1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Së bashku kundër incidenteve ndëretnike”

Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Maqedonase, Bashkësisë Fetare Islame dhe Bashkësisë Bektashiane në Maqedoni apelojnë së bashku deri tek partitë politike për të ndaluar dhunën me motive etnike në vend.

Pjesëmarrës në konferencën zhvilluar në Tetovë

Pjesëmarrës në konferencën e zhvilluar në Tetovë (13.03.2012)

Në foto, Igor Kalpakovski

Në foto, Ati Igor Kalpakovski

"Bashkësitë fetare dhe liderët e tyre, por edhe liderët e partive të tjera të mëdha politike në Maqedoni duhet t'i kërkojnë dhe t'i gjejnë pikat e bashkimit dhe jo të ndarjes mes pjesëtarëve të nacionalitetit maqedonas, shqiptarë dhe nacionaliteteve tjera, me qëllim që të mos përsëriten incidentet ndëretnike të cilat ndodhën ditët e fundit." Ky është qëndrimi i përbashkët i përfaqësuesve të lartë të Kishës Ortodokse Maqedonase, të Bashkësisë Fetare Islame dhe Komunitetit Bektashian, i cili doli nga debati me temën "Roli i udhëheqësve fetarë në ndërtimin e dialogut ndërkulturor" që u mbajt në Universitetin e Shtulit në Tetovë.

"Situata duhet qetësuar. Ka institucione në vend, të cilat do t'i rregullojnë këto gjëra, por ndërmjet komuniteteve duhet të thellohet dialogu dhe mirëkuptimi.” Kështu shprehet Ati Igor Kalpakovski, nga Kisha Ortodokse Maqedonase në Shkup.


"Islami nuk pajtohet me sjelljen huligane"

Ndërsa Afrim Tahiri, sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Fetare Islame thekson: "Në lidhje me incidentet ndëretnike imamët e xhamive kanë filluar që në namazet e rregullta të premteve dhe ditëve të tjera të apelojnë për sjellje të qetë dhe korrekte. Besimi fetar nuk jep asnjë mundësi për sjellje huligane, e cila e vë në pikëpyetje paqën dhe rendin e shtetit. Ne kishim konferenca të mëdha botërore për dialog mes feve, me deklarata për të dhënë kontributin tonë ndaj religjioneve, kulturave dhe paqës. Nga këtu si bashkësi fetare, kuptohet se edhe në terren duhet të punojmë dhe t'i zbatojmë ato deklarata, në ato vlera.”

Në foto, Afrim Tahiri

Në foto, Afrim Tahiri

Ka deklaruar Tahiri për të shtuar më tej: "Ne i dënojmë të gjitha këto ngjarje, pavarësisht se në cilën palë po ndodhin, pavarësisht se nga kush nxiten. Bashkësia Fetare Islame vlerëson se duhet të angazhohet i gjithë potenciali intelektual, si dhe institucionet, për të largimin e perceptimeve të rreme, të cilat krijojnë hendekun kulturor. Ne duhet që përmes aktiviteteve të ndryshme të përbashkëta të nxisim respektin reciprok në mes të komuniteteve. "

Në këtë pikë ndërlidhet edhe Ati Kalpakovski nga Bashkësia Ortodokse Maqedonase: "Dialogu ndërkulturor është një gjë e mirë, gjithsesi, sepse ai i largon paragjykimet, stereotipet që ekzistojnë në mes të komuniteteve tona, kryesisht në mes të nacionalitetit maqedonas, shqiptarë, dhe nacionaliteteve tjera në vend.”

"Aktorët politikë t'i shtrijnë dorën njëri-tjetrit"

Në këtë kontekst Ati Kalpakovski shprehet: "Ata që duhet të shtrijnë dorën njëri-tjetrit janë para së gjithash aktorët politik, sepse ne, si bashkësi fetare, deri më tani jemi ulur të gjithë së bashku një një tryezë, kemi biseduar, kemi arritur të marrim vendime, kemi dialoguar në fushën e fakulteteve teologjike. Pra ne kemi marrë pjesë tek njëri-tjetri, kemi mbajtur leksione dhe kemi dërguar gjithmonë mesazhe paqeje dhe mirëkuptimi.”

Baba Edmund Brahimaj

Baba Edmond Brahimaj

Baba Edmond Brahimaj, kreu i komunitetit Bekteshian në Maqedoni me seli në Tetovë, në deklaratën dhënë Deutsche Welle-s është kategorik: "Këto ngjarje nuk janë të mira dhe këto i bëjnë disa segmente të caktuara në mënyrë që të prishin harmoninë në vend. Së pari, ne jemi njerëz dhe njerëzit kanë nevojë për të gjetur pikat e unitetit mes komuniteteve, qoftë në fe apo në ndonjë kuptim etnik. Jo pikave të ndarjes, që i kemi ndaj njëri-tjetrit, por pikave të bashkimit, këto të jenë ura lidhëse, që të mund të vazhdojë të ekzistojë harmonia dhe dashuria në Maqedoni.”

Tani mbetet të shihet sa dhe çfarë ndikimi do të kenë këto porosi të dalura nga bashkësitë fetare të Maqedonisë, ndaj qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike e fetare.

Autorë: Sveto Toevski / Qerimane Bekteshi

Redaktoi: Esat Ahmeti