1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sërish tension dhe gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës

Opozita nuk po lejon zhvillimin e seancave parlamentare. Përfaqësuesit ndërkombëtarë shprehen të shqetësuar mbi zhvillimet në kuvend. Ata kërkojnë nga deputetët e opozitës respektimin e institucioneve dhe ligjin.

Opozita në Kosovë sërish hodhi gaz lotsjellës në parlamentin e Kosovës duke pamundësuar kështu që të mbahet seanca në sallën e rregullt të Kuvendit, ku do të diskutohej në lexim të dytë buxheti i shtetit. Partitë opozitare nuk po lejojnë të zhvillohet asnjë seancë, përderisa siç thonë, qeveria të mos tërheq dy marrëveshjet e nënshkruara, atë për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Koalicioni qeveritar i bëri thirrje opozitës që të marrin pjesë në seanca duke thënë se mosmiratimi i buxhetit veç të tjerash, mund të rrezikojë edhe një kredi prej 185 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por, opozita nuk po heq dorë qëndrimi i saj. "Ne paralajmëruam se do ta ndërpresim këtë seancë. Kjo është që të ushtrohet më shumë trysni ndaj qeverisë me mesazhin se marrëveshjet janë të pakalueshme dhe se opozita është e vendosur që të përdorë të gjitha metodat, në mënyrë që këto dy marrëveshje të mos zbatohen", tha shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, duke njoftuar se edhe ai hodhi gaz lotsjellës në parlament.

Të ndodhur para kësaj situate, partitë në pushtet vazhduan seancën në një sallë të improvizuar të kuvendit, duke pamundësuar kështu që aty të depërtojnë shumica nga deputetët e opozitës, të cilët deklaruan se do të përdorin çdo formë për të parandaluar seancën.

Kryesia e parlamentit vendosi pezullimin nga seanca të pjesës më të madhe të deputetëve të opozitës përveç gjashtë prej tyre. Përreth kuvendit të Kosovës vazhdimisht po qëndrojnë të grumbulluar simpatizant të opozitës, ndërsa, përballë tyre janë qindra policisë të njësisë speciale të Kosovës. Protestuesit hodhën gurë dhe ngjyrë në ndërtesën e kuvendit duke thyer disa xhama të kuvendit.

Në mesditë në një pjesë periferike të qytetit persona të panjohur dogjën tri vetura të institucioneve të Kosovës. Një natë më parë persona të panjohur po ashtu dogjën edhe katër vetura të tjera në tri qytete, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. Nuk ka të arrestuar dhe po ashtu policia nuk e di motivin e këtyre akteve.

Në anën tjetër, policia arrestoi sapo doli nga godina e kuvendit, deputetin e opozitës, Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ( AAK ), i cili hodhi gaz lotsjellës në seancë, duke e çuar në tetë numrin e deputetëve të opozitës që kanë një masë arresti, disa në shtëpi e disa në procedura gjyqësore për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në parlamentin e Kosovës.

Zhvillimet politike që po ndodhin në Kosovë ndërkaq kanë shqetësuar praninë ndërkombëtare dhe zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës, të cilët vazhdimisht bëjnë thirrje për dialog brenda Kuvendit të Kosovës.

Në fillim të seancës së 14 dhjetorit, që u ndërpre nga gazi lotsjellës, të pranishëm ishin edhe shumë ambasadorë të QUINT-it, të cilët nën tymin e gazit lotsjellës u larguan nga godina e parlamentit sapo filloi seanca. Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se është i shqetësuar nga zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, ai gjithashtu kritikoi prezencën në kuvend të dy deputetëve të opozitës, të cilët vazhdojnë të kenë masën e arrestit të shtëpisë.

"Është zhgënjyese të shohësh skena të tilla përsëri. Sidoqoftë, i përgëzoi deputetët e kuvendit që po mundohen të zhvillojnë seancën në të gjitha rrethanat. Dua t'u rikujtoj të gjithëve se vetëm para dy javësh shefi im, sekretari Kerry ishte në Kosovë dhe inkurajoi deputetët se dhuna nuk është zgjidhje e as hedhja e gazit. Njerëzit nuk janë duke e dëgjuar atë. Ajo që njerëzit presin është një ekonomi e zhvilluar e jo shtimi i papunësisë, ndërprerjet e seancës nuk po ndihmojnë në këtë aspekt.

Ndërkohë që shpreh shqetësimin tim edhe për faktin se pash dy deputet të Kuvendit, të cilët janë në arrest shtëpie dhe ndodhen këtu", tha ambasadori amerikan Greg Delawie, duke tërhequr vërejtjen se Ballkani ka pasur mjaft oratori nacionaliste dhe sipas tij, është koha e fundit që të ndalet kjo.

Tash e gati tre muaj partitë opozitare nuk po lejojnë zhvillimin e seancave në shenjë kundërshtimi ndaj dy marrëveshjeve që ka nënshkruar qeveria, atë për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi. Opozita po ashtu ka akuzuar qeverinë e Kosovës për vendosje të pushtetit policor, meqë sipas opozitës, tetë deputetë të tyre janë në paraburgim, nën masa të arrestit ose në procedurë gjyqësore për shkak se kanë hedhur gaz lotsjellës në parlament. Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje për dialog politik, por opozita fillimisht kërkon anulimin e marrëveshjeve, apo referendum për to dhe nëse këto nuk funksionojnë, atëherë sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.