1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia mundohet të zbulojë misterin e vdekjes së Berezovskit

Vdekja e papritur e oligarkut Boris Berezovski ne mërgim në Britaninë e Madhe, është një enigmë për shumë rusë. Thuhet se miliarderi Berezovski e solli në pushtet Putinin, por më vonë u bë kritik i ashpër i Kremlinit.

Po të lexosh reagimet nga Rusia për vdekjen e papritur të biznesmenit dhe kritikut të Kremlinit, Boris Berezovski, të krijohet përshtypja se ke të bësh me një oligark të rrënuar financiarisht dhe të penduar. "Asgjë nuk dëshiroj më shumë, se sa të kthehem në Rusi. Kam ndryshuar shumë në pikëpamjet e mia", duhet të ketë thënë Boris Berezovsky në një bisedë me korrespondentin e revistës ekonomike "Forbes" në rusisht. Biseda duhet të jetë zhvilluar disa orë para vdekjes së Berezovskit dhe nuk ishte parashikuar të botohej.

Berezovski i kishte kërkuar falje Putinit për gabimet e tij dhe donte të kthehej në Rusi, deklaroi zëdhënësi i presidentit, Dmitri Peskov, në disa intervista për mediat ruse. Putini duhet të ketë marrë në janar 2013 një letër të shkruar me dorë nga Berezovski. Lidhur me reagimet e Kremlinit Peskov nuk u shpreh.

Vdekje misterioze në Londër

Oligarku dikur i fuqishëm rus vdiq të shtunën (23.03.2013) në moshën 67 vjeçare. Sipas informacioneve të medias, Berezovski u gjet në banjon e shtëpisë së tij në afërsi të Londrës nga një truproje. Shkaku i saktë i vdekjes është ende i paqartë. Policia njoftoi të dielën (24.03.2013) se Berezovski, sipas të dhënave të para, nuk ka qenë viktimë e një krimi të dhunshëm. Por duhet pritur rezultati përfundimtar i autopsisë, thonë autoritetet britanike. Megjithatë në shpëti nuk janë gjetur substanca radioaktive apo kimike të dyshimta.

Tod des Putin-Gegners Boris Beresowski

Nisin menjëherë hetimet pas lajmit për vdekjen e Boris Berezovskit

Urdhëri për hetim për armë ABC është dhënë siç duket për shkak të rastit të Alexander Litvinenkos. Ish-spiuni rus Aleksandër Litvinenko ishte një i besuar i Berezovskit dhe gjithashtu kritik i Kremlinit. Litvinenko u helmua në Londër në vitin 2006 me polonium radioaktiv. Në rastin e Berezovskit është spekuluar gjithashtu për vetëvrasje, apo vdekje për arsye shëndetësore. Aktivisti opozitar Sergei Parhomenko shkroi në blogun e tij: "Nuk mund ta imagjinoj se është vetëvrasje."

Nga njeri i afërt i Jelcinit një oligark në mërgim

Në vitet 1990 Berezovsky luante një rol të rëndësishëm në politikën ruse. Matematicieni pas rënies së Bashkimit Sovjetik u ngjit në rangun e të ashtuquajturit oligark, një biznesmen i fuqishëm me lidhje me politikën. Ai i fitonte milionat ndër të tjera me tregti makinash. Berezovski shiste Lada ruse dhe limuzina gjermane Mercedes. Përveç kësaj biznesmeni kontrollonte edhe disa banka, kompani nafte, shoqërinë ajrore "Aeroflot" dhe disa media, ndër to edhe kanalin më të shikuar televiziv në Rusi, ORT. Ndikimi i Berezovskit te ish- presidenti rus Boris Jelcin ishte shumë i madh, tregojnë dëshmitarët.

Duhet të ketë qenë Berezovski, ai që në vitin 1999, i propozoi Jelcinit të sëmurë, Vladimir Putinin, atëherë pak i njohur, si pasuesin e tij në Kremlin, bëjnë të ditur mediat ruse. Por pas fitores së Putinit në zgjedhjet e vitit 2000 erdhi prishja e lidhjes mes tyre. Berezovski më vonë mori azil në Britaninë e Madhe dhe u bë një nga kritikët më të ashpër të Kremlinit. Në Rusi ai u dënua në mungesë për krime ekonomike me 13 vjet burg. Procese të tjera kundër tij janë ende të hapura.

Llogaria bankare e ish-miliarderit duhet të jetë zvogëluar në vitet e fundit. "Forbes" ruse e vlerëson pasurinë e Berezovskit në 2011 me 0,7 miliardë dollarë amerikanë. Në vitin 2008 ajo duhej të ketë qenë dy herë më e madhe. Në vjeshtën e vitit 2012 Berezovski pësoi një disfatë të hidhur në betejën kundër një oligarku tjetër rus, Roman Abramovich. Një gjykatë në Londër refuzoi padinë e Berezovskit kundër Abramovich-it për gjoja mashtrim në blerjen e aksioneve të një kompanie nafte. Berezovskit iu desh të paguante shpenzimet e gjyqit në shumën prej 53.3 milionë dollarë amerikanë.

Gogoli i kombit

Lajmi i vdekjes së Berezovskit në Rusi ka bërë shumë bujë. Shumë e konsiderojnë atë si një "gjeni të lig". "Çfarë finaleje e papritur. Unë jam e shokuar", shkruan gazetarja e radios "Eho Moskvy", Ksenia Larina, në blogun e saj. Edhe pse nuk e ka njohur personalisht Berezovskin, ajo e ka ndjerë karizmën e tij gjatë një interviste telefonike.

Berezovksi nuk ka pasur asnjë ndikim në politikën ruse të kohëve të fundit, tha zëdhënësi i Putinit, Peskov. Këtë mendim ka edhe nga politikani opozitar, Boris Nemzov. Kritiku i Kremlinit Berezovski nuk e ka mbështetur kurrë financiarisht opozitën ruse, tha Nemzov në një intervistë për Deutsche Welle-n. Sipas mediave të tjera Berezovski e ka ndihmuar opozitën. Por prova për këtë nuk ka.

"Berezovsky ka qenë për dhjetë vjet i përjashtuar nga politika ruse," thotë sociologu nga Moska, ish-anëtar i këshillit presidencial për të Drejtat e Njeriut, Dmitri Oreshkin, për DW. Oligarku në mërgim konsiderohej si "princ i ferrit". Disa politikanë mendojnë se Berezovski qëndronte pas grupit të diskutueshëm muzikor "Pussy Riot", gjë që ai e mohoi, sa ishte gjallë. Në dhjetor të vitit 2012 televizioni shtetëror "Rusia 1" pohoi se Berezovski kishte dhënë urdhër për disa vrasje, duke përfshirë edhe atë të një prezantuesi televiziv dhe të një deputeti. Hetimet janë ende në vazhdim.