1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusia është e gatshme për një armëpushim një javor në Aleppo

Rusia do të respektojë një armëpushim 48 orësh çdo javë në qytetin sirian të Aleppos. Me këtë hap Moska u bindet kërkesave të OKB-së. Javën e ardhshme në qytet mund të dërgohen ndihma.

Përballë krizës humanitare në Aleppo Rusia u shpreh e gatshme që çdo javë të zbatojë një armëpushim 48 orësh në qytetin verior të Sirisë, Aleppo. Armëpushimi do të respektohet duke nisur nga java e ardhshme dhe do të mundësojë mbërritjen e ndihmave, deklaroi ministria moskovite e Mbrojtjes.

Me këtë Rusia respekton një kërkesë të OKB-së përballë luftimeve intensive në Aleppo. I ngarkuari i posaçëm për Sirinë, Stefan de Mistura pati kërkuar nga palët e konfliktit në Aleppo "armëpushime 48 orëshe çdo javë" për t'i furnizuar me medikamente dhe ushqime njerëzit e shumtë nevojtarë në qytet.

Deri tani Rusia, e cila mbështet regjimin e Bashar al-Assadit pati ofruar deri tani çdo ditë tri orë armëpushim, për t'i furnizuar njerëzit. Këtë kërkesë nuk e pranuan kryengritësit.

Gjermania kërkoi ndërkohë së bashku me 27 shtete të tjera të BE një armëpushim të menjëhershëm për qytetin. Vazhdimi i sulmeve me bomba dhe rrethimet i pengojnë ndihmat e komunitetit ndërkombëtar, bëri të ditur e Ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini në emër të të gjitha shteteve anëtare. Ndërprerja e menjëhershme e luftimeve do të mundësonte shpëtimin e të plagosurve, dërgimin e ndihmave si dhe rivendosjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike. Njëkohësisht, shtetet e BE i paralajmëruan palët e konfliktit si Rusinë dhe trupat qeveritare siriane që të mos i keqpërdorin misionet humanitare. "Ato nuk duhet të jenë pjesë e një strategjie ushtarake", thuhet në deklaratë.

Organizata e Kombeve të bashkuara për Ushqimin, WFP deklaroi se është "shumë e shqetësuar" për njerëzit në lindje të Aleppos. Përmes itinerarit të ri të furnizimit të opozitës në jug të qytetit, vërtet që në qytet mbërrin pak ushqim, i tha drejtori për Sirinë në WFP, Jakob Kern gazetës "Frankfurter Allgemeine Zeitung". "Në përmasa të gjera megjithatë atje nuk mund të futet ndihmë". Sipas Kernit, WFP shpërndan në Lindje të Aleppos vetëm gjysma racionesh, "sepse njerëzit e dinë se përndryshe ushqimi nuk do të mjaftojë".

Metropoli i dikurshëm ekonomik sirian, Aleppo është ndarë në dy pjesë midis trupave qeveritare në një anë dhe kryengritësve si dhe xhihadistëve në aleancë me ta nga ana tjetër. Regjimi ka nën kontroll pjesën perëndimore të qytetit, kurse Lindjen e kontrollojnë kryengritësit, pjesë që ka pësuar shkatërrime të mëdha për shkak të sulmeve të përditshme ajrore të avionëve luftarakë sirianë dhe rusë.