1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rusishtja si gjuhë zyrtare? - Referendumi e ndan Letoninë

Letonia voton për të futur ose jo rusishten si gjuhë të dytë amtare. Referendumi ka ringjallur grindjet e vjetra. Rusët ndihen të diskriminuar dhe kërkojnë më shumë të drejta, letonezët tremben për kushtetutën.

Rusishtja si gjuhë zyrtare?

Rusishtja si gjuhë zyrtare?

Kush udhëton për në Rigë ka për të pyetur dikur veten, nëse ndodhet vërtet në Letoni. Rusishtja dëgjohet gjithandej: në rrugë, në kafe ose në radio. Madje, në kryeqytetin letonez buzë Detit Baltik rusët përbëjnë një shumicë të vogël të popullsisë. Rusët janë shumë të përfaqësuar edhe në qytete të tjera të mëdha të ish-republikës sovjetike, anëtare e Bashkimit Evropian prej vitit 2004. Gati një e treta e rreth dy milionë banorëve në Letoni flet si gjuhë amtare rusishten.

Të shtunën (18.02.) vendoset nëse rusishtja do të futet si gjyhë e dytë zyrtare në vendin baltik krahas letonishtes. Referendumi me nismën e pakicës ruse parashikon ndryshimin e pesë neneve të kushtetutës dhe po paraqitet si një votim pro ose kundër. "Banorët rusë të Letonisë duhet t'i tregojnë botës se ne nuk do ta pranojmë kurrë në atdheun tonë statusin e të përjashtuarve", thuhet në faqen e internetit të lëvizjes "Gjuhë amtare", e cila ka mbledhur nënshkrime për referendumin. Nga ana tjetër, qeveria u bëri thirrje qytetarëve të vendit, të votojnë kundër. Gjuha letoneze është një thelb i kushtetutës, i cili duhet mbrojtur, thotë ajo.

Riga

Riga

Një grindje e rindezur

Referendumi bën që të shkallëzohet grindja, që shkakton prej dekadash tensione. Në kohën e Bashkimit Sovjetik qindra mijëra vetë erdhën nga BRSS-ja në Letoni, për të punuar. Kjo ishte politikë e qëllimshme e Moskës. Përqindja e popullsisë rusofone u rrit sipas të dhënave zyrtare në mbi 40 për qind. Rusishtja kërcënonte të zëvendësonte letonishten dhe shumë letonezë patën frikë se do të ishin pakicë në vendin e tyre.

Kur Letonia u bë e pavarur në 1991 gjendja ndryshoi. Shteti futi masa për forcimin e gjuhës dhe kulturës letoneze. Për shembull, kush nuk di letonisht, nuk lejohet të punojë në administratë. Edhe marrja e shtetësisë nuk është e mundur pa njohuri të letonishtes. Kjo rregull bëri që në Letoni të ketë ndërkohë rreth 290.000 të ashtuquajtur "joshtetas", të cilët ndër të tjera nuk gëzojnë të drejtën e votës.

Mirëpo, grindja nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën. "Ajo që i ndan njerëzit është perceptimi i ndryshëm i historisë", mendon Andreas Klein, drejtor i fondacionit Konrad Adenauer në Rigë. Derisa shumica e letonezëve e shohin Bashkimin Sovjetik si një fuqi pushtuese të vendit të tyre, rusët e kanë, sipas tij, të vështirë të përqafojnë këtë këndvështrim.

Shumica do të votojë me 'jo'

Vëzhguesit në Rigë mendojnë se shkaktare për grindjen e tanishme rreth gjuhës janë zhvillimet e fundit në politikën letoneze. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në shtator 2011 "Qendra për harmoni" fitoi papritur shumicën e vendeve. Partia u zgjodh kryesisht nga rusët, mirëpo ajo nuk është e përfshirë në qeveri, bisedimet e koalicionit me parti të tjera dështuan. "Letonezët duan të na mbajnë larg politikës", ky ishte interpretimi i shumë rusëve.

Shkollë letoneze

Shkollë letoneze

Klein dyshon që referendumi mbi gjuhën ruse ka për të qenë i suksesshëm. Për një gjë të tillë, thotë ai, përkrahësit e kësaj ideje në Letoni nuk kanë vota mjaft. Për të ndryshuar kushtetutën duhet që më shumë se gjysma e rreth 1,5 milionë vetëve me të drejtë vote të votojnë pro. Mirëpo, sipas sondazheve dy të tretat duan të votojnë me 'jo'.

Shembulli negativ i Maqedonisë

Në këtë sfond mendohet që hendeku midis letonezëve dhe rusëve të bëhet edhe më i thellë, mendon Andreas Klein i fondacionit Adenauer në Rigë. Sipas tij, tema po keqpërdoret politikisht: "Krijohet një atmosferë, e cila nuk e nxit bashkëjetesën". Kjo ndodh megjithëse më parë gjërat më parë funksiononin mirë, shton Klein. Veçanërisht të rinjtë rusë rriten me dy gjuhë dhe janë të integruar mirë, thotë ai.

Andreas Klein e krahason gjendjen në Letoni me Maqedoninë, ku ka punuar më parë. Atje u fut para rreth dhjetë vjetësh shqipja si gjuhë e dytë shtetërore. "Konsekuenca është që motivimi te popullsia shqiptare për të mësuar maqedonishten ka rënë shpejt, sepse nuk u duhet më", thotë Klein. Një zhvillim i ngjashëm është i mundshëm edhe në Letoni dhe do të devijonte nga synimi i integrimit, thotë ai.

Autor: Roman Goncharenko/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama