Rusia të merret seriozisht | Evropa | DW | 08.12.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rusia të merret seriozisht

Frontet mes Natos dhe Rusisë janë ashpërsuar. Në takimin e ministrave të jashtëm, që përfundoi të premten (07.11.) në Bruksel nuk u duk qasje as në çështjen e Kosovës e as në atë të armatimit konvencional.

default

Lavrov dhe Sheffer

Moti në Bruksel ishte i stuhishëm, e tillë është edhe klima aktuale në marrëdhëniet NATO-Rusi. Shkaku kryesor është dalja e Rusisë nga Konventa për Armët Konvencionale. Justifikimi zyrtar i rusëve: Ndryshe nga Rusia, Nato-ja nuk e ka ratifikuar marrëveshjen e modifikuar në vitin 1999. Si kusht për ratifikim shtetet e Nato-s kanë vënë largimin e trupave ruse nga Gjeorgjia dhe Transnistria në Moldavi. Por ky parakusht nuk ka ndonjë bazë juridike në marreveshjen për armët konvencionale. Në të vërtetë, me anë të mosratifikimit Nato-ja donte të protestonte kundër luftës së dytë të Moskës në Çeçeni. A duhet të shqetësohemi tani për sigurinë në Evropë? Marrëveshja nuk e ka më atë rëndësi ushtarake që kishte në fillim. Në epokën e satelitëve të spiunazhit nuk je më i varur nga këmbimi i informacionit nga një vend tjetër. Po ashtu as Rusia, megjithë retorikën e saj, nuk ndjehet e kërcënuar nga NATO-ja. Pra e tëra nuk ka të bëjë me anën ushtarake, por me atë simbolike. Rusia, e përmalluar për kohën kur ishte superfuqi, dëshiron të merret seriozisht. Baza ekonomike për këtë sot ekziston. Nato-ja nuk ka më përballë një ish-Bashkim Sovjetik të rrënuar, si në vitin 1990 kur u nënshkrua konventa, e as një Rusi të falimentuar ekonomikisht si në vitin 1999, në kohën e presidentit Jelcin. Prandaj edhe ajo duhet ta marrë seriozisht këtë mall, më seriozisht se ç'e marrin amerikanët, që këmbëngulin me meskinitet në plotësimin e kërkesave të tyre. Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier) ka të drejtë kur thotë, se pikërisht Gjermania ka potencial bashkëpunimi me Rusinë e se deri tani ky potencial nuk është shfrytëzuar sa duhet. Tani lypset që ai të shfrytëzohet.