1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia e SHBA diskutojnë planin e Moskës për sulme kundër IS në Siri

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e homologu i tij amerikan, John Kerry diskutuan propozime për operacione të përbashkëta kundër militantëve. Nga bombat në Siri ndërkohë të hënën u vranë dhjetëra vetë.

Uashingtoni thuhet se e ka pritur me ndjenja të përziera propozimin e Moskës të javës së kaluar. Moska propozoi që Rusia dhe koalicioni i drejtuar nga SHBA të ndërmarrin sulme ajrore të përbashkëta kundër kryengritësve sirianë, duke përfshirë grupin militant islamik Fronti Nusra. Përmbajtja e bisedimeve, të zhvilluara në telefon të hënën nuk u publikua.

Ndërkohë, nga shpërthimet e bombave të hënën e humbën jetën 148 vetë dhe u plagosën 200 të tjerë në Jableh dhe në Tartous, në bregdetin mesdhetar të Sirisë. Ky territor është nën kontrollin e Assadit dhe në të janë strehuar edhe baza ushtarake ruse.

Observatori për të Drejtat e Njeriut me qendër në Londër tha se sulmet u ndërmorën nga të paktën pesë atentatorë vetëvrasës dhe me dy mjete shpërthyese të vendosura në automjete.

Këto qenë sulmet e para të këtij lloji në Tartous, kryeqytet i provincës Tartous ku është vendosur një bazë detare ruse, dhe në Jableh të provincës Latakia, pranë një baze ajrore ku veprojnë rusët.

Zona të pagoditura më parë

Televizioni shtetëror sirian tha se njëri nga atentatorët në Jableh me sa duket po ndihmonte personat e plagosur kur e hodhi veten në erë. Ky rajon bregdetar është nën kontrollin e fortë të qeverisë dhe aty janë strehuar mijëra vetë që kanë marrë arratinë nga konflikti në qytetet kryesore të vendit. Të dyja qytetet i kanë shpëtuar deri tani dhunës më të ashpër në konfliktin pesëvjeçar në Siri.

Përgjegjësinë për atentatet e mori i ashquajturi "Shteti Islamik" (IS), i cili tha se si objekt i sulmeve të tij qe minoriteti fetar i alavitëve. Kremlini reagoi pas atentateve me një deklaratë të posaçme. Ndodhitë shtojnë presionin që bisedimet e Gjenevës të vazhdojnë pas marrjes fund të armëpushimit të 27 shkurtit, u kërkua nga pala ruse. Presidenti rus,Vladimir Putin ritheksoi gatishmërinë e tij për të luftuar me qeverinë siriane kundër "rrezikut terrorist" dhe i dërgoi ngushëllimet e tij Asadit.