1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia nuk nxiton me Osetinë Jugore

Osetia Jugore planifikon një referendum për bashkimin me Rusinë. Zyrtarisht Kremlini distancohet nga një plan i tillë. Moska duket aktualisht e kënaqur me gjendjen e status-quosë në këtë rajon.

Russland Südossetien Tibilow bei Putin

Tibilov u takua me Putinin (18.03.2015)

„Ne duam të shfrytëzojmë shansin historik dhe të bashkohemi shtetin vëlla rus, me qëllim që të garantojmë siguri dhe mirëqenie për Republikën dhe popullin tonë për dekadat e ardhshme“, tha së fundmi në Moskë, Leonid Tibilov, presidenti i Republikës së Osetisë Jugore të shkëputur nga Gjeorgjia. Pas bisedimeve me këshilltarin e presidentit rus, Vladislav Surkov ai bëri të ditur se do të zhvillojë një referendum për bashkimin ne Rusinë. Nga Kremlini erdhi reagimi se nuk bëhet fjalë për një referendum, por për një integrim të thelluar me Rusinë.

Rajoni i Kaukazit Jugor u shkëput nga Gjeorgjia pas shpërbërjes së Bashkimit Sivjetik, por ashtu si Abkazia. Në vitin 1992 në një referendum shumica dha votën për bashkimin me Rusinë. Por në një referendum tjetër në vitin 2006, vota u dha për pavarësinë. Në vitin 2008 Gjeorgjia u përpoq të rimerrte rajonin me 50.000 banorë, gjë që dështoi për shkak të ndërhyrjes së Moskës. Rusia e njeh Osetinë Jugore si një shtet të pavarur dhe e mbështet financiarisht. Sipas palës gjeorgjiane një referendum do të binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare. Ajo i cilëson planet si një manovër të politikës së Moskës për një “aneksim të ngadalshëm”.

Soldat an der Grenze zwischen Russland und Georgien

Ushtar në kufirin e Gjoergjisë me Rusinë

Banorët jo të një mendimi

Wadim Muchanov nga Qendra për Problemet e Kaukazit dhe Sigurinë Rajonale në Institutin e Moskës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare beson se planet e bashkimit vijnë nga Osetia vetë. „Osetia Jugore është shumë e destabilizuar. Nuk po zhvillohet ashtu si duhet, prandaj njerëzit do të kenë gjithmonë die të tilla“, tha ai për Deutsche Welle-n.

Sipas ekspertit është ende herët që të flitet për një referendum të shpejtë dhe një hyrje të Osetisë Jugore në Federatën Ruse. „Brenda vetë shoqërisë së Osetisë Jugore dhe elitës nuk ka ujdi për këtë. Njëra palë do integrimin, por ruajtjen e pavarësisë. Tjetra do një bashkim të shpejtë me federatën, dhe statusin e një subjekti brenda federatës. Kjo ka problemet e veta, sepse ndërkohë ka një republikë - pjesë të federates - Osetia Veriore dhe Alania. Ka edhe nga ata që duan të bashkohen me Rusinë, pa qenë subjekt federate.”

Shumë pikëpyetje

Karte Georgien Südossetien Englisch

Harta në anglisht e Osetisë Jugore dhe Gjeorgjisë

Nuk ka dyshim që edhe Kremlini e trajton çështjen e Osetisë. Provë për këtë është nënshkrimi i marrëveshjes së integrimit. Por nuk ka shenja se Rusia do ta zgjerojë pozicionin e saj. “Moska mund të rrijë e heshtur dhe të mos reagojë ndaj deklaratave të Leonid Tibilovit, dhe të presë kushte më të mira”, thekson eksperti Muchanov. Sipas ekspertit ka ende shumë çështje të hapura, si kufiri i vjetër administrativ i kohës së Bashkimit Sovjetik.

Janë pikërisht kufijtë që shkaktojnë konflikte mes Osetisë Jugore dhe Gjeorgjisë. Tiflis fajësoi në gusht 2014 pushtetmbajtësit në Osetinë Jugore dhe Moskën për shtyrje të vijës së demarkacionit. Ministria e Jashtme e Gjeorgjisë bëri fjalë për një “provokim të Moskës”. Gjeorgjia i trembet humbjes së kontrollit mbi një pjesë të gazsjellësit Baku-Supsa. Sidoqoftë, mendon eksperti Muchanov Kremlini nuk sheh ndonjë nevojë urgjente për futjen e Osetisë Jugore brenda federatës ruse, ashtu si ndodhi me Krimenë. “Kremlini ka kohë”.

Rreziqe për Rusinë

Edhe Andrej Grossin nga Instituti për Bashkësinë e Shteteve të Pavarura është i të njëjtit mendim. “Statusi i Abkazisë dhe Osetisë Jugore është aktualisht optimal për interesat ruse. Pse duhet të ndryshojë diçka Kremlini? Përfitimet territoriale nuk kanë kuptim. Pra nuk është Krimeja, që është një aeroplanmbajtëse që nuk duhet fundosur”, thotë ai në bisedë me Deutsche Welle. Nuk duhet mbivlerësuar rëndësia strategjike dhe ekonomike e Osetisë Jugore për Rusinë.

Mbetet ende e hapur si do të vendosë Moska në lidhje me Osetinë Jugore, thotë Grossin. “Nuk jam diplomat dhe mund të them vetëm se Moska nuk e vret mendjen tani shumë për Tiflisin. Ia vlen për shkak të Osetisë Jugore të rëndohet edhe më tej marrëdhënia me Brukselin e Uashingtonin që edhe pa të është e vështirë?“