1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ryker: Ne verë nuk do të jem më në Kosovë

"Kosovarët janë tashmë të lodhur me strukturën e qeverisjes së dyfishtë," thotë në një intervistë ekskluzive për DW, shefi i UNMIK-ut, Joahim Ryker (Joachim Rücker)

default

Joachim Rücker

DW: Zoti Ryker, edhe sa kohë mund të duroni në Kosovë?

RYKER: Unë mendoj, se tani po i afrohemi një fundi të mirë dhe unë dua të qendroj aty derisa ky të vijë.


DW: A është e vështirë të qendrosh në Kosovë në një situatë të tillë?

RYKER: Tani mund të shihet një dritë në fund të tunelit. Gjithsesi, kështu e shoh unë. Bashkësia Ndërkombëtare është e unifikuar rreth idesë që kjo çështje duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe që zvarritje të mëtejshme nuk sjellin asgjë.

DW: Rusia është antare e Bashkësisë Ndërkombëtare. Dhe ajo pikërisht këto ditë ka kërkuar zgjatjen e mandatit të negociatave. Nuk mund të thuhet se Bashkësia Ndërkombëtare ka një qendrim të unfikuar në lidhje me Kosovën. ..

RYKER: Unë mund të them vetëm se në fillim të procesit Grupi i Kontaktit kishte parime dhe synime të qarta. Grupi i Kontaktit ka thënë dy herë në nivel ministrash se do ta përfundonte procesin madje qysh në vitin 2006, tani ne po i afrohemi fundit të vitit 2007. Unë mendoj, se është në interes të të gjithëve që tani t’i afrohemi sa më shpejt fundit.

DW: Sa kohë keni ndër mend të rrini ju në Kosovë?

RYKER: Pasi ta kemi zgjidhur çështjen e statusit, sipas planit të Ahtisaarit, në se këtë mund ta marrim si bazë, fillon një afat kalimtar prej katër muajsh. Në se ky plan do të shërbejë si pikë referimi, atëherë në fund të këtyre katër muajve unë do të largohesha.

DW: Në prill?

RYKER: (Qesh) Varet se kur do ta zgjidhim çështjen e statusit dhe se kur do të fillojë periudha kalimtare edhe në aspektin teknik, por unë parashikoj që në verën e vitit të ardhshëm të mos jem më në Kosovë.

DW: Sa e përgatitur është Kosova nga ana teknike të marrë përsipër ato detyra që deri tani i keni bërë ju?

RYKER: Pika e referimit duhet të jetë plani i Ahtisaarit, sepse ky është plani ekzistues. Ai nuk ka gjetur miratim në Këshillin e Sigurimit, por ky është plani që kemi në tryezë, dhe ky plan parashikon që të mos ketë më Përfaqësues të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm. Sipas këtij plani do të ishte mirë që të vinte një mision i ri, një i ngarkuar civil, dhe një mision ushtarak, natyrisht, detyra e vetme e të cilit është që të mbikqyrin dhe asistojnë në implementimin e statusit të ri. Pra është një mandat tërësisht tjetër nga ai i UNMIK-ut.

DW: Çfarë problemesh ju kanë mbetur për të zgjidhur, në se mbas 10 dhjetorit do të filloni të ”mblidhni orenditë në zyrën tuaj”?

RYKER: Ne e kemi ushtruar fazën e dorëzimit të kompetencave nga UNMIK-u tek institucionet e ardhshme të Kosovës. Ne jemi të përgatitur për këto 120 ditë. Sigurisht që është një punë shumë e madhe. Këto 120 ditë janë të mbushura me një sërë aktesh juridike dhe aktivitete të tjera dhe ne kemi një plan implementimi dhe mund të fillojmë që nesër me këtë. E kemi ushtruar sigurisht me qeverinë provizore në Kosovë. Ata janë gjithashtu të përgatitur.

DW: Kosova do të ketë së shpejti një qeveri të re. Parlamenti i ri do të shpallë ndoshta në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Në një intervistë të mëparshme ju keni thënë se në një rast të tillë "do të kërkoni një këshillë nga Nju Jorku". Në ç’drejtim mund të jetë një këshillë e tillë?

RYKER: Unë në fakt tani nuk dua të spekuloj se çfarë do të ndodhë mbas 10 dhjetorit. Ju e dini që është procesi i Troikës dhe që negociatat vazhdojnë aktualisht. Në Vjenë po zhvillohet një raund i ri në Baden. Në se do të spekuloja se çfarë do të ndodhte mbas 10 dhjetorit, atëherë do t’i sabotoja këto bisedime dhe nuk dua ta bëj një gjë të tillë.

DW: Por ju gjithsesi keni një plan B. Dhe mesiguri që ju dini diçka rreth këtij plani?

