1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia ndalon rihyrjen e emigrantëve moldavë, që ishin në vendlindje për të votuar

Rusia u ndalon rihyrjen shumë migrantëve moldavë, që kishin shkuar në vendlindje për zgjedhjet parlamentare. Ekspertët e shohin këtë si pjesë të një strategjie të Moskës për ta mbajtur larg vendin nga BE.

Bus von Chisinau nach Moskau

Linjë autobuzi nga Kishinau në Moskë

Qyteza e vogël Orhej duket e braktisur, sikur koha të ketë mbetur në vend që prej 100 vetësh. Nga shtëpitë, të cilave u ka rënë suvaja, duken vende-vende tullat. Një manastir i veçuar lart mbi luginë të kujton traditat qindravjeçare fetare të moldavëve. Rrugicat me baltë, që përshkojnë peizazhin në vend të rrugëve, nuk të ngjallin aspak ndjesinë se Chisinau, kryeqyteti i republikës së Moldavisë, ndodhet rreth 50 kilometer më tej. Në vendet si Orhej shihet dukshëm i gjithë mjerimi i republikës së pavarur të themeluar që nga viti 1991. Ngaqë këtu nuk ka punë, shumë burra të rinj janë larguar, legalisht ose ilegalisht. Që nga pavarësia Republika e Moldavisë ka humbur një të tretën e popullsisë. Gati gjysma e gati një milion emigrantëve ka kërkuar punë në Rusi.

Një herë në javë një autobuz shkon nga Chisinau në Orhej dhe që andej në Moskë. Gheorghe Vasilcau e ndjek autobuzin me vështrim të trishtuar, sepse ai vetë si punëtor ndërtimi nuk mund të shkojë më në Rusi. Dymbëdhjetë vjet me rradhë 32 vjeçari ka qenë i vetmi person në familje, që fitonte paranë. "Në vendlindje nuk gjeja dot punë, sepse këtu nuk ka. Prandaj më duhej të punoja në Rusi. Atje paga është më e mirë dhe ka punë." Gheorghe duhet të ushqejë gruan dhe tre fëmijët. Si shumë migrantë moldavë punëtori i ndërtimit i dërgonte nga Moska paratë në shtëpi. Që të bënte pushim dhe të vizitonte familjen nuk shtrohej për diskutim. Frika se nuk do të kthehej më dot në Rusi ishte e madhe. Por pak para zgjedhjeve Gheorghe u ndje i inkurajuar, që të nisej për në pushimin e shumëdëshiruar për në shtëpi.

Emigrantët i mashtroi pokeri i zgjedhjeve

Më 4 nëntor, tri javë para zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Moldavisë, kryetari i partisë socialiste të Moldavisë, Igor Dodon, takoi presidentin rus Vladimir Putin. Pas këtij takimi Shërbimi Federal i Migracionit në Rusi njoftoi zyrtarisht, se migrantët moldavë mund të shkojnë në vendlindje për të votuar dhe mund të kthehen përsëri pa probleme në Rusi. Edhe me votat e migrantëve moldavë nga Rusia socialistët ish komunistë dolën partia më e fortë nga zgjedhjet. Megjithatë tri partitë proevropiane së bashku mundën të arrinin një shumicë në parlament.

Alexandru Fala Wirtschaftexperte aus Chisinau

Eksperti Alexandru Fala

Gheorghe dhe shumë migrantë të tjerë ndjehen tani të mashtruar. "Kur shkova në shtëpi, munda ta kaloj pa problem kufirin. Kur desha të kthehesha sërish në Rusi pas zgjedhjeve, rojet kufitare ma mbajtën pasaportën 20 minuta. Mua m'u ndalua që të hyja përsëri." Si shumë migrantë të tjerë ai ndjehet i shfrytëzuar si "bagëti që jep vota": "Unë i besova Igor Dodonit dhe tani kam humbur punën. Çfarë duhet të bëj? Moska na trajton si terroristë, apo kriminelë. Unë nuk e di se me çfarë do të jetojmë."

Sipas të dhënave të "Kongresit të Diasporës Moldave", Rusia ndërkohë u ka refuzuar rihyrjen më shumë se 9000 punëtorëve migrantë moldavë pas një qëndrimi në vendlindje. OJQ-ja e regjistruar në Moskë, që përfaqëson interesat e punëtorëve emigrantë, vetëm nga data 1 deri 10 dhjetor ka regjistruar 140 raste të reja si ai i Gheorghe. Shërbimi Federal i Migrimit në Rusi njoftoi se të refuzuarit kanë shkelur të drejtën e qëndrimit në Rusi. Deri tani moldavët mund të qëndronin deri në 90 ditë në Rusi pa asnjë kusht. Por në 15 vitet e fundit migrantët me kontrata pune pranoheshin në Rusi në heshtje.

Wahlen Moldawien 2014

Zgjedhjet në Moldavi pasuan me hakmarrjen e Moskës

Por që kur Republika e Moldavisë ka bërë parafimin e marrëveshjes së asoiimit me BE, nuk ka më tolerancë. Moska bëhet gjithnjë e më e rreptë. Pas ndalimit të importit të mallrave dhe produkteve, që e dëmtojnë rëndë ekonominë e ish-republikës sovjetike, politikanët rusë kërcënojnë tani, që shtëpitë atje të mbeten këtë dimër pa ngrohje. Shërbimi Federal i Migrimit në Rusi ka theksuar prej disa muajsh se 235.000 moldavë kanë vështirësi me dokumentet e qëndrimit.

Një luftë e fshehtë ekonomike

Problemet e hyrjes së migrantëve janë më shumë se vetëm probleme individuale. Ekonomia e Republikës së Moldavisë varet nga remitancat e punëtorëve emigrantë. "Në gjashtë muajt e parë të vitit 2014 kanë ardhur nga jashtë rreth 1,5 miliardë dollarë amerikanë", thotë Alexandru Fala, analist ekonomik në OJQ-në moldave "Grupi i eskpertëve". Dërgesat e parave nga jashtë përbëjnë rreth 30 përqind të produktit të përgjithshëm kombëtar të vendit. "Dhe 60 deri 65 përqind e këtyre remitancave vijnë nga Rusia."

Alexandru Fala e sheh politikën e migracionit të Moskës si një pjesë të strategjisë ruse, për ta larguar Republikën e Moldavisë nga afrimi me BE përmes presionit ekonomik. "Kam frikë se dëbimi i migrantëve moldavë nga Rusia do të sjellë humbje të mëdha për ekonominë tonë. Të ardhurat do të bien dhe në përputhje me to edhe të ardhurat nga taksat", thotë analisti. Produkti i brendshëm bruto mund të reduktohet me 4,3 për qind. Kjo është një tjetër goditje e rëndë për ekonominë e Republikës së Moldavisë.

DW.COM