1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Rusia lëshon (pak) pe në çështjen e Sirisë

Regjimi i Sirisë po humb gjithnjë e më shumë kontrollin. Lufta po shkallëzon, ndërkohë që tani edhe Këshilli i Sigurimit arriti të premten (20.7.) të marrë një vendim, me pëlqimin e Rusisë.

Rusia ka lëshuar pe. Të paktën në këtë rast. Befasisht të gjitha 15 anëtaret e Këshillit të Sigurimit të OKB votuan për vazhdimin e misionit të vëzhguesve të OKB-së në Siri edhe për 30 ditë. Rusia kishte paralajmëruar para senancës se sërish do të përdorte veton, por pas këshillimeve dhe konsultimeve me qeverinë në Moskë, këtë vendim e kanë mbështetur edhe Rusia dhe Kina. Në mesnatë (20.07.2012) misioni vazhgues do të kishte skaduar. Por pak orë më parë u vendos për vazhdimin e misionit edhe për një muaj, bëri të ditur ambasadori britanik në OKB Lyall Grant.

"Është ky vazhdimi i fundit. Vendimi mund të ndryshojë vetëm në qoftë se në këtë vend do të kishte ndryshime të rëndësishme. Për plotësimin e këtij misioni të domosdoshme janë tërheqja e armëve të rënda dhe ndërprerja e dhunës", theksoi ai.

Misioni vëzhgues

Misioni vëzhgues është dërguar në Siri para katër muajsh, për të kontrolluar armëpushimin dhe zbatimin e planit paqësor të të dërguarit të posaçëm, Kofi Annan. Por përdorimi masiv i armëve kundër civilëve ka vazhduar edhe pas dërgimit në këtë vend të misionit vëzhgues. Sipas të dhënave të OKB-së, regjimi i Sirisë po përdorë tanke, artileri të rëndë dhe helikopterrë lufte për të sulmuar kryengritësit në vende të banuara. Puna e misionit vazhgues është ndërprerë me 16 qershor, pas shkallëzimit të dhunës.

Nuk ka ndonjë përparim i madh

Ambasadori gjerman në OKB Peter Wittig thotë se zbatimi i planit të Annanit është shumë me rëndësi. Por votimi i fundit në KS nuk duhet të mashtrojë, sepse dallimet mes vendeve perëndimore si dhe Rusisë dhe Kinës ende nuk janë tejkaluar.

"Ky vendim nuk ndryshon faktin që Rusia dhe Kina një ditë më parë kanë votuar kundër rezolutës sonë për Sirinë. Ne shpresojmë se vetoja e dyfishtë, e Rusisë dhe Kinës, nuk do të cënojë planin e Annanit", thotë Wittig.

Rusia dhe Kina për herë të tretë kanë bllokuar një rezolutë të vendeve perëndimore, me të cilën parashikoheshin sanksione më të rrepta kundër Sirisë, në qoftë se regjimi i atjeshëm vazhdon me dhunën.

Ditët e fundit luftimet më të rrepta mes kryengritësve dhe trupave qeveritare janë zhvilluar në Damask. Por, sipas të dhënave të opozitës, kryengritësit kanë futur nën kontroll edhe disa pika kufitare në kufirin me Turqinë dhe Irakun.