1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sërish Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri

"Manual i rezistencës kundër nacionalsocializmit dhe fashizmit në Evropë, 1933/39 deri 1945", është një libër i botuar në Shtëpinë botuese "De Gruyter" nga Gerd R. Überschär me bashkëpunim të Peter Steinkamp-it.

Kopertina e librit: Manual i rezistencës kundër nacionalsocializmit dhe fashizmit në Evropë, 1933/39 deri 1945

Kopertina e librit: "Manual i rezistencës kundër nacionalsocializmit dhe fashizmit në Evropë, 1933/39 deri 1945"

Siç e tregon edhe titulli, libri i kushtohet historisë së rezistencës në vendet evropiane, lindjes s saj dhe organizimit deri në fund të luftës. Nëse kur merr librin në dorë, shtron pyetjen pse shkruhet sërish, 66 vjet pas përfundimit të luftës një libër për rezistencën kundër fashizmit dhe nacionalsocializmit, përgjigjen e merr menjëherë në parathënien e shkruar nga botuesi.

Pse sërish për rezistencën?

"Pas përfundimit të luftës në maj 1945 për shtetet, që kishin qenë gjatë LIIB nën pushtimin italian apo gjerman, ishte e rëndësishme që të tregonin se jo vetëm që e kishin duruar, pranuar, apo bashkëpunuar me forcën okupatore, por kishin kryer edhe rezistencë kundër pushtimit fashist dhe nacionalfashist. Rezistenca kundër sundimit gjerman dhe italian është prezantuar jo rrallë si lëvizje aktive, që luajti rol kryesor në rrëzimin e të dy regjimeve, atij të Musolinit dhe të Hitlerit. Kështu është krijuar miti i rezistencës së madhe kombëtare, format dhe aktivitetet e së cilës u përcaktuan shumë të zgjeruara dhe të shumëllojshme. Por, shumë prezantime heroike të rezistencave kombëtare nuk i përgjigjen fakteve ose realitetit", shkruan botuesi Gerd R. Überschär.

Botuesi ka venë re se "edhe sot, vazhdon të zhvillohen diskutime mbi pjesën, që kanë zënë grupimet e rezistencës në çlirimin e vendeve të veçanta". Që në konferencat e para ndërkombëtare në vitet 1958 dhe 1960 është folur për vlerësimin e nivelit të influencës së rebelimit kundër pushtuesit dhe problematikën e marrëdhënieve të grupimeve kombëtare partizane dhe grupeve të rezistencës me Aleatët. Sepse Aleatët i kanë shfrytëzuar njësitë partizane rrallë si pjesë operative të drejtimit të luftës.

Rezistenca në vende të veçanta ka pas përfshirë refuzimin simbolik dhe format të ndryshme të protestave, aktivitetet ilegale dhe luftën e armatosur të organizatave partizane me atentate dhe sulme sabotative kundër personave dhe institucioneve të forcave pushtuese.

Përmendore e rezistencës në Durrës

Përmendore e rezistencës në Durrës

Historiografia?

30 artikujt librit ofrojnë një vështrim mbi gjendjen e studimeve. Me ndihmën e udhëzuesve për literaturën dhe arkivat e përdorura mundësohet edhe vazhdimi i punës mbi temën e "Rezistencës në Evropë". Kjo nuk mund të arrihet gjithnjë në bazë të studimeve në vende të veçanta, nganjëherë tema mund të përshkruhet vetëm në formë skicash, sepse studime të detajuara nuk ekzistojnë. Kjo vlen veçanërisht për situatën në të cilën ndodhet historiografia në vendet e ish "bllokut lindor", Evropës lindore dhe juglindore ku shkrimi i historisë është vendosur në standarte shkencore pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1990.

Në pjesën e librit që bën fjalë për "Rezistencën në Evropë dhe në Evropën Juglindore", ndodhet edhe artikulli "Shqipëria: Rezistenca kundër pushtimit italian dhe pushtimit gjerman", i shkruar nga Peter Bartl. Prej tij ne do të shkëpusim disa momente.

Shqipëria- pas pushtimit italian

"Kur filloi Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria nuk ishte më shtet i mëvetësishëm. Më 7 prill 1939 zbarkuan trupat italiane zbarkuan dhe pushtuan vendin. Ushtria e vogël shqiptare e shkolluar dhe kontrolluar nga oficerët italianë, nuk ushtroi rezistencë. Në Durrës, oficeri i xhandarmërisë Abaz Kupi u përpoq me disa xhandarë dhe banorë të qytetit të mbante bllokuar dy divizionet italiane, gjë që ia arriti për pak kohë duke i mundësuar Mbretit Zog që sundonte që prej 1928-ës, të arratisej për në Greqi," shkruan Bartl duke cituar në këtë pjesë Julian Amery me Sons of the Eagle.

Më 16 prill, Shqipëria u fut në "personalunion" me Mbretërinë e Italisë. Me përjashtim të SHBA-së, vendet e tjera, e pranuan agresionin italian kundër Shqipërisë pa kundërshtuar. Vendimtare për qëndrimin e mëtejshëm të fuqive perëndimore pas vjeshtës të 1939-ës, ishte se donin të mos përzienin Italinë, që kishte qenë deri në atë kohë neutrale, në luftën që kishte filluar ndërkohë.