1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Së bashku kundër Putinit

Gero Schließ3 Maj 2014

Angela Merkel shkoi në Uashington në kohë dramatike. Efektet e skandalit të NSA-së ndihen ende. Megjithë mesazhin e përbashkët drejtuar Putinit, mbeten tensionet në marrëdhëniet transatlantike.

https://p.dw.com/p/1Bt9m
Fotografi: Getty Images

Vizita e Angela Merkelit te Barack Obama ishte një takim krize, që rrallëherë është përjetuar nga dy politikanët. Politika e deritanishme ndaj Rusisë ka dështuar në mënyrë dramatike. Putin vë në pikëpyetje rendin e pasluftës. Përplasjet për Ukrainën po marrin përmasa gjithnjë e më kërcënuese. Në të njëjtën kohë skandali i përgjimeve të NSA-së ka shkaktuar çarje të thella në themelin transatlantik. Ska asnjë dyshim: kancelarja gjermane dhe presidenti amerikan ndodhen përpara sfidës më të madhe që prej rënies së murit të Berlinit.

Në mënyrë të papritur skandali i NSA-së zuri në vizitë një rol më të madh nga sa do të kishte dashur mikpritësi amerikan. Para kamerave dhe në kohën më të mirë të transmetimit, në konferencën e përbashkët për shtyp në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, Merkel dhe Obama folën për një cyber-dialog.

Dialogu kibernetik si akt ngushëllimi politik?

Ky ishte një lëshim politik, për të cilin Angela Merkel kishte nevojë, në mënyrë që të ruante fytyrën në politikën e brendshme në Gjermani, sepse një marrëveshje anti-spiunim, siç është kërkuar nga gjermanët, nuk do të ketë. Kështu dallimet e mëdha mes dy vendeve në temën sferë private dhe mbledhje masive e të dhënave, do të vazhdojnë.

Kjo bart rreziqe të mëdha, pasi edhe pas takimit të Merkelit me Obamën nuk mund të parashikohet nëse marrëdhëniet gjermano-amerikane do t'i bëjnë dot ballë sprovave të së ardhmes. Veçanërisht nëse kriza e Ukrainës do t'i lidhë më shumë dy vendet apo do t'i largojë edhe më tej nga njëri -tjetri.

Sinjal vendosmërie në drejtim të Putinit

Sidoqoftë Merkel dhe Obama dërguan tani një sinjal të unitetit në drejtim të Moskës dhe bënë të qartë se për ta zgjedhjet presidenciale në Ukraninë në 25 maj, janë një gur i rëndësishëm prove. Nëse Putin do të vazhdojë të destabilizojë vendin si deri tani dhe të bëjë të pamundur mbajtjen e zgjedhjeve, Evropa dhe SHBA do të vendosin të bashkuar sanksione të reja.

Por pikërisht këtu qendron edhe rreziku për konflikte të mëtejshme transatlantike. Sanksionet nuk mund të jenë synim në vetvete, u shprehën njëzëri në konferencën për shtyp Merkel dhe Obama. Ky nuk është më shumë se një kompromis formulë.

Akuza kundër Merkelit

Kjo është pasojë e dëmtimit të rëndë të besimit themelor reciprok për shkak të skandalit të NSA-së. Që në prag të vizitës së Merkelit nga mjedisi rreth Obamës u dëgjuan shprehje mosbesimi dhe padurimi për Gjermaninë, e cila sipas këtyre zërave nuk është e gatshme për sanksione. Ekspertë amerikanë me peshë dyshojnë madje se kancelarja po ndjek një politikë të qetësimit me Putinin. Ky qendrim nuk është larg kritikës së hidhur së senatorit republikan John McCain, i cili e akuzon Merkelin jo vetëm për drejtim të dobët dhe nën influencën e industrisë, por e quan këtë madje "të turpshme".

Ndryshime në mentalitet dhe mosbesim

Duket qartë se amerikanët besojnë në efektivitetin e sanksioneve dhe duke shtrënguar më fort lakun e tyre duan ta detyrojnë Putinin të ndryshojë kurs. Në këtë mes ata nuk kanë shumë për të humbur, pasi tregtia me Rusinë për ta është thuajse e parëndësishme.

Merkel me të drejtë i reziston trysnisë amerikane për sanksione. Sigurisht edhe sepse ekonomia gjermane do të kishte disavantazhe të mëdha. Por para së gjithash ajo dëshiron të ndryshojë prioritetet. Për të më e rëndësishmja nuk është të ngarkojë Rusinë me "kosto" gjithnjë e më të larta të thyerjes së të drejtës ndërkombëtare. Dhe aq më pak ka prioritet "ndëshkimin e Putinit", siç tingëllon në mediet amerikane.

Strategji kundër sanksioneve

Redaktori i DW Gero Schließ
Redaktori i DW, Gero SchließFotografi: DW/P. Henriksen

Në mes të konfliktit në shkallëzim e sipër me Rusinë, për aktorët e Perëndimit më e rëndësishmja është të ruajnë gjakftohtësinë. Sanksionet nuk mund të zëvendësojnë politikën. Dhe prioriteti i parë politik duhet të jetë të arrihet marrëveshje për një strategji për Ukrainën dhe të reflektohet së bashku se si duhet të jetë qëndrimi i ardhshëm ndaj Rusisë. Për këtë deri tani është dëgjuar pak nga Obama por edhe nga Merkel. Sidoqoftë Presidenti pranoi në konferencën për shtyp, pas një pyetje, se Rusia ka interesa legjitimë në rajonet fqinjë me të.

Pozicion kyç i Gjermanisë

Në formulimin e një politike të re globale të jashtmë dhe të sigurisë, Gjermania është bashkëbiseduesi i parë i amerikanëve. Kjo vlen edhe për negociatat për një zonë tregtie të lirë transatlantike, e cila megjithë një fjalim të kancelares në Dhomën e Tregtisë të SHBA-së, mbeti disi në sfond të vizitës.

Angela Merkel është për Obamën liderja e pakontestuar në Evropë. Presidenti amerikan madje e inkurajoi atë t'i përdorte edhe më fort cilësitë e saj drejtuese. Mesazhi është i qartë: në këtë krizë ndosha më shumë nga sa vetë kancelarja do të dëshironte.