1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rusia e kërcënon Ukrainën me invazion

Ashpërsohen tonet në konfliktin e Ukrainës. Pasi qeveria në Kiev njoftoi rifillimin e aksioneve anti-terror në lindje, Rusia po kërcënon hapur me dërgimin e trupave.

Rusia do të dijë të përgjigjet, nëse interesat e saj do të shkelen në Ukrainë, tha ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov në stacionin televiziv Russia Today. "Në qoftë se interesat tona legjitime sulmohen, si në Osetinë jugore në vitin 2008, unë nuk shoh asnjë rrugë tjetër, veç se të përgjigjemi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare", tha Lavrov. Çdo sulm ndaj qytetarëve rusë është një sulm mbi Federatën Ruse, tha më tej Sergej Lavrov. Në Ukrainën lindore jetojnë më shumë rusë etnikë. Shumë prej tyre kanë pasaportë ruse.

Russlands Außenminister Lawrow

Ministri i jashtëm rus Lavrov



Shpjegime të mëtejshme ministri nuk dha. Por përmendja e Osetisë Jugore sinjalizon ndërhyrjen ushtarake. Osetia jugore, që zyrtarisht i përket Gjeorgjisë, shpalli pavarësinë në vitin 2008. Kur Gjeorgjia u përpoq ta parandalojë këtë me një ndërhyrje ushtarake, trupat ruse marshuan në Kaukazin e Jugut dhe më vonë edhe në Gjeorgji. Në fundi të gushtit 2008 Rusia njohu si shtete të pavarura Osetinë e Jugut si dhe republikën e Abhazisë të shkëputur nga Gjeorgjia.

Separatistët kërkojnë ndërhyrjen e Rusisë

Më parë qeveria e Ukrainës e kishte shpallur zyrtarisht të përfunduar armëpushimin në fuqi dhe kishte njoftuar për përparime të reja kundër separatistëve prorusë në lindje të vendit. "Operacioni anti-terror" vazhdon në shkallë të gjerë dhe do të japë edhe rezultate, tha zëvendëskryeministri Vitali Jarema në kuadër të një takimi të kabinetit qeveritar. Ai shpreson te ndihma e plotë e Shteteve të Bashkuara, nëse Rusia sulmon Ukrainën.

Ministria e brendshme ukrainase njoftoi në ditën e parë të mësymjes së re në lindje "çlirimin" e qytetit Sviatogorsk. Vendi ndodhet pranë Slowjanskut, një bastioni të milicëve prorusë.

Në lindje të Ukrainës kryengritësit mbështeten nga disa mijëra simpatizantë. Shumë prej tyre shpresojnë nö një intervenim të Rusisë. Kështu për shembull “kryetari i bashkisë së popullit” të qytetit Slovjansk të kontrolluar nga kryengritësit në veri të Doneskut, Vjaçeslav Ponomarjov, iu drejtua presidentit Putin me lutjen, që ai të dërgojë një “kontigjent trupash paqeruajtëse”, në mbrojtje “të popullsisë paqësore” kundër “fashistëve dhe “imperialistëve të të gjitha llojeve”.

Separatist i armatosur në Slovjansk

Separatist i armatosur në Slovjansk

Thirrje të tilla ndihme u vijnë përshtat strategëve të Moskës. “Vetëm dhuna”, thotë një komentator i agjencisë ruse të lajmeve Itar-Tass, “mund ta ndalojë juntën e Kievit që të pushtojë juglindjen”. Me juntën e ka fjalën për qeverinë në Kiev.

Teza e një populli

Në daljen e tij në televizion para një jave Putin tha se këto rajone i kanë rrënjët të lidhura me shtetin rus. Ai u shpreh negativisht për vendimin e udhëheqjes sovjetike në vitet njëzet, për ta ndarë Lindjen e sotme të Ukrainës nga Rusia dhe për t'ia dhënë republikës sovjetike ukrainase dhe vlerësoi pozitivisht pikëpamjen e “lëvizjes së bardhë”, kundërshtarëve të bolshevikëve. Ata, tha Putini, i kanë parë “ukrainasit dhe rusët” si një popull dhe me këtë kanë patur “plotësisht të drejtë”. Kështu presidenti rus ofron justifikimin paraprak për një intervenim ushtarak. Sipas shpjegimit të Putinit vetëm një pjesë e popullit i kërkoka ndihmë tjetrës.

Çfarë konsideratash gjeopolitike ka elita e Moskës për Ukrainën, i tregon Tamara Gusenkova, zëvendësdrejtore e institutit rus për Studime Strategjike, një organizatë think tank e afërt me Kremlinin në një intervistë me "Literaturnaja gaseta".

Ukraina, thotë historiania, “nuk është një komb unik”, “por i ndarë nga ana mentale dhe territoriale". Kryeministri Jazenjuk thotë Gusenkova, është "një marionetë amerikane", që "vetëm përsërit atë, që i thotë Uashingtoni". Në këtë perceptim një ndërhyrje e Moskës do të ishte një lloj fushate kundër vasalëve të Shteteve të Bashkuara.