1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia ndalon eksportet e drithërave

Për shkak të thatësirës së ashpër dhe zjarreve që kanë shpërthyer në të gjithë vendin, qeveria ruse ka ndaluar eksportet e drithërave. Pasojat do të jenë ndjeshme për konsumatorët: çmimi i bukës do të rritet.

Zjarret djegin edhe fushat e mbjella me drithëra.

Zjarret djegin edhe fushat e mbjella me drithëra.

Zjarret në pyje dhe thatësira tani godasin edhe bujqësinë në Rusi. Të paktën 20% e të mbjellave janë djegur ose tharë, pritet një rënie në të korra prej rreth 20 milionë tonë. Qeveria ruse ka reaguar duke ndaluar eksportet e drithërave. Një zëdhënës i qeverisë bëri të ditur, se ndalimi i eksporteve për grurin, misrin, thekrën do të jetë në fuqi nga 15 gushti deri në fund të dhjetorit. Vetëm kështu mund të mbahen stabile çmimet e ushqimeve në vend, argumentoi të enjten (6.8.) këtë vendim kryeministri rus Vladimir Putin. Çmimet e produkteve ushqimore në Rusi që tani janë rritur me rreth 15% për shkak të thatësirës dhe katastrofës së zjarrit.

Pasoja në të gjithë botën

Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë. Rënia drastike e sasisë së të korrave ka shkaktuar që tani rritjen e çmimeve të grurit. Ekspertët druhen se do të ketë çrregullime të tjera në tregjet ndërkombëtare të drithërave. Edhe konsumatorët në Evropë dhe SHBA duhet të llogarisin me rritje të lehta të çmimeve të bukës dhe drithërave. Ata që përfitojnë nga rënia e sasisë së të korrave në Rusi janë vetëm bujqit në SHBA, Argjentinë dhe Australi. Në BE dhe Kanada këtë vit nuk priten të korra të mira.

Zjarret vazhdojnë

Në gjithë Rusinë kanë pllakosur 520 zjarre, nga të cilat kanë humbur jetën 50 vetë. Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një telefonatë me Presidentin Dmitri Medvedev, ofroi ndihmën gjermane për luftimin e zjarrit. Ndërkaq përballë dëmeve të mëdha të shkaktuara nga zjarret në Rusi, presidenti rus Dmitri Medwedew ka shkarkuar një numër oficerë të rangut të lartë dhe ka paralajmëruar drejtuesit e marinës së vendit.

Presidenti rus Dmitri Medwedew ka shkarkuar një numër oficerë të rangut të lartë.

Presidenti rus Dmitri Medwedew ka shkarkuar një numër oficerë të rangut të lartë.

Kështu presidenti rus ka reaguar ndaj shkatërrimit të një qendre për furnizimin e marinës në Kolomna, në juglindje të Moskës. Shumë automjete dhe objekte armatimi ranë atje pre e flakëve. "Gjithçka që ka ndodhur atje është thjesht mospërmbushje e detyrave. Zjarri u përhap shpejt në terrenin e kampit për shkak të neglizhencës kriminale të drejtuesve, të cilët nuk dihej ku ishin në kohën e shpërthimit të zjarrit. Unë kam udhëzuar ministrinë e Mbrojtjes të shkarkojë një numër oficerësh për shkelje të disiplinës në shërbim. Nëse diçka e ngjashme përsëritet diku gjetkë, unë do të veproj pa mëshirë në të njëjtën mënyrë", u shpreh Medwedew.

Vladimir Putin gjatë një vizite tek zjarrfikësit në rajonin tepër të prekur përreth qytetit Voronezh.

Vladimir Putin gjatë një vizite tek zjarrfikësit në rajonin tepër të prekur përreth qytetit Voronezh.

Situata është përkeqësuar edhe në Moskë. Tymi i flakëve mbulon me smog të dendur qytetin dhjetëmilionësh. Volkswagen (VW) e ndërpreu prodhimin në fabrikën e tij Kaluga, 170 kilometra në jugperëndim të Moskës. Punëtorët duhen mbrojtur nga tymi i dendur i krijuar, njoftoi VW.

Autor: Angelina Verbica/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 05.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OcaV
  • Data 05.08.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OcaV