1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia ashpërson tonin përballë Kievit dhe Perëndimit

Pas ndërrimit të pushtetit në Ukrainë, tonet nga Rusia përballë Perëndimit dhe qeverisë tranzitore janë ashpërsuar. Madje forcat e reja në Kiev nuk shihen si legjitime.

"Nëse ju i quani qeveri ata njerëz që ecin nëpër Kiev me maska të zeza dhe me automatikë Kallashnikov në duar, atëherë bashkëpunimi ynë me një kabinet të tillë do të jetë shumë i vështirë", i tha kryeministri rus Dmitri Medvedjev agjencisë së lajmeve Interfax. "Atje nuk ka askënd, me të cilin të mund të flisnim."

Udhëheqjen e re ukrainase qeveria ruse e akuzoi për metoda diktatoriale. Qeveria tranzitore vepron në mënyrë represive kundër atyre, që në rajonet e ndryshme nuk janë dakord me metodat diktatoriale dhe pjesërisht terroriste, thuhet në një deklaratë të ministrisë së jashtme ruse. Duke iu referuar "interesave revolucionare" vendosen ligje, që shkelin "të drejtat e njeriut të rusëve."

Opozita ukrainase shtie në duar çelësat e pushtetit. Me këtë Moska e ka fjalën për një vendim të së dielës: qeveria e re shfuqizoi një ligj, sipas të cilit rusishtja konsiderohet në rajone të caktuara gjuhë e dytë zyrtare. Ministria e Jashtme kërkoi që reformat kushtetuese të hidhen për votim në një referendum.

Por Medvedjevi sulmoi edhe Perëndimin për shkak të njohjes së qeverisë tranzitore: "Disa prej partnerëve tanë perëndimorë i konsiderojnë ata legjitimë. Unë nuk e di se cilën kushtetutë kanë lexuar ata, por mua më duket gabim që të konsiderosh legjitime atë që në të vërtetë është rezultat i një revolte të armatosur", tha Medvedjevi në bazë të agjencive ruse të lajmeve.

Paralajmërime për unitet në Ukrainë

Njëkohësisht kryeministri theksoi që të gjitha marrëveshjet me Ukrainën, të detyrueshme nga pikëpamja juridike, mbeten në fuqi. Kjo vlen edhe për marrëveshjen për lëvrimin e gazit. Se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të saj, kjo është një çështje negociatash edhe me qeverinë ukrainase "nëse do ta kemi dikur atë".

Ukrainë: më shumë pyetje se përgjigje

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon dërgoi në Kiev të dërguarin e tij të posaçëm Robert Serry. Bani kërkoi nga të gjitha palët në vend që t'i zgjidhin në formë paqësore dhe me dialog dallimet e tyre dhe që të punojnë në plan afatgjatë për një kompromis. Askush nuk duhet të përjashtohet nga procesi aktual tranzitor, tha ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi për përmbajtje. Të gjithë aktorët duhet të ruajnë unitetin e vendit, tha zëdhënësi qeveritar, Steffen Seibert. Dhe kjo duhet të ndodhë në përbërjen e vendit, në përmbajtjet politike e edhe në tonin e qeverisë së re që do të formohet. Kjo vlen para së gjithash për Lindjen me ndikim rus të Ukrainës dhe për Gadishullin e Krimesë.