1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rusia pa votë në Strasburg

Roman Goncharenko28 Janar 2015

Rusisë iu hoq e drejta votës në Këshillin e Europës në prill 2014 për shkak të aneksimit të Krimesë. Moska dërgon mesazhe për braktisjen e kësaj organizate.

https://p.dw.com/p/1ERsT
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Fedorenko

Sergei Naryshkin erdhi me një mesazh të qartë në Strasburg. Nëse votimi të mërkurën do të jetë "zhgënjyes" Rusia do ta pezullojë për një vit punën e saj në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, tha kryetari i dumës ruse. Rusia insiston të rimarrë të drejtën e votës që iu hoq në prill 2014 për shkak të aneksimit të Krimesë.

Që atëherë delegacioni rus nuk mund të votojë, nuk të përfaqësohet në komitetet ekzekutive dhe të marrë pjesë në misionet vëzhguese. Asambleja Parlamentare ka pak fuqi politike, por konsiderohet si një forum për dialog i përfaqësuesve të parlamenteve të vendeve të Europës.

Sergei Naryshkin
Sergei NaryshkinFotografi: Getty Images

Diskutime për votën

Sipas deputetit gjerman Axel Fischer (CDU) masa e marrë ndaj Rusisë për heqjen e votës duhet të vazhdojë - "deri në mbledhjen e ardhshme në prill". Axel Fischer është kryetari i delegacionit gjerman dhe zëvendëspresident i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Në bisedë me DW-në ai tha: "Ne presim që Rusia të afrohet me qëndrimet e Këshillit të Europës." Në rastin e Krimesë kjo nuk u bë. Situata në Ukrainën lindore është përkeqësuar.

Ngjashëm mendon dhe Gerhard Mangott: "Rusia nukka bërë muajt e fundit asgjë pozitive për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë lindore", tha eksperti për Europën Lindore në Universitetin e Insbrukut.

Gerhard Mangott
Gerhard MangottFotografi: Celia di Pauli

Në Komitetin e Monitorimit të Asamblesë Parlamentare, ka pasur sipas Alex Fischer diskutime të nxehta. Çështja kryesore ishte çështja e së drejtës së votimit. Disa duan t'ia kthejnë atë delegacionit rus që tani, të tjerët thonë se duhet pritur ende. Me 22 ndaj 20 votash komiteti rekomandoi që Rusisë t'i kthehet vota, tha Fischer. Por vendimi përfundimtar do të merret të mërkurën prej të gjithë deputetëve .

Rusia humbur të drejtën e votës dy herë

Rusia është anëtare e Këshillit të Europës nga viti 1996. Deri tani delegacioni rus është privuar nga e drejta për të votuar dy herë - vitin e kaluar dhe në vitin 2000 për shkak të luftës në Çeçeni. Në atë kohë kufizimi u hoq pas një viti. Para votimit të mërkurën, Naryshkini është optimist: "Unë mendoj se Mbledhja Parlamentare do të marrë vendimin e drejtë lidhur me të delegacionin rus," tha ai.

Por zhvillimet në Ukrainë, si luftimet në Mariupol, do të ndikojnë me siguri në vendimin e shumë parlamentarëve, mendon Gerhard Mangott. Sipas tij masa e heqjes së votës do të vazhdojë por nuk priten ashpërsime të mëtejshme.

Çështja Savchenko

Mosmarrëveshje ka edhe për piloten ukrainase Nadija Savchenko, e cila luftonte si vullnetare kundër separatistëve prorusë në Ukrainën lindore. Në verën e vitit 2014 ajo u zu rob dhe mbahet në burg në Rusi nën akuzën se ka ndihmuar për vrasjen e dy gazetarëve rusë. Në Ukrainë ajo konsiderohet si heroinë dhe në zgjedhjet e tetorit 2014 u zgjodh si deputete e Partisë së Atdheut në parlamentin e Ukrainës. Ajo duhet të përfaqësojë Ukrainën në Straßburg dhe për këtë gëzon edhe imunitet diplomatik. Anne Brasseur, Presidente e Asamblesë Parlamentare, i kërkoi me shkrim Rusisë ta lejojë Savchenkon që të vijë në Strasburg. Por Moska nuk pranoi. Ajo duhet të dalë një herë para gjykatës, tha Naryshkin.

Wahlkampf Parlamentswahlen Kiew
Fotografi: picture-alliance/dpa/Maxim Nikitin

A do ta brakstisë Rusia Këshillin e Evropës?

Kryetari i parlamentit rus ka thënë disa herë se vendi i tij e vlerëson punën e Këshillit të Evropës. Megjithatë, ai nuk e përjashton që Rusia mund të tërhiqet nga kjo organizatë. Nëse nga këndvështrimi i Moskës nuk do të ketë përparime do të shtohet "pyetja mbi vazhdimin e anëtarësisë në Këshillin e Europës", tha Naryshkin në një intervistë për gazetën e Moskës "Kommersant".

Strasburgu nuk duket se do ta provokojë Rusinë për një hap të tillë. Naryshkinit i lejohet të udhëtojnë pa probleme, për shembull, në Francë edhe pse në fakt, kryetari i Dumës është në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian. Megjithatë, ai arriti ta kalonte ndalimin e udhëtimit përmes kanaleve diplomatike - sepse ka imunitet diplomatik. Naryshkin po përfiton pra nga skema, së cilën Rusia ia refuzon ukrainases Savchenko.