dërgojë këtë lloj informacioni në Shqipëri. Jemi ende në procesin e përmbushjes së standarteve për të mbrojtur këtë lloj informacioni, që është i pakët dhe i rrallë por që nëse bie në duar të gabuara dëmton rëndë NATO-n dhe vendet e tij anëtare," thotë z. Dekavelli

Plotësimi i standarteve për të marrë informacionin ”tepër sekret” mbetet sfida e rradhës e Shqipërisë, një vit pas anëtarësimit të saj në NATO.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 24.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MalH
  • Data 24.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MalH