1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia e Kina refuzojnë rezolutën për Sirinë

Në Nju Jork u zhvillua një seancë e posaçme për situatën në Siri dhe miratimin e një rezolute kundër regjimit të Assad-it. Ndërkohë forcat ushtarake siriane kanë verpuar dhunshëm ndaj civilëve duke lënë qindra të vdekur.

KS të OKB-së duke debatuar për Sirinë

KS të OKB-së duke votuar për Sirinë

Rusia dhe Kina që kanë të drejtën e vetos kanë penguar përsëri Këshillin e Sigurimit që të dënojë dhunën në Siri. 13 vendet e tjera anëtare të forumit më të lartë të Kombeve të Bashkuara miratuan në Nju Jork një projektrezolutë të mbështetur nga Liga Arabe dhe shtetet europiane.

Kjo projektrezolutë parashikon një dënim të udhëheqjes në Damask dhe dorëheqjen e presidentit Baschar al-Assad me argumentin se kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut. Bllokimi i rezolutës nga Rusia dhe Kina është kritikuar ashpër edhe ndërkombëtarisht. Sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Mun foli për një zhgënjim të madh. Ambasadorja amerikane në OKB Susan Rice e quajti procesin të neveritshëm. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle tha se kjo është një veto kundër popullit në Siri.

Pak para votimit në Këshillin e Sigurimit, regjimi sirian kishte vepruar përsëri dhunshëm kundër civilëve. 200, 260 apo 300 të vdekur? Askush nuk e di. Numri i viktimave informohet vetëm nga grupe të ndryshme opozitare, shpesh nga jashtë Sirisë. Dëshmitarët në Homs i referohen mjedisit të tyre. Një banor thotë: "Njerëzit kanë nevojë për gjak, ata nuk mund të dalin jashtë, qëllohet vazhdimisht kudo".

Situata në qytete mbetet shqetësuese

Ambasadori i Sirisë në OKB, Bashar Jaafari dhe ambasadori kinez, Li Baodong

Ambasadori i Sirisë në OKB, Bashar Jaafari dhe ambasadori kinez, Li Baodong

Dy pjesë të qytetit Homs, i treti për nga madhësia në Siri janë prekur më shumë: Bab Amr dhe Khalidiya. Ato janë bastione të kryengritjes kundër Asad-it dhe objektivi i dhunës së ushtruar nga forcat e sigurimit prej muajsh. Një aktivist i opozitës informon se ushtria në këto pjesë të qytetit ka përdorur tanke dhe artilerinë për të bombarduar. Të dhënat e opozitës janë po aq pak të verifikueshme sa mediet shtetërore siriane, që thonë se kjo e gjitha nuk është e vërtetë.

E gjitha do të shoqërohet nga një fushatë mediatike ndërkombëtare. Por situata në Siri vazhdon të mbetet shqetësuese. Eksperti për Sirinë Joseph Kechechian sheh pak shanse për vendosjen e paqes në këtë vend. "Siria po zhytet gjithnjë e më tepër në luftë civile. Dhuna do të vazhdojë në javët dhe muajt e ardhshëm. Këtu do të bëhet edhe më keq për ne", thotë ai.

Autor: dpa/Liedhold/M.Kelmendi

Redaktoi: Auron Dodi

DW.COM