1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rusi-Perëndim më larg se kurrë: Putin telefonon me Merkelin

Shkallëzim i rrezikshëm në Lindje të Ukrainës. Në një telefonatë të kancelares Merkel me presidentin Putin kanë dalë në pah edhe njëherë qëndrimet e kundërta Perëndim, Rusi lidhur me konfliktin në Ukrainë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka telefonuar me presidentin rus, Vladimir Putin për të diskutuar mbi shkallëzimin e situatës në Lindje të Ukrainës. Në këtë telefonatë të dy politikanët kanë pasur vlerësime të ndryshme mbi gjendjen në këtë rajon, është shprehur zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Christian Wirtz në Berlin. Gjatë kësaj telefonate janë diskutuar edhe përgatitjet për takimin e nesërm (17.04) të Gjenevës, ku pritet të takohen ministrat e Jashtëm të Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe e ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton.

Steinmeier: Dështimi i Gjenevës - i palejueshëm

Sipas njoftimeve në media, Putin është shprehur se Ukraina ndodhet para luftës civile. Mënyrën e veprimit të ushtrisë ukrainase kundër të armatosurve prorusë në Lindje, presidenti rus e ka cilësuar "kurs antikushtetues për shtypje me dhunë të protestave popullore".

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier ka apeluar ndaj qeverive në Kiev dhe në Moskë të shohin takimin e Gjenevës si shans për zgjidhjen paqësore të konfliktit në Ukrainë. "Dështimi është i palejueshëm", ka thënë Steinmeier për gazetën gjermane "Rheinischer Post", pasi ka rrezik për të vrarë e të plagosur të tjerë, po qe se nuk gjendet rrugëdalje nga spiralaja e dhunës. "Një barrë të tillë nuk mund t'ia lelojë askush vetes, as ata që marrin pjesë në organizimin e kaosit nga jashtë", paralajmëroi ministri i Jashtëm gjerman Kremlinin.

SHBA krah qeverisë në Kiev

Ndërkohë trupat ukrainase, siç kishte paralajmëruar presidenti i përkohshëm, Turtçinov, kanë nisur të veprojnë kundër separatistëve prorusë, një hap për të cilin Moska ka paralajmëruar. Putini ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara të veprojnë. Në një bisedë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, Putin ka kritikuar mënyrën e veprimit të qeverisë në Kiev.

Ndërkohë Shtete e Bashkuara kanë dalë në krah të qeverisë në Kiev, duke e mbrojtur mënyrën e veprimit të kësaj qeverie. Zëdhënësi i qeverisë amerikane, Jay Carney tha se "qeveria ukrainase ka përgjegjësinë të rivendosë rendin, dhe ligjin". "Provokimet e trupave proruse "krijojnë një situatë, në të cilin qeveria duhet të veprojë". Shkallëzimin e situatës ai e cilësoi si "shumë të rrezikshme". Mejithatë Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të presin bisedimet e Gjenevës për të vendosur për sanksione të reja kundër Rusisë.