1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusi: Urrejtje ndaj të huajve dhe antisemitizëm

"Dita Kombëtare e Unitetit" në Rusi, e vendosur si festë nga ish-presidenti rus Putin, është kthyer në një ditë marshimesh për radikalët e djathtë në Moskë, madje me autorizim nga autoritetet. Kështu edhe këtë vit.

default

Protestë e lëvizjes së djathtë Fronti i Bashkuar Civil

4 nëntori, ditë pushimi në Rusi. Festohet dita e unitetit kombëtar. Por çlirimi i Rusisë nga pushtuesit polakë në shekullin e 17-të, kujtohet vetëm që prej pesë vjetësh. Një datë që sipas dëshirës së Kremlinit duhet të bashkojë qytetarët e vendit. Por kjo nuk ka sukses. Pothuajse tradicionalisht në këtë ditë demonstrojnë në Rusi nacionalistët dhe ekstremistët e djathtë kundër të huajve dhe imigracionit.

Nën shiun e imët rreth 6.000 pjesëmarrën marshojnë në lagjen e zymtë moskovite Ljublino. Në pallatet me parafabrikate të fundit të viteve '80 banojnë shumë imigrantë me orgjinë josllave.

"Nder dhe lavdi Rusisë. Ky është marshi rus. Ne do të fitojmë. Rruga drejt shëndetit është nacionalsocializmi. Imigranti i huaj është okupator i paligjshëm" - këto fjalë thërret turma, por më pas vijnë fjalë edhe më të rënda: "Vrisni, vrisni".

Një nga pjesëmarrësit përpiqet të qetësojë: "Ndal, mjaft tani, jepini fund." Më pas ata thërrasin "Rusia për rusët, Evropa për të bardhët". Të bie në sy numri i madh i të rinjve në radhët e pjesëmarrësve. Ata mbajnë maska ose kaska.

Jo vetëm antisemitizëm, por edhe urrejtje e pastër për të huajt

"Sot po mbajmë një demonstrim paqësor. Por ne jemi të gatshëm në çdo kohë të rrëmbejmë armët. Kjo ende nuk është reale. Por herët ose vonë ne do t'u drejtohemi metodave të paligjshme. Ne do të kryejmë një përmbysje dhe do të dëbojmë pushtetin çifut."

Nuk shprehet vetëm antisemitizëm, por edhe urrejtje e pastër për të huajt. Kështu njerëzit nga Kaukazi cilësohen me përçmim si "të zinj". Ata dhe njerëz nga Azia Qendrore janë të rrezikuar në Rusi, dhe shumë shpesh bien viktima të dhunës raciste. 82 viktima të tilla u shënuan në Rusi gjatë vitit 2009. Vetëm në Moskë 39 vetë ranë viktima të sulmeve raciste.

"Ne duam të çlirojmë Moskën nga të zinjtë. Ata vrasin fëmijët tanë me droga. Çdo ditë shohim në televizion se si vdesin fëmijët tanë nga lëndët narkotike. Këtë nuk duam ta tolerojmë më. Ne do ta çlirojmë Moskën prej tyre."

Duam të çlirojmë Moskën nga të zinjtë

Urrejtje ndaj të huajve dhe antisemitizëm, këto nuk shkojnë në pamjen, që duan të përcjellin mediet shtetërore ruse. Në pjesën më të madhe heshtet plotësisht për dhunën raciste dhe problemi i neonazismit fshihet. "Lëvizja kundër imigracionit të paligjshëm" është kthyer në një vatër për të gjitha organizatat radikale të djathta, dikur të ndaluara. Me parulla populiste ajo nxit dhunën për të huajt në vend dhe jo vetëm kaq: sipas të dhënave të qendrës anti-fashiste në Moskë, SOWA pjesëtarë të kësaj lëvizjeje janë të përfshirë në shumë vrasje me sfond racist.

Në një ditë të tillë si ajo e unitetit kombëtar të vjen pa dashje në mendje një krahasim: ndërkohë që në marshin rus nacionalistët dhe ekstremistët e djathtë mund të brohorasin pa pengesë parulla urrejtjeje për të huajt dhe antisemite, aktivistët për të drejtat e njeriut vazhdojnë të luftojnë për të drejtën e tyre të tubimit dhe shprehjes së lirë të mendimit.

Autor: Stephan Laack / Eliana Xhani
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 05.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pzgu
  • Data 05.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Pzgu