RYKER: Unë kam thënë, se nuk mund të bëjmë sikur jemi shurdhë ose të verbër. Kjo do të thotë se ne duhet të përgatitemi edhe për skenarë të tjerë, si për shembull çfarë do të ndodhë në se Troika nuk ka sukses. Por se çfarë do të bëjmë me të vërtetë, këtë nuk dua ta komentoj tani, sepse do të dëmtohej procesi i Troikës. Ne duhet t’i japim Troikës hapësirën politike për të cilën ka nevojë, për të arritur ndoshta një zgjidhje. Prandaj, nuk dua të spekuloj, se çfarë do të ndodhte në se...

DW: Atëherë po i lëmë mënjanë spekulimet për të ardhmen, dhe po u kthehemi fakteve të së kaluarës. Në se do të bënit një bilanc të punës suaj në Kosovë, cilat do të quanit si arritjet më të mëdha?

RYKER: Po të hedhim një vështrim në tetëvjeçarin e pranisë së UNMIK-ut deri tani mund të konstatojmë se UNMIK-u së bashku me partnerët e tij në Kosovë ka ngritur bazat për një demokraci funksionuese dhe funksionimin e një shteti ligjor dhe bazat për funksionimin e ekonomisë së tregut. Dhe kjo nuk është pak.

DW: Por a është elita politike kosovare në gjendje që ta ushtrojë këtë demokraci, bazat e të cilës janë ngritur tashmë?

RYKER: Po të shikoni se si u zhvilluan zgjedhjet më të fundit, atëherë mund të thuhet se ato përbënin një dëftesë pjekurie në demokraci. Vëzhguesit ndërkombëtarë konfirmuan se ato ishin të lira dhe të drejta, dhe se u respektuan standardet ndërkombëtare. Ky ishte një gur i ri në mozaik. Dhe unë mendoj se mund të thuhet se në Kosovë ka një demokraci funksionuese.

DW: E megjithatë pjesëmarrja në zgjedhje ishte shumë e vogël dhe deri diku zhgënjyese për një popull që ndodhet pikërisht para krijimit të shtetit të vet.

RYKER: Nga njëra anë, duhet parë që në shumë vende ekziston një tendencë që pjesëmarrja në zgjedhjet kombëtare ose parlamentare të bjerë nën 50 përqindsh. Nga ana tjetër, një pjesëmarrje të tillë prej 40 deri 45 përqind - nuk kemi ende shifra të sakta, sepse nuk janë numëruar ende votat e kosovarëve të diasporës, shpreh edhe frustrimin ose lodhjen e njerëzve me procesin e statusit.

DW: Jo me punën e UNMIK-ut?

RYKER: Natyrisht. UNMIK-u, mbas tetë vjetësh mund të thuhet se UNMIKU-t i ka skaduar mirëseardhja. Njerëzit janë lodhur me strukturën e qeverisjes së dyfishtë, nga njëra anë të UNMIK-ut, nga ana tjetër të qeverisë. Megjithë vullnetin e mirë për partneritet dhe mirëbesim, i cili ekziston në mënyrë reciproke, kjo nuk është ajo patjetër diçka që nënkupton qeverisje të mirë.

DW: Problemet e mirëbesimit me shqiptarët kanë filluar kohët e fundit, por me serbët kanë ekzistuar që më parë. Si e shikoni ju të ardhmen e pakicës serbe në Kosovë?

RYKER: Pakica serbe është natyrisht pjesë e së ardhmes së Kosovës. Kjo e ardhme nuk mund të jetë vetëm demokratike por edhe shumëetnike. Bashkësia serbe në Kosovë është në shtëpi të vet dhe kështu edhe duhet të mbetet.

DW: Megjithat ë vazhdimisht ekzistojnë probleme, për shkak të mospjesëmarrjes së serbëve në jetën politike në Kosovë. Aktualisht kemi debatin për zgjatjen e mandateve për përfaqësuesit e komunave serbe. Mendoni se kjo zgjatje do të ishte legjitime?

RYKER: Nuk e di, ne nuk kemi marrë ende vendim se çfarë do të ndodhë. Po e shqyrtojmë ende duke biseduar me personat përgjegjës. Aktualisht mandatet e komunave janë të vlefshme derisa të kemi një rezultat përfundimtar të zgjedhjeve komunale. Prandaj deri atëherë kemi kohë të ulemi bashkarisht dhe të gjejmë një zgjidhje, e cila nga njëra anë respekton zgjedhjet demokratike, por nga ana tjetër nuk e margjinalizon bashkësinë serbe në Kosovë dhe i mbron interesat e saj.

DW: A e dini që tani se çfarë do të bëni kur të largoheni nga Kosova?

RYKER: Nuk e di ende. Unë jam përqendruar që ta përfundojmë çështjen bashkarisht me ata që kanë të njëjtin interes, dhe mendoj se kjo është e tërë bashkësia ndërkombëtare dhe pastaj të shohim se ç'do të bëjmë më tej.