1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia si mike, Rusia si kundërshtare

Nëse nuk do të ishin mosmarrëveshjet për Ukrainën, NATO-ja në këto momente do të kuptohej mjaft mirë me Moskën.

NATO e vlerëson Rusinë me tone më të larta. Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s u takuan në Bruksel, me homologun rus Sergei Lavrov në takimin e rregullt të Këshillit NATO-Rusi. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle vlerësoi "në mënyrë të veçantë negociatat fundit mbi programin bërthamor iranian. Këtu Rusia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm." Dhe Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen vuri në dukje përparimin e kohëve të fundit në planin për shkatërrimin e armëve kimike siriane: "Këshilli NATO-Rusi mbetet forumi i saktë për të zgjidhur problemet e ngutshme ndërkombëtare, të tilla si Siria dhe çështja e armëve kimike siriane." Si në luftën kundër terrorizmit, trafikut të drogës apo piraterisë, Rusia punon në mënyrë konstruktive me NATO-n.

Protestat në Kiev, presion nga jashtë?

Protestat në Kiev, presion nga jashtë?

Qëndrim i kujdesshëm ndaj Rusisë

Westerwelle tha madje: "Për ne, gjermanët është e qartë se sfidat urgjente të sigurisë në Evropë dhe më gjerë mund të përballohen vetëm në dialog me Rusinë dhe sigurisht jo kundër Rusisë." Këto fjalë vijnë nga anëtari i një së njëjtës qeveri, e cila pak ditë më parë e akuzoi Rusinë se po bën presion mbi Ukrainën. Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç e anuloi disa ditë para datës së planifikuar nënshkrimin e MSA me Bashkimin Evropian. BE-ja reagoi me zemërim ndaj vetos ruse për afrimin e ish-republikave sovjetike me Evropën. Kurse në takimin e NATO-s ministrat lëshuan tone të tjera.

Lavrovi akuzon protestuesit ukrainas për dhunë

Në fakt Ukraina nuk është çështje e drejtpërdrejtë për NATO-n. Ukraina synonte dikur anëtarësimin në NATO po jo më tani që sundon presidenti Janukoviç. Megjithatë Ukraina merr pjesë në misione të ndryshme të NATO-s , si p.sh. në misionin në Afganistan. Gjithësesi ministrat e Jashtëm të NATO-s e dënuan të martën (03.12) dhunën ndaj protestuesve në Kiev, por pa e përmendur Rusinë. Por Lavrovi e mori të mërkurën (04.12) këtë gjë në Bruksel si shkak që t'i sulmonte rëndë homologët e tij perëndimorë. Ai tha se nuk e kupton se pse NATO-ja shprehet për këtë gjë. Kjo përcjell një "pamje tërësisht të shtrembëruar" të situatës në Ukrainë. Lavrovi e quajti dhunën e opozitës të "tepruar" dhe tha se shteti ka të drejtën për të ndërmarrë veprime kundër demonstruesve agresivë . Rusia bëri thirrje që "askush të mos ndërhyjë në këtë situatë" dhe tha se është çështje e qeverisë së Ukrainës për të vendosur mbi Marrëveshjen e Asociimit me BE-në.

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle në Ukrainë

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle në Ukrainë

Ukraina dhe BE-ja

Ambasadori i Ukrainës në NATO Igor Dolgov tha i pytur për këtë çështje nga Deutsche Welle: "Ukraina është një vend i pavarur dhe ne i kemi përballuar deri tani vetë të gjitha problemet e brendshme. Dhe si shtet sovran, ne nuk shohim asnjë mundësi për ndërhyrje nga jashtë." Dolgovi tha se edh demonstratat nuk i shikon si problem, sepse protestuesit duan të njëjtën gjë që do presidenti Janukoviç, pra një afrim me BE-në. Megjithatë, ai la të kuptohet se Ukraina kërkon më shumë mbështetje financiare nga BE-ja, një qëndrim që ka bërë të lindi mendimi se qeveria e Ukrainës do të bëjë pazar.