1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Së shpejti mund të ketë takime të nivelit të lartë Prishtinë-Beograd

Bashkësia ndërkombëtare po bën presion mbi Prishtinën zyrtare, që të ketë një unifikim të spektrit politik kosovar, në mënyrë që të nisë një dialog politik për veriun e Kosovës me Beogradin zyrtar

Takimi i grupeve negociatore me përfaqësuesin e BE, Robert Cooper

Takimi i grupeve negociatore me përfaqësuesin e BE, Robert Cooper

Qeveria e Kosovës nuk e saktëson formatin e bisedimeve me Beogradin, edhe pse nuk e përjashton mundësinë e takimeve të niveleve të larta politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kështu tha të marten zëvëndëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuci, pas një mbledhjeje të qeverisë. Ai tha se tash për tash në Prishtinë akoma nuk ka një vendim politik për nisjen e dialogut me Beogradin.

Duhet traktat paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

"Kosova dhe Serbia duhet t'i përfundojnë raportet e konflikteve me një traktat paqeje. Ky traktat paqeje nënkupton që të definohen raportet ndërshtetërore, ku përfshihen edhe operacionet e luftës, nënkupton përmirësimin e marrëdhënieve të ndryshme për të ardhmen dhe gjithmonë nënkupton që traktati është marrëdhënie ndërmjet dy shteteve”, thotë Hajredin Kuci.

Trupa të KFOR-it në Mitrovicë

Trupa të KFOR-it në Mitrovicë

Ndërkohë në Bruksel janë duke u zhvilluar konsultime intensive për vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kështu ka deklaruar për mediat lokale serbe Maja Kocijancic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së Catherine Ashton.

Konsultime intensive në Bruksel për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd

“Janë duke u zhvilluar konsultimet e Brukselit për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Po bëjmë çmos, që dialogu sa më parë të nisë”, thotë Maja Kocijançiç.

Ajo thotë se Baronesha Kathrin Ashton ditë më parë ka biseduar me kryeministrin serb, Ivica Daçiq dhe me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, por ajo nuk saktëson se kur do të caktohet raundi i ri i dialogut. Sipas saj Catherine Ashton ka theksuar se është me rëndësi që të dyja palët edhe Beogradi edhe Prishtina, plotësisht të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura me dialog.

Por akoma nuk dihet, se cili do të jetë formati i ri i dialogut Prishtinë Beograd. Do të ketë vazhdim të dialogut teknik, apo politik, ku do të diskutohet për veriun e Kosovës. Zëvendëskryeministri në qeverinë e Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se zgjidhja e vetme e pranueshme për Prishtinën, për veriun e Kosovës, do të jetë në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Çdo zgjidhje për pjesën veriore do të jetë në kuadër të kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës. Nuk do të ketë zgjidhje tjetër. Çdo ide tjetër dhe spekulim lidhur me veriun është i paqëndrueshëm dhe të njëjtat mund të jenë vetëm pjesë e debateve mediale”, thotë Hajredin Kuçi.

Por a po bën bashkësia ndërkombëtare presion mbi Prishtinën zyrtare, që të ketë një unifikim të spektrit politik kosovar, në mënyrë që të nisë një dialog politik për veriun e Kosovës me Beogradin zyrtar.

Opozita në Kosovë nuk do, që të jetë pjesë e ekipit negociator

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton

Partitë politike opozitare shprehen të vendosura të mos i dorëzohen presionit ndërkombëtar, që Prishtina të formojë një ekip negociator me të gjitha partitë politike, për të nisur dialog politik me Beogradin për veriun e Kosovës.

Vjosa Osmani, anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, i tha DW se kjo parti opozitare nuk do të behët pjesë e siç thotë, pazareve politike për veriun. “Ne mendojmë se vetö fillimi i një procesi të tillë do të rezultonte me koncesione të mëtejshme për Kosovën, që do ta bënin vendin shtet jofunksional. E vetmja zgjidhje për veriun e Kosovës është implementimi i pakos së Marti Ahtisarit, e cila jep të drejta të shumta për komunitetin serb”, thotë Vjosa Osmani.

Edhe përfaqësuesit e partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk pranojnë që t'i bashkohen ndonjë ekipi, që do të bisedojë për veriun. Besnik Tahiri, anëtar i kryesisë së kësaj partie thotë për DW.

Për veriun vetëm pakoja e Ahtisarit

“Të gjitha koncesionet, që kanë ndodhur, kanë qenë pjesë e planit të Marti Ahtisarit. Ju rikujtoj se më këtë plan përveç se ka përgjegjësi asimetrike në disa komuna, po ashtu ka edhe një integrim dhe një mundësi të madhe për vetëqeverisje dhe në këtë aspekt ne mendojmë se Kosova ka dhënë një shembull të mirë për të drejtat e pakicave në Kosovë”, thotë Besnik Tahiri.

Sidoqoftë mediat në Kosovë shkruajnë se prania ndërkombëtare në Kosovë e sheh mjaft shqetësues faktin, që opozita kosovare kundërshton në mënyrë kategorike përfshirjen e saj përkrah qeverisë në dialogun e paralajmëruar politik me Beogradin zyrtar.